Mirë se erdhët në Public Square!

    Ditmir Bushati

    Sot do të flasim për atë që duhet të ishte ngjarja më e rëndësishme e vitit jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete. Do të flasim për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, që shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane. Ky akt i dha fund një precedenti sfilitës e të panjohur më parë në procesin e zgjerimit, ku ndonëse shtetet anëtare të BE-së skicuan rrugën për në tryezën e bisedimeve për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut qysh prej qershorit të 2018-ës, e më pas në marsin e 2020-ës, ishin në ngërç për ta zyrtarizuar këtë proces. Fillimisht, për shkak të kundërshtimit të Presidentit francez, Macron, i cili e kushtëzoi procesin e zgjerimit me reformimin e mëtejshëm të BEsë, çka solli rishikimin e metodologjisë së zgjerimit. Më pas, për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku Shqipëria, duke u trajtuar në paketë me fqinjin e saj, për fat të keq, u trajtua si kolateral.

    Megjithëse një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve, paradoksalisht ndihet një fare apatie dhe lodhje nga ky proces. Mënyra sesi u prit raporti vjetor i Komisionit Europian, mungesa e një analize e debati të njëmendtë, jo për mënyrën sesi na sheh BE-ja, por për sfidat e panumërta që kemi përpara, është dëshmi e qartë e mungesës së sensit të drejtimit dhe afatizimit të këtij procesi.

    Ndërkohë që stadi nëpër të cilin ka hyrë vendi kërkon shtim energjish për reforma të vërteta dhe përgjegjshmëri për mirëkuptim politik, pasi rruga para nesh do të jetë edhe më sfiduese, fillimisht le t’i hedhim një vështrim rrugës sesi mbërritëm deri këtu.

    Ndryshimet politike dhe shoqërore në vitet ‘90-të, nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës të brezave të tërë për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht, pasi lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike. Europa është një lloj vatre shpirtërore e jona që nga Balshajt e këndej. Apo siç thotë Ismail Kadare, “një gjendje e natyrshme e jona”.

    Ndaj, nuk është aspak çudi që mijëra “agjentë të ndryshimit” që e kanë lënë Shqipërinë, me kohë e kanë gjetur “Europën” e tyre. Po kështu, shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë, janë qartësisht të orientuar nga vlerat perëndimore. Çështja shtrohet se kur do të bëhet Shqipëria një shtet modern europian në kuptimin e sundimit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.

    Le ta themi troç. Rruga jonë drejt BE-së, që prej 1990-ës, i ngjan një rruge të thepisur. E cila, nuk e justifikon entuziazmin dhe mbështetjen popullore për këtë proces. Ajo ka lidhje me procesin e shtetkonsolidimit demokratik, ku pasqyrohen dobësitë e traditës sonë politike dhe demokratike, vështirësia e kultivimit të vlerave më të mira europiane të shtetit të së drejtës, polarizimi i tejskajshëm i jetës politike, dhe prapambetja ekonomike, shoqëruar me format e kapitalizmit grabitqar.

    Shpesh përdoret si justifikim për vonesat tona drejt BE-së pikënisja e Shqipërisë, e cila ishte e ndryshme nga shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore. Është e vërtetë se në fund të viteve ‘80 Shqipëria ishte i vetmi shtet në Europë që nuk kishte asnjë lidhje politike dhe ekonomike me Komunitetin Europian. Ndërkohë që Shqipëria lidhi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Europian në muajin qershor të vitit 1991 vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të para pluraliste, një pjesë e shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore ishin duke diskutuar me BE-në marrëveshjet e asociimit. Mirëpo, është po aq e vërtetë se në vitin 1996, Shqipëria ishte i vetmi shtet në rajon, për të cilin Këshilli i kërkoi Komisionit Europian që të paraqiste një propozim formal për arritjen e një marrëveshje asociimi sui generis. Zgjedhjet parlamentare të parregullta të majit të 1996-ës, së bashku me krizën e thellë financiare dhe sociale që pasoi në vitin 1997, e futën Shqipërinë në një spirale tjetër.

    Kështu, Shqipëria humbi një rast të artë për t’u zhvilluar më shpejt duke hyrë në një fazë më të avancuar të marrëdhënieve me BE-në, me objektiv nënshkrimin e një marrëveshjeje të ngjashme me ato që kishin nënshkruar shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore. Hyrja në këtë fazë do ta shkëpuste Shqipërinë nga shtetet e tjera, të cilat më vonë u përfshinë nga BE-ja në Procesin e Stabilizim Asociimit.

    Që prej asaj kohe, për çdo hap të hedhur nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit të BE, ritmet kanë qenë zhgënjyese. Në kuptimin figurativ, nëse zbritëm nga treni për në BE në vitin 1996, humbëm disa stacione përgjatë viteve 1999-2002 dhe vetëm në Janar të 2003-it filluam bisedimet me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

    Qëndruam si asnjë shtet tjetër për 3 vjet e gjysmë në tryezë duke e nënshkruar MSAnë në Qershor të 2006-ës. Jo për shkak se “negociuam” pasi jemi ne që trokasim në derën e BE-së, por për shkak të mungesës së mirëkuptimit politik dhe pronësisë mbi reformat. Po kështu na u deshën 5 vjet për të marrë statusin kandidat dhe 13 vjet për të filluar bisedimet për anëtarësim ne BE, nga momenti i aplikimit në prillin e 2009-ës.

    CILAT JANË MËSIMET QË DUHET NXJERRIM NE?

    Kemi humbur kohë rrugës duke u vetëpenguar në etapa të ndryshme të këtij procesi. Dhe ç’është më e keqja, nuk reflektojmë ende kapacitet vetëshërues.

    Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së bashkë me Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, e le më pastaj të jetë pas Malit të Zi e Serbisë, nëse do të ishin krijuar kushtet për një mjedis politik përbashkues për çështjet me interes kombëtar që shtrihen përtej politikës së ditës.

    Duke qenë mesdhetar e ballkanas është e kuptueshme që mjedisi politik të jetë elektrizues. Por, polarizimi i skajshëm, eksportimi i baltës politike tek partnerët ndërkombëtar dhe përdorimi i tyre në funksion të legjitimimit të lojërave politike, janë arsyeja kryesore e kësaj vonese me pasoja të pariparueshme në rrugën tonë europiane.

    Për ta mbyllur këtë kapitull dominimi mesvedit, që mban në burgun e të shkuarës një popull të tërë nevojitet një platformë sa më përfshirëse e përbashkuese që nxit një cilësi e shpejtësi tjetër për reformat e shtetkonsolidimit demokratik.

    Duhet kuptuar se në këtë proces qeveritë kanë barrën kryesore, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndërsa merita është vetëm e shqiptarëve që nuk kanë asnjë mëdyshje për rrugën europiane.

    Procesi i bisedimeve për anëtarësim, i ngjan vrapimit me pengesa. Shumëçka varet prej përgatitjes sonë për të tejkaluar pengesat dhe për të qenë sportistë të shëndetshëm.

    E filluam tranzicionin me sloganin “ne qeverisim, bota na ndihmon”, duke eksperimentuar me “teorinë shock” dhe “çekun e bardhë”, e duke ushqyer iluzionin se reformat vetëzbatohen. Më pas me “reformat standarde” që nënkuptonin thjesht përkthim dhe kopjim pa marrë parasysh nevojat tona. Ndërsa për reformat në fushën e sundimit të së drejtës themi se i bëjmë në bashkautorësi me partnerët ndërkombëtarë, por pa dëshmuar pronësinë mbi to. Politika inkuizicionale ka zëvendësuar me kohë auditimin administrativ dhe përgjegjësinë politike.

    Si pasojë e kësaj rrugë të ndjekur, megjithëse pretendojmë se ekonomia jonë rritet, pasuritë tona publike zvogëlohen. Ato janë dhënë thuajse të gjitha tek një grusht njerëzish, duke mos prodhuar vlerën e duhur për shoqërinë. Kjo politikë, që ndryshe quhet “privatizimi i përfitimeve dhe shoqërizim i riskut”, do të ketë pasojë afatgjatë për brezat e ardhshëm. Pasi siç thotë me të drejtë Jacques Attali: “Nuk mund të jetojmë në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm. Të parëvë ua hamë kontributin, të dytëve ua rrënojmë trashëgiminë”.

    Procesi i bisedimeve për anëtarësim në BE imponon, para së gjithash, një konceptim gjithëpërfshirës për qeverisjen me fokus te vlera që prodhon shumica në ekonomi. Duke rritur kështu besimin e njerëzve tek e ardhmja e vendit dhe njëkohësisht duke zvogëluar distancën oqeanike mes shqiptarëve të diasporës dhe vendit. Pa përfshirjen reale të tyre përmes jetësimit të së drejtës së votës dhe skemave të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të aplikuara në mënyrë të efektshme në vende me diasporë dhe karakteristika të ngjashme me ne, si Izraeli dhe Irlanda, do ta kemi të pamundur të bëjmë kapërcimin që nevojitet për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri të drejtë, modern dhe europian në kuptimin e vërtetë të fjalës.

    Sikurse shihet, jeta nuk ndryshon me magji tani që procesi i anëtarësimit në BE filloi. Pasi ne nuk do të “negociojmë” me BEnë standardin europian, por afatin se kur jemi gati për ta zbatuar atë.

    Pra, kur do ta luftojmë me vepra e jo fjalë korrupsionin dhe krimin e organizuar; kur do të ndërtojmë një administratë mbështetur te merita e në shërbim të publikut; kur universitetet tona do të jenë vatra të dijës dhe pjesë të rrjeteve të kërkimit europian; kur sipërmarrësit tanë do ta matin suksesin në bazë të riskut të marrë apo inovacionit; kur punëtorët do të ndjehen të shpërblyer për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik; kur do të zbatojmë rregullat e prokurimit publik, konkurrencës së ndershme, e shumë standarde të tjera që çlirojnë garën në ekonomi, i japin kapitalizmit një fytyrë sociale dhe krijojnë më shumë mundësi punësimi, duke kontribuar gjithashtu për thithjen e investimeve të huaja direkte.

    Në këtë proces të mundimshëm duhet të identifikojmë dhe mbrojmë interesin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, dhe jo të vazhdojmë të promovojmë krahun e lirë të fuqisë punëtore si avantazh krahasues. BE-ja nuk është zgjidhja magjike e as fondacion bamirës, por poseduese e instrumenteve dhe politikave zhvillimore. Prandaj, të gjitha grupet shoqërore duhet të orientohen se çfarë të bëjnë dhe çfarë të presin nga ky proces. Mbi të gjitha, potenciali i brezit të ri duhet vendosur në shërbim te vendit, pasi Shqipëria Europiane duhet të hedhë pas krahëve ngjarjet e trishtueshme të Otrantos së djeshme, apo të Le Manshit të sotshëm.

    Na duhet të përcaktojmë një afat kohor, brenda të cilit synojmë anëtarësimin në BE. Nisur nga kjo tabelë, na duhet të përcaktojmë objektivin tonë. Nëse e synojmë anëtarësimin në BE sipas “modelit Baltik” që është mesatarisht 3 vjet; “modelit Bullgaro-Rumun” që është rreth 5 vjet; apo “modelit Kroat” që është 5 vjet e gjysmë.

    Zgjedhja para nesh është e qartë: reformim dhe anëtarësim në BE, që do të thotë mirëqenie, ose zvarritje dhe pranimi i tranzicionit si një gjendje e përhershme

    Gjithashtu, duhet të përcaktojmë një objektiv konkret për çdo grup kapitujsh që hapen e mbyllen, sepse pritshmëritë e njerëzve nuk “ushqehen” dot me kapituj. Pra, çfarë duhet të bëjë dhe të presë prodhuesi, arsimtari, mjeku, fermeri, studenti. Si duhet ta matim punën e institucioneve të drejtësisë? Me numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar apo me rritjen e investimeve të huaja si pasojë e besimit tek institucionet e drejtësisë? Si duhet t’i konsolidojmë liritë politikë, duke filluar nga e drejta për t’u zgjedhur e zgjedhur e deri tek e drejta e publikut për t’u informuar në mënyrë të paanshme dhe objektive nga poseduesit e frekuencave kombëtare?

    Këto elementë të rëndësishëm për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të anëtarësimit në BE, por mbi të gjitha të standardit tonë të jetës së përditshme, duhet të trupëzohen në trajtën e vizionit dhe angazhimeve në një platformë sa më përfshirëse e përbashkuese. Shndërrimi i vizioneve të guximshme në hapa të prekshëm për qytetarët është sekreti i suksesit të procesit të integrimit europian.

    ÇFARË DUHET TË BËJË BE-JA?

    Nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke pasur parasysh kontekstin e sigurisë në Europë, si pasojë e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, është një mesazh politik kuptimplotë për të ardhmen e rajonit brenda BE-së.

    Ndonëse prania ekonomike dhe politike e BE-së në rajon është e pakrahasueshme me fuqitë e tjera, fuqia e saj ndikuese në zhvillimet e brendshme apo në adresimin e konflikteve të papërfunduara të shtetësisë është në progresion gjeometrik me numrin e emisarëve special.

    Ndaj, prioritizimi i procesit të zgjerimit me gjashtë shtetet e Europës Juglindore, që rrethohen nga shtete anëtare të BE-së, duhet të shihet konsolidim në vetvete i projektit europian dhe jo zgjerim në kuptimin gjeografik. Si i tillë, ai duhet konsideruar si një proces me përfitim të dyanshëm.

    Në kushtet e reja që imponon mjedisi i sigurisë në Europë, anëtarësimi në BE nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, procesi i anëtarësimit të shteteve të Europës Juglindore, me përjashtim të Kroacisë, nuk ka gjetur mënyrën për të fuqizuar forcat e ndryshimit në shoqëri apo tërhequr qytetarët në procesin e shtetndërtimit demokratik, integritetit institucional dhe rrugën e reformave për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

    Nëse BE-ja dëshiron të transformojë realisht kontinentin, të zgjerojë modelin e vet të qeverisjes, të inkurajojë reforma demokratike dhe të jetë një aktor me peshë globale, BE-ja duhet ta bëjë ofertën e saj të prekshme në radhë të parë për qytetarët e rajonit.

    Prandaj duhet të shkojë përtej simbolikës duke ndjekur këshillën e njohur të Winston Churchillit “për të mos e çuar dëm një krizë”, si një mundësi për të konsoliduar projektin europian, përmes ofrimit të mekanizmave ndihmues dhe përcaktimit të një afati të arsyeshëm kohor për anëtarësimin në BE të gjashtë shteteve të rajonit tonë.

    Një angazhim serioz i BE-së me rajonin kërkon një proces anëtarësimi të rreptë por të drejtë, të parashikueshëm, të prekshëm dhe motivues për qytetarët, duke trajtuar me përparësi sundimin e së drejtës; hemorragjinë demografike; dhe hendekun zhvillimor të rajonit tonë me atë të BE-së.

    * Public Square është një hapësirë virtuale komunikimi dhe ndërveprimi për çështje me interes publik që meritojnë vëmendje të posaçme. Jeni të ftuar të zini vendin tuaj në këtë shesh publik duke kontribuar si qytetarë të angazhuar për sfidat që bashkëndajmë.

    Lajmi Paraprak

    GRUBI MBETET SHEF KABINETI | Ahmeti pretendon se nuk ka “grup zjarri” dhe pret një debat të frytshëm

    Lajmi i rradhës

    KUJTIMET E NJË TË INTERNUARI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë