Sveto Toevski
Ndërmarrjet dhe shumë biznese kanë gjithnjë e më pak fuqi për t’u përballur me masat shtrënguese të brendshme dhe ndikimet e jashtme në ekonomi ndërsa pandemia vazhdon. Zgjidhje nuk është huazimi i ri i huaj, i cili e çon Maqedoninë në “skllavëri të thellë borxhi”, por “prerja” e të gjithë shpenzimeve joracionale në buxhet dhe riorganizimi i përgjithshëm i ekonomisë, së bashku me shpëtimin e jetës së njerëzve para shpërthimit të virusit Kovid-19.
Republika e Maqedonisë po përballet me një krizë ekonomike dhe shëndetësore, e cila nuk është parë për dekada gjatë ekzistencës së saj si shtet: pas gati një viti e gjysmë nga shpërthimi i pandemisë, kanë humbur jetën më shumë se 4 mijë njerëz, kurse ekonomia e vendit po nxiton drejt një kolapsi të vërtetë. Përhapja e virusit nuk po ndalet, sistemi shëndetësor maqedonas nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të ndihmuar popullatën dhe si rezultat lind një pyetje shumë e rëndësishme: si mund të mbijetojnë bizneset dhe qytetarët kur kriza ekonomike dhe shëndetësore pritet të intensifikohet?
Rreth 30 mijë qytetarë të punësuar në sektorin e turizmit dhe gastronomisë janë duke pësuar goditje të mëdha mbi ekzistencën e tyre themelore, për shkak të mbylljeve të shpeshta të lokaleve të tyre. Kah mesi i këtij muaji, përfaqësuesit e Dhomës së Turizmit dhe Gastronomisë paralajmëruan: “Të ardhurat në 13 muajt e fundit kanë rënë prej 85% deri në 100% … për shkak të pandemisë, agjencitë e udhëtimit, hotelet dhe aktivitetet e tjera të lidhura janë në prag të kolapsit, prandaj është e nevojshme që institucionet të ndihmojnë që ky sektor të mbijetojë …”
Përveç turizmit dhe hotelierisë/gastronomisë, një nga degët veçanërisht të prekura është edhe industria e tekstilit. “Netpress”, nga mesi i këtij muaji në analizën e saj raportoi: “Industria e tekstilit është në prag të kolapsit, thonë ekspertët. Qeveria nuk miratoi masa strukturore, të cilat do të nënkuptojnë shpëtimin e kësaj dege … Deri më tani, për shkak të krizës së koronavirusit, gati 50.000 qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe sipas ekspertëve, ky numër do të rritet, nëse vazhdon një situatë e tillë në industrinë e tekstilit.
Recesioni më i thellë që nga viti 2001
Në analizën “Efektet e pandemisë me Kovid-19 në ekonominë maqedonase” nga janari i këtij viti, autorët tregojnë për disa nga pasojat më të rënda për ekonominë maqedonase të shkaktuara nga pandemia: “…Prodhimi i brendshëm bruto i Maqedonisë në tremujorin e dytë të vitit 2020 ra për 14,9 përqind në vit … Kjo rënie … ishte një nga më të lartat në Evropë.
Burimi: Enti Shtetëror i Statistikës
Në katërmujorin e tretë … rënia e prodhimit të brendshëm bruto u ul në 3,3 përqind. Mbështetja fiskale e Qeverisë maqedonase gjatë kohës së pandemisë ishte 3,5 përqind е prodhimit të brendshëm bruto dhe është ndër më të ultat në Evropë.“
Në anën tjetër, Kryeministri Zoran Zaev në një konferencë të fundit për shtyp në Qeveri deklaroi se “ekonomia po rimëkëmbet, gjë që konfirmohet nga trendet pozitive ekonomike aktuale, përkatësisht rritja e lartë e eksporteve, rritja e tregtisë, rritja e huadhënies dhe rritja e pagës mesatare”, duke argumentuar se: “… zbatimi i katër paketave të masave është 82 përqind, ose 860 milion euro…. masat ekonomike përmirësuan rezultatin ekonomik për 4.2 pikë përqindje.”
Të shpëtohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – shtylla e ekonomisë
Situata në realitet është ndryshe. Vitin e kaluar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht ato në sektorët më të goditur – prodhimtaria, shërbimet dhe turizmi – pësuan goditjet më të forta pandemike, duke mbyllur 6.200 biznese të tilla dhe duke lënë rreth 17.000 punëtorë në rrugë. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë më shumë se 99 përqind të ndërmarrjeve aktive të regjistruara dhe pa dyshim që kanë rolin më të rëndësishëm në funksionimin e ekonomisë maqedonase.
Me një përqindje prej 65 përqind të produktit të brendshëm bruto, ato dominojnë subjektet e tjera, sigurojnë më shumë se 80 përqind të vendeve të punës në sektorin privat dhe janë një shtyllë e ekonomisë. Kjo është arsyeja pse në fillim të vitit Lidhja e Odave Ekonomike i paraqiti Qeverisë 15 masa për mbijetesën e vendeve të punës dhe kompanive, duke theksuar se: “Masat prioritare… përfshijnë… vazhdimin e ndihmës në formën e kredive pa interes dhe mundësi për riprogramimin e detyrimeve nga kërkesat aktive kreditore. … Është e rëndësishme … që të kapërcehet edhe likuiditeti i çrregulluar, i cili shumë shpejt mund të çojë në mbylljen e disa subjekteve juridike, nëse nuk ofrohet një mbështetje e pandërprerë financiare.”
Kur mund të presim shenjat e para të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit?
Në fillim të Marsit të këtij viti, në lidhje me masat e reja për të ndihmuar ekonominë, Ministri i Financave Fatmir Besimi tha në një konferencë për shtyp se “paketa e pestë parashikon përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe përshpejtimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike.” Megjithatë, është shumë herët për të paralajmëruar rimëkëmbjen ekonomike në vitin aktual 2021 në Maqedoni, veçanërisht pasi pandemia është ende larg përfundimit të saj. Vendet evropiane më të zhvilluara ekonomikisht – dhe një numër ekspertësh të tyre të shquar ekonomikë – tregojnë realisht se në tremujorin e tretë të vitit 2022, apo edhe 2023, mund të priten efektet e para të rimëkëmbjes ekonomike dhe kthimin në nivelet para shpërthimit të pandemisë.
Burimi: makfax.com.mk
Financial Times raporton mbi konstatimet më të rëndësishme të një hulumtimi ku janë përfshirë rreth 100 ekonomistë dhe analistë të njohur britanikë, të cilët theksojnë objektivisht se ekonomia e vendit të tyre duhet të presë që rimëkëmbja e saj post-pandemike të jetë e ngadaltë, me rritjen e papunësisë dhe rritjen e falimentimeve ekonomike. Në atë studim, Angus Armstrong, drejtor i Departamentit të Rimëkëmbjes Makroekonomike në Institutin Kombëtar Britanik për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (NIESR), sa i përket parashikimeve kohore të rimëkëmbjes së ekonomisë britanike, thotë: “Ekonomia do ta rikthejë madhësinë e saj para pandemisë në vitin 2023. Shumë varet nga efikasiteti dhe suksesi i administrimit të vaksinave, por gjithashtu edhe nga dobësia e investimeve afariste.”
Lind pyetja: cilat janë mundësitë për rimëkëmbjen e ekonomisë maqedonase, kur pandemia shkaktoi, ndër të tjera, një ulje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte? Analiza e përmendur “Efektet e pandemisë Kovid-19 në ekonominë maqedonase” të Fondacionit Westminster për Demokraci për Maqedoninë thotë se vërehet një “tërheqje e kapitalit nga kompanitë e huaja”: “Në tremujorin e parë të vitit 2020, investimet e huaja arritën në 233 milion euro, kurse në vitin 2019, 488 milion euro”.
Borxhi i jashtëm duhet të zvogëlohet, e jo të rritet
Nuk mund të llogaritet se çfarë hapësire nevojitet për rimëkëmbjen e ekonomisë kombëtare kur ndalet ritmi i funksionimit të saj, nga i cili varet edhe krijimi i produktit të brendshëm bruto. Ta themi thjesht, kur ekonomia nuk funksionon, nuk ka para në shtet, në buxhet, në xhepat e qytetarëve. Emetimi i Eurobondit të ri të shtatë, kësaj radhe me një shumë rekord deri prej 700 milion euro, është një tregues bindës se arkat e shtetit janë bosh, pavarësisht nga të gjitha bindjet e qeverisë për publikun se “buxheti është në gjendje të mirë dhe po mbushet sipas planit”
Në fund të muajit të kaluar, u publikua një komunikatë e Bankës Kombëtare të Maqedonisë, sipas së cilës borxhi i jashtëm bruto i Maqedonisë (borxhi total i cili, përveç borxhit publik, përfshin borxhin e kompanive, kompanive të sigurimeve, bankave ) në fund të tremujorit të katërt të vitit 2020 arriti nivelin prej 8 miliard e 630 milion euro, që paraqet 80.2 përqind e produktit të brendshëm bruto.
Sidoqoftë, në “Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor” për vjeshtën e vitit 2020, Banka Botërore për Maqedoninë tha se është e nevojshme të “vazhdohet … ulja e borxhit që filloi në vitin 2017, duke konstatuar: “Në një periudhë afatmesme, financat publike duhet të menaxhohen në një pozicion të qëndrueshëm… Maqedonia e Veriut duhet t’i ridefinojë prioritetet e shpenzimeve për një rimëkëmbje afatgjatë…”.
Qeveria duhet të shkurtojë të gjitha shpenzimet joproduktive nga buxheti
Qeveria me të gjitha institucionet dhe organet e saj duhet të formulojë një program të mirëmenduar për shkurtimin e plotë dhe efektiv të gjitha llojeve të shpenzimeve joproduktive, konsumi i buxhetit të shtetit duhet të kryhet me një racionalizëm maksimal, kurse ndërmarrjeve të varfëruara financiarisht dhe ekonomikisht t’u ndihmohet përmes përjashtimit, ose zvogëlimit të disa taksave, shpenzimeve administrative dhe shpenzimeve të tjera.
Një frikë në ekonomi dhe në mesin e qytetarëve po shkaktojnë edhe aludimet e herëpashershme në publik se, gjoja, mund të vie deri te një zhvlerësim i denarit, si rezultat i goditjeve pandemike në ekonomi dhe menaxhimit aktual të financave publike. Një grup profesorësh nga Fakulteti Ekonomik në Shtip, në artikullin e tyre shkencor “Ndikimi i pandemisë së shkaktuar nga Kovid-19 në ekonominë maqedonase”, ndër të tjera, thonë: “… kishte një rënie të depozitave në denarë dhe një rritje të depozitave në valutë të huaj, e cila ndoshta është për shkak të frikës së qytetarëve nga zhvlerësimi i mundshëm i valutës vendase”.
Vuajtjet e qytetarëve nga koronavirusi nuk kanë mbaruar aspak, as vuajtjet e ekonomisë. Filloi një rritje “galopante” e inflacionit dhe një rritje e furishme e çmimeve të shërbimeve dhe ushqimit, po thellohet varfëria mes gjithnjë e më shumë shtresave të popullsisë. Pritet një pranverë e protestave sociale dhe një krizë ekonomike edhe më e ashpër. Bëhet edhe më urgjente nevoja për të marrë të gjitha masat ekonomike dhe të tjera për të ndaluar kolapsin e ekonomisë dhe standardit të jetesës së popullsisë.
Masa urgjente
Ulja ose eliminimi i një pjese të konsiderueshme të taksave të kompanive ndaj shtetit; racionalizimi i plotë i buxhetit të shtetit dhe financave publike me qëllim të ndihmës afatshkurtër dhe afatgjatë për mbijetesën dhe zhvillimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve; pezullimi i menjëhershëm i huamarrjes së re të huaj; program të gjerë për ndihmë efikase financiare për kategoritë më të varfra të qytetarëve dhe atyre që kanë humbur punën për shkak të masave kufizuese të miratuara duke pasur parasysh luftën kundër Kovid-19 – të gjitha këto mund të jenë pjesë e masave ekonomike, të cilat do të parandalojnë kolapsin e ekonomisë dhe të fillojnë riorganizimin e saj të përgjithshëm në periudhën post-pandemike. /Respublica/
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.