Gëzuar Vitin e Ri 1991!

    Nga: Boris Dezhuloviq / Portal Novosti
    Përkthimi: Telegrafi

    Në këtë kohë, tridhjetë e tre vjet më parë në prag të Vitit të Ri 1991, raundi i dytë i zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare në Serbi ia dha fundin transformimit demokratik të Jugosllavisë që po jepte shpirt. Zgjedhjet në Serbi ishin të fundit në atë vit historik, pasi zgjedhjet e para të lira në Slloveni dhe në Kroaci – që u organizuan në prill të vitit 1990 – në nëntor u pasuan nga zgjedhjet në Maqedoni dhe në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Mal të Zi në fillim të atij dhjetori.

    Sot, tridhjetë e tre vjet më vonë, pak gjëra kanë ndryshuar në peizazhin politik të ish-Jugosllavisë. Në Kroaci, për shembull, gjatë gjithë asaj kohe e deri më sot në pushtet është HDZ-ja e Franjo Tuxhmanit, e njëjta parti që festoi fitoren në ato zgjedhjet e para historike dhe në këto të fundit – dhe që do të festojë fitoren në të gjitha zgjedhjet, deri në fund të botës – vetëm me dy ndërprerje kur pushteti për pak kohë iu dorëzua SDP-së, të njëjtës parti që e ndoqi në tabelën e zgjedhjeve të para dhe e cila ishte në vendin e dytë në zgjedhjet e fundit dhe që do të jetë në vendin e dytë në zgjedhjet e ardhshme dhe në të gjitha të tjerat deri në fund të HDZ-së.

    Ngjashëm ose e njëjta situatë është në Bosnje dhe Hercegovinë – ku gjatë gjithë këtyre viteve në vendin e dytë të suksesshëm janë humbësit e përjetshëm socialdemokratë, ndërsa të njëjtat tri parti kombëtare janë në pushtet: SDA-ja e Alija Izetbegoviq, HDZ-ja e Tuxhmanit dhe SDS-i e Radovan Karaxhiqit nga ku rrodhi Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur e Milorad Dodikut – por, edhe në Maqedoni të Veriut, ku edhe pas tridhjetë e tre vjetëve pushteti ndahet nga të njëjtat dy parti që e ndanë atë në zgjedhjet e para shumë kohë më parë më 1990: VMRO-DPMNE-ja dhe Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë – partia e transformimit demokratik [SDSM], d.m.th. Aleanca e sotme Socialdemokrate e Maqedonisë. Dhe, pak gjëra kanë ndryshuar në Slloveninë pioniere, revolucionare, ku Janez Jansha, veterani i zgjedhjeve të para që edhe sot e kësaj dite në çdo moment është ose kryeministër, pra në qeverinë aktuale, ose lider i opozitës, pra në qeverinë e ardhshme, ndërkaq vetëm Milo Gjukanoviqi është i përjetshmi më i pandryshueshëm se ai – deri tash dy herë president i Malit të Zi dhe katër herë kryeministër. Edhe në Kosovë, faleminderit për pyetjen, Lidhja qeveritare-opozitare Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës është gjallë e shëndoshë edhe sot e kësaj dite.

    Se a ka kaluar apo jo një kohë e caktuar, udhëtari i vëmendshëm që me makinën kohore do ta lëshonte Ballkanin në dhjetor 1990 e do të ndalej në dhjetor 2023, këtë do ta kishte vënë re vetëm me çehren e bukur të bronztë të Franjo Tuxhmanit dhe të miqve të tij: pak nga bakri dhe kallaji, pak nga mishi e gjaku, Tuxhmani dhe Izetbegoviqi dhe Karaxhiqi dhe Rugova dhe Gjukanoviqi dhe Jansha janë ende gjallë, të shëndetshëm dhe të zhurmshëm këtu.

    Vetëm në Serbi, udhëtari në kohë nuk do të njihte apo nuk do të kuptonte askënd dhe asgjë.

    Në peizazhin e vdekur, të sheshtë dhe të shkretë politik jugosllav, Serbia në fakt duket si një ishull i gjallë interesant i parajsës së demokracisë parlamentare, ku partitë e vjetra shuhen me shpejtësinë e karikuesve të celularëve dhe të rejat mbijnë si kërpudha atomike para shiut të acidit: nga dyzet e katër partitë që morën pjesë në zgjedhjet e para demokratike në atë dhjetor prehistorik të vitit 1990, sot formalisht ekzistojnë vetëm gjashtë prej tyre, tri prej të cilave – SDA-ja e Sanxhakut, Unioni Demokratik i Hungarezëve të Vojvodinës dhe Bashkimi Demokratik i Kroatëve në Vojvodinë – janë veçse parti të vogla dekorative të pakicës, ndërsa tri të tjerat e atyre zgjedhjeve të para historike u ndanë pothuajse në shtatëdhjetë për qind të votave: Partia Demokratike, Lëvizja për Rimëkëmbje Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë e Sllobodan Millosheviqit i cili në atë kohë e pushtoi Kuvendin e Serbisë me gati gjysmën e votave.

    Megjithatë, tridhjetë e tre vjet më vonë, ato festat e famshme nuk janë veçse hije të zbehta të lavdisë së tyre të mëparshme. Në zgjedhjet parlamentare që sapo u mbajtën, Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit mezi fitoi disa mandate dhe shpalli fundin e saj të trishtuar dhe përfundimtar, ndërsa armiqtë e përbetuar të tyre nga Partia Demokratike që disa herë ishin në pushtet – e cila u zhduk diku në shkretëtirat e paarritshme të fletëvotimeve – përfunduan edhe më keq në një paketë prej trembëdhjetë partive dhe partiqkave nga koalicioni Serbia Kundër Dhunës, krahas gjigantëve të tillë parlamentarë si Sindikatat e Bashkuara të Serbisë – Uniteti [Sloga] ose Lëvizja Popullore e Serbëve nga Kosova dhe Metohia – Vatani [Otadžbina].

    Rrotullohet udhëtari i hutuar në kohë dhe për Zotin rrotullohet edhe Sllobodan Millosheviqi në varrin e tij në Avli të Pozharevcit. Vozhdi rrotullohet si karusel në një panair në Shabac – pushtetin në Serbinë e tij e ka marrë si me lopatë një lloj i koalicioni me emrin Serbia Nuk Bën të Ndalet, dhe Vozhdi lexon emrat e partive që jo vetëm nuk ekzistonin në 1990, por nuk ishin edhe në hartë në vitin 2006 kur Slloba ishte ende gjallë: në krye është Partia Progresive gjithëqeverisëse Serbe e njëfarë Aleksandar Vuçiqit, nën mantelin e tij disa parti socialdemokrate të Serbisë, Lëvizja Socialiste, Solidariteti dhe Drejtësia, Partia Popullore Serbe, Partia Popullore Fshatare, Serbia e Shëndoshë, E Majta Serbe dhe Partia e Serbisë Moderne, dhe mes tyre në qoshe – këtu Slloba më në fund e ka një buzëqeshje në fytyrë – Lëvizja e vogël, kaq e vogël e Përtëritjes Serbe e Drashkoviqit.

    Dhe, derisa në pjesën tjetër të Jugosllavisë së vdekur, që nga vitet e nëntëdhjeta pushteti ekzekutiv është i ndarë mes nacionalistëve konkretë dhe komunistëve të reformuar, tashmë është e sigurt se deri në fund të botës – ose të paktën deri në fund të kësaj pjese të saj – në zgjedhje do të fitojë një lloj i HDZ-së, SDA-së apo VMRO-DPMNE-së, së bashku me mutacionet edhe më të ndryshme dhe radioaktive të komunistëve të reformuar, ndërkaq Serbia e habitshme do të duket si laborator kërkimor nga ku për çdo ditë do të dalin partitë e reja, fytyrat e reja, idetë e reja politike dhe konceptet e reja revolucionare që krejtësisht janë pa kuptim.

    Dhe, pastaj, për çfarë po lodhen për zgjedhjet parlamentare në vitin e largët fantastiko-shkencor 2023; çfarë do të ofrojë Aleksandar Vuçiq – siç thoni ju se quhet ai; me çfarë e sfidon opozita e famshme serbe, më e famshmja nga të gjitha opozitat botërore; cilat janë këto ide të reja politike dhe koncepte të reja revolucionare? A e përparoi Serbia modelin politik suedez-kinez dhe a e vendosi një lloj të komunizmit krejtësisht të ri kapitalist serb, a e zbuloi sekretin e shoqërisë së drejtë të shekullit XXI, një lloj polidespotizmi humanist iluminist absolutist, mos ndoshta në atë kohë të pabesueshme të ndërmjetme u kryqëzua me paradigmën historike majtas-djathtas dhe në përgjithësi me demokracinë klasike parlamentare kështu që e solli, çka di unë, sundimin revolucionar antidemokratik të mendjes së pakicës, apo ndoshta me përparimin e paimagjinueshëm të teknologjisë ishte e para në botë që në kohë reale e prezantoi referendum ad-hoc? Qeveria dhe opozita po debatojnë për çmimet e transportit publik dhe teleportimin falas për pensionistët apo rregullimin kushtetues të së drejtës së lumturisë – si e drejtë themelore e njeriut?

    Jo: temat për të cilat bëhen llom në zgjedhjet në vitin e largët dhe emocionues fantastiko-shkencor 2023, në Republikën e Serbisë, janë serbët e kërcënuar tej Drinit, Perëndim-Lindja, Evropë-Rusia, media, censura, TV Bastija, korrupsioni politik, monopoli njëpartiak, kolona e pestë e pabesë, brutaliteti policor, historia e famshme, konspiracioni botëror kundër serbëve, manjatët vendorë dhe ambasadorët e huaj, e para së gjithash nëna e të gjitha temave – ajo fjala më e shtrenjtë serbe, Kosova.

    Kot pra janë partitë e reja dhe fytyrat e reja, kot janë të tridhjetë e tri vjetët: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, ndërkohë që atje i kanë organizuar gjashtë zgjedhjet e veta parlamentare, me këngën “Oj Kosovë” po luajnë në kualifikueset për kampionatin evropian të futbollit, po performojnë në Eurovizion në Suedi, ndërsa qeveria dhe opozita serbe në këtë dhjetor, ashtu si në vitin 1990, betohen për Kosovën si zemra e Serbisë dhe akuzojnë njëri-tjetrin për shitjen e tokës së shenjtë serbe.

    Dhe, pastaj dhe përsëri, si në vitin 1990 – dhe si në të gjitha zgjedhjet serbe në historinë e botës dhe të shekullit – vjedhjet e zgjedhjeve, fletëvotimet e falsifikuara, studentët në rrugë, bulevardet e bllokuara, kontejnerët e djegur, dhuna e policisë, shkopinjtë, tanket dhe transportuesit, “Shkoni në Kosovë!”, demonstruesit e rrahur dhe të arrestuar dhe në anën tjetër Sinodi i Shenjtë dhe autobusët nga provinca, zonjat me kokat e onduluara dhe pensionistët me fotografitë e Liderit të Madh, [ditorja] Politika si [revista] Zabavnik me posterët e Shën Savës dhe me jehonat dhe me reagimet e serbëve besnikë, pastaj RTS-i vjetër si një Disney Channel.

    Dhe, derisa në pjesën tjetër të Jugosllavisë që prehet në paqe po të njëjtat parti të mërzitshme të viteve 1990 dalin sot në zgjedhje si për kafe – dhe në to, ashtu si gjatë kafesë së mëngjesit kombinojnë dhe organizojnë koalicionet që kanë të bëjnë me emigrantët, korrupsionin, demografinë, eksodin e popullsisë, rezolutat për Ukrainën dhe Palestinën,

    në ndërkohë në Serbinë e re emocionuese, partitë gjithmonë të reja dhe gjithmonë me fytyra të reja dalin për të njëjtat zgjedhje historike të dhjetorit 1990 dhe debatojnë se kush do të jetë si i krishterë dhe si serb më i madh para Kosovës: lideri i opozitës do të hynte në grevë urie për shkak të zgjedhjeve të vjedhura, por nuk mundet sepse besimi e ndalon, ndërsa e vetmja parti që e njeh qartazi realitetin e Kosovës të humbur dhe të pavarur ka marrë saktësisht 0.2 për qind të votave.

    Bota nuk i ka parë tridhjetë e tre vjetët më kot të humbura, qëkur ai lideri i ri aspirant i opozitës nga Betlehemi e la veten të kryqëzohet për një botë më të mirë dhe më të drejtë.

    Lajmi Paraprak

    Wonderful dog

    Lajmi i rradhës

    Turqia një aleat natyral i Shqipërisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë