Shkroi: Sefer Tahiri
Gjykata Kushtetuese e vendit që moti kur janë në pyetje shqiptarët tenton të gjejë “zbrazëtira” në aktin më të lartë juridik të vendit. Kjo gjykatë, ngjashëm si elitat politike maqedonase, gjithmonë ka tentuar që me manovrime gjoja konstitucionaliste të kufizojë të drejtat kolektive të shqiptarëve!
Së fundmi tenton që me anë të formulimeve gjuhësore ta reduktojë statusin e shqiptarëve në pakicë, ndërsa gjuhën e tyre në gjuhë të pakicës.
Kjo është tendencë e moçme e qarqeve të caktuara politike dhe jopolitike, një pjesë e të cilave e instaluar në Akademinë e Arteve dhe Shkencave, të cilat shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vetëm se element konstituiv apo shtetformues nuk mund t’i imagjinojnë! I gjithë investimi i elitës politike dhe kulturore maqedonase bëhet që maqedonasit të ruajnë superioritetin mbi shtetformësimin, ndërsa shqiptarët të mos arrijnë synimin që de jure të bëhen komb shtetformues, pasi de fakto (demografikisht dhe ekonomikisht) dhe me pjesëmarrjen në jetën institucionale, sidomos në qeverisjen e vendit, edhe pse vetëm në aspektin sasior, ofrojnë dëshmi se kanë kapacitet të plotë të jenë të tillë!
Por, pavarësisht narrativëve gjoja shkencore e intelektuale për të portretizuar shqiptarët si pakicë, elitat politike, si në komunizëm, poashtu edhe në demokraci parlamentare, nuk kanë marrë guximin që shqiptarët t’i përkufizojnë si minoritet, për të siguruar supremacinë shtetërore të popullit maqedonas! Është e vërtetë se Kushtetuta dhe rendi i mëparshëm kushtetues shqiptarët i përkufizon/te me status të ndërmjetëm, jo të plotë shtetformues, me status që u garanton rendin e dytë në “hierarkinë” e konstitucionalizmit. Në komunizëm emërtoheshin kombësi, pra jo komb (i rezervuar ekskluzivisht vetëm për maqedonasit), në demokraci, pas pavarësimit njiheshin si nacionalitet, ndërsa pas Marrëveshjes së Ohrit bashkësi / komunitet.
Ndonjëherë mjafton një qëndrim apo pikëpamje për të nxjerrë në pah qasjen e një institucioni që shqiptarët dëshiron dhe ëndërron t’i sheh si pakicë, ndërsa me akrobacione linguistike, semantike e normative synon që të tillë t’i shoh në realitet!
“Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe evropiane për përdorimin e gjuhëve të pakicave në jetën publike, pra në organet shtetërore dhe Institucionet publike?” ka qenë pyetja sugjestive e Gjykatës Kushtetuese drejtuar Komisionit të Venecias, e publikuar nga TV Alsat në prag të nisjes së debatit kushtetues mbi gjuhën shqipe.
Pyetje me koment dhe interpretim kushtetues, që nuk është aspak naive, përkundrazi brenda vetes bart hilen, pasi nënteksti i saj është pezhorativ, nënçmues, përbuzës e diskriminues ndaj shqiptarëve dhe gjuhës së tyre amtare. Kjo pyetje është tendencioze dhe ka objektiv që shqiptarët para Komisionit të Venecias, por edhe faktorit ndërkombëtar t’i prezantojë si pakicë kombëtare, e jo si popull i barabartë me popullin maqedonas, që është synimi historik bashkëkohor i partive shqiptare, që nga viti 1991!
Por, shqiptarët, siç shpjeguam, asnjëherë nuk kanë qenë të emërtuar në aspektin normativ-juridik si pakicë dhe as nuk e kanë vënë në dyshim pranimin e mundshëm të këtij statusi.
Duke parë se shqiptarët e politikës merren me veten, pra me aritmetikë politike dhe parlamentare-elektorale, në stilin “Hyn e dil, Isuf Qamil”, reagimet ndaj kësaj tendence institucionaliste (që në thelb ka bekraund të apostrofuar politik) ishin të vakta. Edhe opinioni publik heshti!
Derisa heshtim, diskursi maqedonas vazhdon të mëtojë trajtimin e shqiptarëve si pakicë dhe apriori edhe gjuhën e tyre si të pakicës, edhe pse zyrtarisht jorezidentë të pranishëm në trojet e tyre autoktone me 29 për qind, e rezidentë 25 për qind!
Jorastësisht ky diskurs sulmues tërthorazi ndaj statusit zyrtar të gjuhës shqipe promovohet dhe nxitet nga Gjykata Kushtetuese. Kushtetuta, sipas Arbër Xhaferrit ishte gjenerator i krizës, pozicion ky që është artikuluar edhe nga Abdurrahman Aliti. Sot këtë rol sikur dëshiron ta marrë Gjykata, e cila në vend që jetë garantuesja e zbatimit të saj, po “luan” me hile ndaj shqiptarëve, duke prejudikuar statusin e shqipes e me këtë duke shprehur botëkuptimin e saj anakronik e abuziv mbi statusin e shqiptarëve! Mendësi e vjetër, e paçliruar nga ëndrra për shtet njëetnik, e formatit “Maqedonia e maqedonasve”!
*Analiza është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.