Gumëzhimë!

    Bletari Fuat Jakupi duke nxjerrë mjaltë nga kosheret e Asel mjaltë sharri / Fotografia: Emir Hamzi

    Bletaria nga këndi i puçës Fuat

    Shkruan: Emir Hamzi

    Dielli po shkëlqente në fushën e puçës Fuat, me gjithë motin e përshtatshëm për bletët. Për të bletët ishin jetë. Më tha që e njohin dhe veshja ‘astronaut’ nuk i bën përshtypje, pasi aq shumë e kishin thumbuar sa nuk shqetësohet me për këtë. Skena e bukur e lëvizjeve të bletëve nuk ishte edhe për mua. Bletët e kishin kohën e kullotjes. Bëzzz…bëzzz, vallëzonin sa andej e këndej, e unë si fotograf frikaman nuk arrita të ndërtoj një relacion kuptimplotë. Mua më duhej vello për t’u mbrojtur nga thumbet, por kot. Prita perëndimin e diellit për disa shkrepje të rastit.

    Fuati 60 vjeçar kultivon bletarinë mbi 10 vite dhe ka qindra familje bletësh. Vera dhe pranvera janë stinët ku ai lëvizë në kërkim të fushave me lule që bletët e tij mund të kullotin nektar. Sot e gjithë familja e tij është e angazhuar në biznesin e mjaltit. Sa pasion, po aq edhe profitabil! Djemtë e tij kujdesen për tre dyqanet e tij në Tetovë dhe në Shkup, ndërsa gruaja dhe nusja e djalit paketojnë kavanozet në shtëpinë e tyre që e kanë shndërruar si punëtori. Mjalt pa hile, sepse ka frikë Zotin dhe ka përgjegjësi.

    -Mjalti ka veti shëruese, njerëzit e marrin për arsye të ndryshme, nuk ma mba ndërgjegjja të bëj hile, thote ai. Ndodh shpesh që bletët t’i ikin në ndonjë vend tjetër, bëjnë koshere, por ai me thurimë i kthen në koshere. Në malet tona njihen 3-4 lloje të mjaltit: e bagremit, gështenjes, livadhit dhe pishës.

      Por puna sipas tij nuk përfundon me verën.

      “Na pret dimër i gjatë dhe ne duhet të kujdesemi për bletët”, tregon puça Fuati.

      Ai thotë se i pëlqen kjo punë. Puna është jo e lehtë, por ai fiton mjaftueshëm për të mbajtur familjen gjatë gjithë vitit. Pjesa më e vështirë ishte fillimi i biznesit, shprehet bletari. Ai shpenzoi shumë kohë dhe para për bletarinë. Duke pasur përvojë dhe me mençuri, ai ka arritur të shes mjaltë edhe gjatë dimrit. ASEL mjaltë sharri tashmë në çdo filxhan të çajit.

      “Nëse nuk do t’i kisha bletët, do të punoja akoma si serving i frigoriferave”, bën shaka me mua. Ndërkohe unë po e pyesja, shkrepja pak para se të mbulojë errësira bahçen.

      U ankua për mbështetjen e vogël që u bën shteti bletarëve. Ai pyet çka nëse nuk do të ketë prodhimtari të mjaltit në vend! Çka nëse vazhdon me këtë moskokçarje të shtetit për bletarinë.

      -Po nuk e kanë gajle ata këtë punë. Shtetit ma kollaj i vjen të importojë mjaltë, se sa ta stimuloje prodhimin vendor, shprehet Fuati.

          E pyeta çka nëse ka vdekshmëri të bletëve te ne!

          -Keni dëgjuar për vdekjen masive të bleteve në botë. Falë Zotit te ne nuk ka ndonjë rritje të vdekshmërise së bletëve. Edhe nëse ndodh që bletët të vdesin në rajonin tonë, ta dini se kjo është për shkak se fermerët po përdorin shumë kimikate në fushat e tyre. Sot, asgjë nuk rritet pa kimikate. Prandaj ta ruajmë bletarinë dhe mjaltin, bën dëm nëse hamë mjaltë artificiale, veç mjaltë mos i thënshin. Shteti duhet të nderhyjë në mënyrë të rreptë, kërkon puça mjekërbardhë.

            Ai shpreson se klima do të lejojë edhe shumë vite të tjera bletari dhe ëndërron për një treg lojal të mjaltit.

            Lajmi Paraprak

            Edhe një shtator si ky!

            Lajmi i rradhës

            Rriten çmimet e shitjes së prodhuesve të produkteve industriale

            Lajme tjera

            Bashkohu

            Informohu në kohë