‘Të manifestojmë’, thotë njëri, ‘edhe me dhunë’, thotë tjetri

    PELLUMB NAKO

    Përdorimi i dhunës i ka bërë shumë më pak dëm njerëzimit sesa bindja ndaj autoritarizmit”, është thënia e një filozofi. Por, megjithatë, vetëm këto fjalë nuk mund të përbëjnë argument për të organizuar manifestime, edhe me dhunë. Mbi të gjitha duhet kuptuar momenti kur merret një vendim i tillë sepse thënia e mësipërme e guximshme nuk nënkupton “dhunë për dhunë”.

    Nëse kthejmë kokën pas dhe shohim ato pak dekada të historisë postdiktatoriale të vendit tonë, shembujt janë të qartë, konkretë dhe të lexueshëm. Madje, të ngjashëm ekstremisht edhe me fenomene të tilla të vërejtura në vende të tjera. Manifestimet masive, të cilat paralizojnë gjithë jetën sociale të një vendi, sigurisht që janë një shembull nga më të shkëlqyeshmit të ushtrimit të forcës nga sovrani për të detyruar pushtetin ilegjitim të tërhiqet. Aktualisht, vendi ynë nuk është për fat të keq në kushte të tilla sociale e për rrjedhim mundësia e një masiviteti në përmasa të mëdha në manifestimet e kërkuara të organizohen nga opozita, duken të pakta për të mos thënë utopike. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që opozita të mos organizojë manifestime. Por ato duhen studiuar mirë, me objektiva të realizueshme dhe të mos jenë objektiv i vetëm i aksionit opozitar. Pra, ka nevojë për një qasje të studiuar mirë para se të hidhen hapat.

    Kjo edhe sepse manifestimet spontane, po aq të frikshme për qeverisjen si ato masive, nuk kanë pranuar në këto vite të përfshijnë brenda tyre opozitën. Ky fakt të dhemb, por i tillë është. Madje, qeverisja e frikësuar, i ka shfrytëzuar për demagogji; që dëgjon popullin kur ka të drejtë. Ndaj manifestuesit duhen motivuar mirë për të mos mbetur në manifestime brenda kuadrit të miliantëve. Nëse gjatë fushatës elektorale, të dy partitë e mëdha përqendruan forcat e tyre për atë që quhet elektorat gri, në rastin e manifestimeve, opozita duhet të synojë të mobilizojë pikërisht këtë shtresë. Po a është e mundur?

    Meqenëse po flasim për elektoratin gri, duke e parë me realizëm, do të konstatonim se përgjithësisht kjo pjesë e shtresave sociale modeste, aktualisht në linja të përgjithshme, ka mendimin se si PD dhe PS janë njëlloj larg pritshmërive dhe interesave të tyre. Kjo, sepse edhe interesat që kërkojnë të realizojnë në përgjithësi, nuk kanë lidhje me idealet sociale, por thjesht me nivelin e të jetuarit duke qenë të prirura për të ndjekur atë që i ofron diçka konkrete. Dhe opozita nuk ka gjë konkrete, përveç idealeve. Të zhgënjyera, këto shtresa nuk kanë asnjë lloj ndjeshmërie për faktin nëse u vodhën ose jo votat e për rrjedhim është mjaft e vështirë t’i mobilizosh në manifestime në emër të një ideali. Pra, para se të zhvillohet një manifestim, duhet që deputetët e opozitës të shkojnë në bazë, atje ku janë votëbesuar personalisht e të flasin me këtë shtresë që në rast se nuk ka mundësi të vijë konkretisht në manifestim, të jetë shpirtërisht me të.

    Nënndarje e shtresës së mësipërme, por më masive, janë banorët e zonave të thella malore, të cilët përjetojnë në numër të madh ndjesinë apo më saktë realitetin e trishtuar të izolimit. Ndryshe nga çfarë mendohet në Tiranë apo në metropol, këto zona nuk vuajnë nga uria apo gjendja e keqe ekonomike. Ata hanë mirë, kanë e të vishen, shtëpi në tërësi dinjitoze, por vetëm kaq. Pak u interesojnë cilësitë sociale të qeverisjes. Ata braktisin fshatin sepse nuk kanë ku të shkollojnë fëmijët në shkollën e mesme, e cila thuajse gjithmonë ndodhet me orë të tëra larg. Ata kanë problemin e rëndë social sepse vajzat zbresin të tëra në qytet dhe ka fshatra të shumtë me numër të madh djemsh që nuk kanë ku martohen. Ata nuk kanë mundësi ku të shesin prodhimet, shpesh vetëm për disa km rrugë. Ata janë të pakënaqur nga qeverisja, por votimi i tyre lidhet pak ose aspak me programet politike të partive, ndaj dhe gjithmonë hedhin votën sipas influencës që ushtrojnë mbi ta lidhjet miqësore, farefisnore, klanike të këtij apo atij kandidati duke u bazuar tek ky nder apo tek ai nder që u është bërë nga personi që u troket në derë për t’u kërkuar votën. Për ta pushteti qendror është diçka mjaft e largët dhe pak duan t’ia dinë për të, ndaj dhe nuk e kanë problem të shesin votën. Kurse pushteti lokal bën kërdinë dhe përgjithësisht i dominon pa përjashtim duke qeverisur nëpërmjet një miksimi të ngurtë pushtet politik me nukël familjar.

    Edhe kjo shtresë e popullsisë vështirë se ndjek pas opozitën në manifestime në emër të luftës për vjedhjen e votave, të PPP-ve, të korrupsionit. Cilësitë sociale të tyre janë nën peshën e kërkesave bazike për të jetuar. Opozita duhet të jetë e pranishme njëlloj si në fushatë e jo duke kaluar në to “si një rrebesh shiu” apo duke recituar, shpesh keq, materiale të parapërgatitura që sulmojnë për të njëmijtën herë, me të njëjta fjalë Kryeministrin.

    Dikush tjetër u shpreh edhe për përdorimin e dhunës në manifestime, sigurisht duke pasur në subkoshiencë variantin e 21 janarit “para partizanë e fësh pas ferrës”. Filozofinë shqiptare të manifestimeve me dhunë e shprehu mjaft qartë një nga krerët qeveritarë në kohën e manifestimeve të PDsë para Parlamentit: “Kot mundoheni të vini vërdallë e të krijoni ndonjë incident. Ne nuk vrasim”./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Viktor Orban i Hungarisë thirr referendumin mbi ligjin anti-LGBTQ

    Lajmi i rradhës

    Një demaskim i vonuar: Katovica, Fazlliçi e të tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë