Hapa të venitur të diplomacisë

    LEONIDHA MËRTIRI

    Ndërsa gjendja në Ukrainë rëndohet nga ora në orë, kur ushtria ruse pritet të hyjë në kryeqytetin e saj, kreu i diplomacisë ruse Lavrov, vazhdon, për ironi, ta shohë qëllimin e agresionit në këtë vend jo për ta pushtuar, por për demilitarizimin e tij. Ambiciet e Vladimir Putinit janë të qarta. Ato shkojnë dhe më tej Ukrainës përballë zërave pothuajse të mekur, deri në humbje të tyre në vendin e vet, në Rusi. Ai u bën thirrje ukrainasve të ngrihen kundër qeverisë së tyre, e cila, sipas tij, vepron si terroriste në mbarë botën. Rrëzimi i qeverisë së Kievit është njëra anë, për ta zëvendësuar atë me një qeveri kukull në duart e Rusisë. Madje, jeta e liderëve kryesorë ka kohë e vënë në shënjestër. Vladimir Putin nuk ndalet. Në këto kushte, ai mbahet për triumfator. E tërë kjo nuk është e papritur. Katërmbëdhjetë vjet më parë, në vitin 2008, ai bëri që Abkhazia dhe Osetia Jugore të shmangin pushtetin gjeorgjian. Gjashtë vjet më vonë, në 2014-ën, i shkëputi po Ukrainës Krimenë, sikundër po bën tani me rajonet e Donetskut dhe Luhanskit dhe me gjithë Ukrainën.

    Putinit, për këtë të fundit, duket se i ka lënë dorë të lirë dhe qëndrimi jounik i Perëndimit në ndërmarrjen e masave ndaj Rusisë. Europa, në veçanti, është në hullinë e këtij qëndrimi, tepër e vonuar, teksa ditët e fundit filloi të flitet që Rusia të përballej me sanksione. I ashtuquajturi neutralitet i Zvicrës, për shembull, në momente tepër të vështira për Ukrainën, bënte fjalë për të kundërtën, përderisa bankat zvicerane vazhdojnë ende të mbajnë hapur tej për tej kanatet për xhirollogaritë e rusëve, qofshin këta në udhëheqje të vendit apo oligarkë të njohur e të panjohur.

    Turqia, thirrjes së Ukrainës për të mos lejuar kalimin e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi, iu përgjigj përmes ministrit të Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, se po e studionte këtë kërkesë, e cila përsëri nuk u mor në konsideratë, duke pohuar ndërkohë që, sipas Konventës, Rusia ka të drejtë t’i kthejë anijet në Detin e Zi. Por, ç’konventë qenka atëherë kjo e Putinit, që ka të sanksionuar pushtimin e Ukrainës apo të shkojë dhe më tutje?! Edhe në këto momente, kur situata në Ukrainë bëhet dhe më e ndezur nga ora në orë, diskutohet se sa Konventa e Montreux e vitit 1936, ku nënvizohet edhe kontrolli turk i ngushticave, lejon për raste të tilla mbylljen e Bosforit dhe të Dardaneleve.

    Diplomacia që ka rolin e saj në negocimin me Putinin, ka treguar pafuqi të dukshme me hapat e saj të venitur, mbetur më tepër në përsëritjen e konfirmimit të “mbështetjes së palëkundur” për Ukrainën, që “Rusia të ulë tensionet”. Naivitet apo mungesë dëshire për të mbajtur qëndrimin që kërkohet?

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka qenë gjatë kësaj kohe më afër Vladimir Putinit. Sikurse edhe përpjekjet e Presidentit gjerman, Olaf Scholz. Por dhe këto, siç mund të gjykohet, janë dukur të lëkundura. Vetëm në orët e fundit, Gjermania, ky shtet i fuqishëm, vendosi të reflektojë ndaj sanksioneve ekonomiko-financiare, deri në furnizimin me armë. E tha qartë, pa ekuivokë, në Bundestag, kreu i opozitës gjermane: “Jemi të turpëruar që Ukrainën nuk e kemi ndihmuar më herët”

    Edhe pse Ukraina përgjaket, përballë kësaj kasaphane ka vende në Europë larg qëndrimeve të prera. Pa folur për qëndrime edhe më të çuditshme, si ato të Serbisë, e cila, sikundër vërehet dhe pritej, mban flamurin e mosdënimit të Rusisë, mburojës së saj. Aleksandër Vuçiç, i “Ballkanit të hapur”, dhe qeveria e tij kanë vendosur të mos pranojnë propozimin e Bashkimit Europian për mosdënimin e agresionit rus dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Gjithçka e njohur. Serbia është e gatshme të mënjanojë Brukselin dhe të mbetet në krahët e Moskës. Apo, tek e fundit, një dorë në revani dhe tjetrën në bakllava.

    Krijohet me të drejtë përshtypja e një Europe apo Perëndimi të trembur, që, dashur pa dashur, i rritin vendosmërinë Putinit në realizimin e synimeve të njohura të tij. Liderët guximtarë nuk kanë munguar në kohë të ndryshme. Apo kësaj kohe i mungojnë realisht ata?

    Ndërkohë, duket i pabesueshëm qëndrimi i mefshtë, i deritanishëm i NATOs, krahas atij të njohur, të BE-së. Historia e NATO-s ka ç’na mëson si histori suksesesh, duke folur për veprimtarinë e saj. Populli ukrainas ka pritur dhe pret nga Aleanca Atlantike, ashtu siç e ka shprehur aspiratën e vet për të qenë vend anëtar i kësaj Aleance. Një pritje që do t’i kushtonte jo pak. Në takimin në Riga, tre muaj më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, paralajmëronte se çdo agresion i ardhshëm rus kundër Ukrainës do të kishte një çmim të lartë dhe do të ishte me pasoja politike dhe ekonomike për Rusinë. Por retorikat asgjë nuk ndryshojnë, qofshin këto të mbushura me “mbështetje”, “mesazhe”. Ukraina, me gjithë rezistencën e vet, e ka tepër të vështirë t’i bëjë ballë e vetme këtij agresioni. NATO, çuditërisht, duket me fuqi disi të shterura. BE-ja, sikurse thamë, por dhe siç pohon Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po e linte deri vonë vendin e tij-të vetëm në këtë betejë të përgjakshme. I vonuar, Bashkimi Europian u kujtua se duhej t’i gjendej afër Ukrainës. Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për shkak të vetos ruse, nuk miratoi dot një rezolutë, ku të dënohet ajo çka po ndodh me Rusinë. Edhe pse disa vende filluan mbylljen e hapësirave ajrore për Rusinë, furnizimin me armë, pyetja që të lind bëhet legjitime: Çfarë neutraliteti do të ruhet më tej nga disa prej tyre në këtë kohë sulmi ushtarak rus ndaj një vendi sovran, pavarësisht pasojave në ekonomitë e këtyre vendeve?

    Deri në ditët e fundit, Ukraina dukej pa mbështetjen e nevojshme serioze, teksa një e treta e ushtrisë ruse është në këtë vend. Zgjimi i vonuar i mjaft vendeve të Perëndimit, kërkon të mos mbyllen sytë apo të tulaten ato. Kjo dhe për faktin që vetë ukrainasit, duke filluar nga i pari i shtetit, PSresidenti, deri te qytetarët e thjeshtë, me guximin dhe vetëmohimin për mbrojtjen e Ukrainës së tyre, po i bëjnë dhe këto vende të reflektojnë aktualisht ndaj agresionit rus, pavarësisht marrëdhënieve me Putinin. Diplomacia perëndimore ka marrë goditjen e duhur nga pafuqia e saj, por edhe mësimin e nevojshëm nga mungesa e një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme. Tashmë është koha për veprim konkret. Ukraina vazhdon të përgjaket. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Simovski: Regjistrim i popullsisë, rezultatet në fund të marsit

    Lajmi i rradhës

    KSI me masa lehtësuese kundër Covid-19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë