REDI SHEHU
Është gjithmonë problem për një politikan kur aktivitetin e vet, pushtetin apo administrimin e institucioneve nuk i shikon me syrin e ikjes. Është problem kur, që në çastin e fitores politike, nuk e sheh realitetin me syrin e ikjes.
Dallimi mes një politikani civil dhe atij tribal është se, që në momentin e fitores, i pari mendon se si të ikë me nder, ndërsa politikani tribal, edhe kur ikën, mendon se si të fitojë pa nder. Dallimi qëndron te përgjegjësia civile, e cila përkthehet në përgjegjësi politike. I pari e njeh këtë përgjegjësi dhe vepron në përputhje me të; i dyti, edhe pse e njeh, abuzon me të. Për fatin tonë të keq, politikani tribal ka qenë modeli i tranzicionit tonë, ai është kthyer në një model ekskluziv pushteti, një model tranzicional i cili nuk mbërrin kurrë në destinacion, i cili qëndron aty e përveç vetes shikon të tjerët me syrin e ikjes, sepse destinacioni i tij nuk është demokracia. Është pushteti.
Që nga viti 2013, kur kjo mazhorancë socialiste me në krye Edi Ramën fituan zgjedhjet e “një milion shuplakave” ndaj një lideri tjetër tribal, jo vetëm që nuk e pa kurrë këtë besim popullor me syrin e ikjes, por edhe tronditjet e mëdha që kanë shoqëruar pushtetin e saj — nga Saimir Tahiri te Lefter Koka, nga Alqi Bllako te Vangjush Dako, nga Arben Ahmetaj te Ilir Beqaj, nga Jurgis Çyrbja te Erion Veliaj, nga Belinda Balluku te Vlora Hyseni — janë servirur si mundësi, madje si dëshmi e një pushteti që po lufton korrupsionin. Në këtë logjikë, nuk ka më rëndësi ngjarja dhe as përgjegjësia politike, rëndësi ka vazhdimësia e pushtetit dhe bindja se: “askush dhe asgjë nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”. E këtu jemi pastaj në atë pikë sa “rastësia” kërkon më shumë “rastësi”, deri kur përjashtimet nga rregulli shumohen, e kur ato shumohen, atëherë duhet shqyrtuar vetë rregulli.
Askush sot nuk është në gjendje që të përcaktojë, pas 13 vitesh në pushtet, se sa raste figurash politike të zgjedhura, të emëruara dhe të promovuara nga vetë kryeministri Rama, do të duhen të mbushin faqet e para të mediave derisa “përgjegjësia individuale” të shndërrohet në përgjegjësi politike të vetë sistemit dhe kreut që i ka përzgjedhur këta njerëz. Përpjekja për të ndarë Kryeministrin Rama nga administrata e tij, se gjoja të gjitha problemet dhe keqqeverisja janë shkaktuar nga mosfunksionimi i administratës publike, është alibia më qesharake. Nuk është as edhe politike si tezë. Është në kufijtë e provincializmit tribal.
Domethënë, për këtë arsye Rama papritmas, vetëm pas 13 vitesh në pushtet, zbuloi se duhet një “Besë” me shqiptarët. Sa herë që në Shqipëri ka pasur protesta qytetare apo studentore — se ato partiaket i ka shumë qejf ai — aq herë Rama është distancuar nga vetvetja. Gjithmonë fajin e ka pasur administrata e tij dhe kurrë ai. Bile ai ka shpejtuar të jetë me protestuesit në shesh kundra vetë Ramës. Edhe në protestën e fundit ai u bë me flamingot. Ndërsa kur skandalet e njerëzve të tij mbulojnë mediat, ai distancohet dhe në ndihmë i vjen dardha. Problemi është se aq shumë dardha e kumbulla po fermentohen, sa tashmë janë bërë një reçel i mykur e toksik. Ka një rregull i cili na mëson se si të ndajmë rastet individuale dhe sporadike të korrupsionit me një sistem të tërë korruptiv që përfundon me kapjen e shtetit.
Është kur fenomeni bëhet i vazhdueshëm, sistematik e pastaj bëhet sistemik duke lëvizur gjithmonë e më lart në piramidën shtetërore. Në këtë rast nuk funksionon alibia se përgjegjësia është personale, sepse shtrirja e gjatë në kohë dhe numri i madh i rasteve në nivele të larta, ngrenë pyetje të tipit: Cilat janë mekanizmat e parandalimit që qeveria ndërmori pasi skandalet u bënë publike? Çfarë bënë institucionet e kontrollit? A u reformuan procedurat e përzgjedhjes së figurave politike? Përse për 13 vjet natyra e skandalit është pothuaj e njëjtë? Të mos dish gjë, aq më tepër duke qenë kryeministër, është më e rëndë se të jesh bashkëpunëtor në skandal, sepse ai që bashkëpunon ka thyer një herë ligjin, ndërsa ai që nuk di gjë e ka thyer disa herë atë.
Padijenia ka gjithmonë një autor. “Nuk e dija” është më e rëndë sepse të ngarkon me përgjegjësinë e tipit: “përse nuk e dite?” dhe pastaj, “çfarë sistemi kishe ndërtuar që të lejoi të mos e dije?”. Padijenia kthehet vetë subjekt i llogaridhënies e për pasojë kthehet në faj politik. Në të gjitha rastet e përgjegjësive institucionale, publike apo private qofshin ato, përgjegjësia ndjek rrugën e hierarkisë duke mbërritur në majë, aty ku problemi duhej të eliminohet. Në çdo hierarki përgjegjësia ngjitet lart, vetëm në Shqipëri, kur arrin pranë majës, ajo papritur bëhet personale. Ky është problemi i një pushteti që nuk e sheh veten me syrin e ikjes, për shkak se me kalimin e kohës, fillon ta shohë shtetin me syrin e pronarit.
Nëse Kushtetuta i ngarkon Kryeministrit kontrollin e punës së ministrave, deri ku mund të përdoret politikisht “nuk e dija” si shfajësim, sepse është normale që në një demokraci përgjegjësia të ndjekë rrugën e hierarkisë, jo vetëm të autorit, por edhe të pushtetit që e ka për detyrë të kontrollojë e të parandalojë. Precedenti se padijenia është pafajësi është i rrezikshëm për modelin se si ne kemi ndërtuar shtetin tonë. E kemi lënë krimin vetëm individual, ndërsa përgjegjësinë e funksionimit të shtetit e kemi lënë jetime. Pas skandalit të parë zakonisht kërkohet autori, por pas të dhjetit kërkohet sistemi që lejoi të njëmbëdhjetin.
E këtu, me të drejtë, mund të mendojmë se padijenia pranohet për një ose dy raste, por jo kur skandali bëhet vetë sistemi. Sa herë mund të mos dijë një Kryeministër para se mosdija të pushojë së qenuri një shpjegim? Si mund të mos dijë një Kryeministër me pushtet të gjatë dhe të centralizuar informacioni? Të mos njohësh mënyrën e funksionimit të pushtetit që vetë ke ndërtuar, kësaj i thonë paaftësi.
Me shfajësimin e Kryeministrit deduktojmë se çdo sukses i qeverisë është produkt i lidershipit, ndërsa çdo skandal pushteti është produkt ekskluziv i individit. Pra, në suksese jemi arkitektët e tij, ndërsa në skandale jemi thjesht kalimtarë të rastit. Jo, nuk është ashtu! Por kur modeli korruptiv përsëritet me vite, dyshimi zhvendoset nga personi te mekanizmi që e prodhon atë. Atëherë duhet të shikosh arkitekturën e pushtetit, e kjo e fundit e ka gjithmonë një arkitekt politik. Panorama




