Eksperiment social: Si sillen gratë dhe burrat gjatë një krize madhore

    A u shndërrua bllokimi i parë për shkak të koronavirusit në një “reality show” gjigant? Shkencëtarët në Austri thonë se karantina që imponoi Covid-19, u dha atyre mundësinë të kryenin një “eksperiment social të drejtpërdrejtë”, duke zbuluar se burrat dhe gratë sillen shumë ndryshe gjatë një pandemie.

    Studimi zbuloi se gjatë një krize, gratë kanë tendencën të bëjnë telefonata dukshëm më të gjata, dhe të ndjekin më shumë masat e qeverisë sesa burrat. Ndërkohës burrat kanë më pak gjasa të pranojnë kufizime në lëvizjen e tyre për shkak të masave të bllokimit, dhe priren të rikthehen më shpejt në normalitet sesa gratë.

    Ekspertët e Complexity Science Hub Vienna (CSH), thonë se këto modele klishe të sjelljes u shfaqën gjatë bllokimeve të para të Covid-19 në pranverën e vitit 2020. Duke përdorur të dhënat nga bllokimi i parë, studiuesit vlerësuan të dhënat e telefonave celularë nga 1.2 milion austriakë, midis shkurtit dhe qershorit të vitit të kaluar.

    “Mbyllja totale e jetës publike, ishte si një eksperiment i gjallë mbi gjithë popullatën”- thotë studiuesi Tobias Reish. Në atë kohë, CSH pati qasje tek të dhënat e një kompanie të madhe e shërbimit celular në Austri, të cilat shkencëtarët i përdorën për të vëzhguar sjelljen e lëvizshmërisë sociale të njerëzve.

    “Ne ishim të interesuar mbi nivelin në të cilën njerëzit i mbështetën masat anti-Covid të vendosura nga qeveria. Kur analizuam të dhënat sipas gjinisë, gjetëm ndryshime çuditërisht të forta në sjellje midis burrave dhe grave”-thekson ai.

    Gjetjet e këtij studimi, zbulojnë se njerëzit në përgjithësi bënin telefonata shumë më të gjata menjëherë pas fillimit të bllokimit. “Ata biseduan me më pak njerëz se sa zakonisht, por folën më gjatë”-thekson Reish. Pasi filloi bllokimi i parë në Austri në 16 mars 2020, thirrjet telefonike nga gratë drejt grave të tjera, ishin 1.5 herë më shumë se sa para pandemisë. Ndërkohë thirrjet telefonike nga burrat tek gratë zgjatën gati dy herë më shumë. Po ashtu studimi zbuloi se kur gratë u telefononin burrave, ata flisnin në telefon për një kohëzgjatje 80 për qind më të madhe, ndërsa kohëzgjatja e telefonatave midis burrave u rrit me 66 për qind.

    “Sigurisht, ne nuk e dimë përmbajtjen apo qëllimin e këtyre telefonatave. Megjithatë, literatura nga shkencat shoqërore sigurojnë dëshmi, kryesisht nga sondazhe të vogla apo intervista, se gratë kanë tendencën të zgjedhin strategji më aktive për të përballuar stresin, sikurse është biseda me të tjerët. Studimi ynë e konfirmon këtë”- vëren Georg Heiler, një studiues në CSH dhe Universitetin e Teknologjisë në Vjenë.

    Ndërkohë, ekipi zbuloi se dallimet sociale ekzistuese midis burrave dhe grave, u përforcuan më shumë nga bllokimi, me gratë që dilnin jashtë shumë më pak se sa burrat. Duke përdorur të dhëna nga një zonë e madhe rekreative dhe një qendër tregtare në Vjenë, studiuesit zbuluan se më shumë burra sesa gra i vizituan që të dyja zonat gjatë bllokimit. Ekipi i CSH, vuri re se burrat u rikthyen më shpejt në jetën dhe modelet e tyre të sjelljes para pandemisë. / StudyFinds /

    Lajmi Paraprak

    “Ohana do të thotë familje dhe në familje askush nuk lihet prapa dhe as nuk harrohet”

    Lajmi i rradhës

    Brazil, zhvillohet protestë kundër presidentit Bolsonaro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë