Ideologjia e “Foltores” dhe e djathta

    Foto: ABC News24

    FITIM ZEKTHI*

    Në Partinë Demokratike ka shpërthyer një luftë e ashpër, irracionale dhe shumë e ngarkuar, aq sa është e pamundur të thuash diçka për atë që po ndodh në PD dhe të mos shihesh si domosdoshmërisht në shërbim të një pale.

    Subjektivizmi, në fakt, është tipar dominues i epokës së sotme. Mendimtarë të ndryshëm thonë se subjektivizmi kthehet në një sëmundje aq të keqe sa njeriu që kundron një trëndafil mund të mendojë se trëndafili nuk ekziston, por është pasojë e nervit optik që e bën të duket.

    Po ashtu, njerëzit prej shumë kohësh kanë nisur të shpjegojnë veten nëpërmjet së paku dy pikëpamjeve të mëdha bazë: marksizmit dhe frojdizmit. Marksizmi thotë se njerëzit ekzistojnë si anëtarë të një klase ekonomike, ndërsa frojdizmi thotë se njerëzit ekzistojnë si “tufë kompleksesh”. Sipas frojdistëve, në qoftë se dikush mendon se ta zëmë mbretëresha Geraldinë ishte një mbretëreshë e mrekullueshme, atëherë ai vuan nga kompleksi i nënës, ndërsa për marksistët, në qoftë se dikush mendon se ekonomia ka nevojë për ulje taksash apo diç tjetër, ai e bën këtë sepse i përket borgjezisë apo një klase tjetër ekonomike. C. S. Lewis, një filozof i njohur, ka përdorur i pari fjalën bulverizëm për të shpjeguar këtë mënyrë të shëmtuar të shkatërrimit të njohjes.

    Personazhi i tij, Bulver, kur i thotë së shoqes se dy brinjë të një trekëndëshi janë më të mëdha se brinja e tretë, ajo i përgjigjet se “ti mendon kështu ngaqë je burrë”. Pavarësisht kësaj, debati në PD është një çështje e rëndësishme publike dhe kësisoj çdo bulverizëm do të ishte i vogël para nevojës për të folur për këtë debat.

    Po ta shohësh nga jashtë dhe po të mos e dish që PD është një parti e vendosur në të djathtë të spektrit, do të mendoje se lëvizja e quajtur “Foltorja”, e nisur nga zoti Berisha, i përket një segmenti thellësisht të majtë, komunist ose të majtë liberal. Duket si kontradiktore po të dëgjosh se lëvizja Foltorja flet për konservatorizëm ndërkohë që është kaq e majtë.

    “Foltorja” nisi në momentin që kryetari i PD-së, Basha, pezulloi nga grupi i deputetëve të PD-së ish-kryetarin Berisha duke iu përgjigjur një kërkese të qeverisë amerikane që e kishte shpallur atë “non grata”. Menjëherë u fol për shkatërrim të PD-së dhe vlerave të saj, u fol për kryetar peng apo kryetar të thyer, u fol për shitje të vendit dhe të PD-së, u kërkua largimi i kryetarit Basha etj.

    Shumë njerëz të rëndësishëm në “Foltore” me në krye zotin Berisha adoptuan një gjuhë linçuese duke shkuar deri në sulme personale ndaj kryetarit Basha, ndaj sekretarit të përgjithshëm, ndaj nënkryetarëve të PD-së dhe deri ndaj kujtdo që nuk mendonte si “Foltorja”.

    “Foltorja” u bë një gjenerator inati dhe zemërimi, sharjesh dhe sajesash me qëllim asgjësimin, dorëzimin apo heshtjen e kritikës. Kishte dhe ka për “Foltoren” vetëm një të vërtetë. Ajo që thotë “Foltorja” konsiderohet e parrëzueshme, e paprekshme, e vërtetë fundore. Kush e kritikon është i shitur, i pamoral, i shërben humbësit, paguhet nga ai etj. Shkurt ndodhi tipikisht ajo qe ndodh me ideologji te tilla. Socialistët e të gjitha llojeve, që nga liberalët deri te komunistët, janë të motivuar nga nevoja të fuqishme të egove të tyre, nevojë për pushtet, nevojë për vëmendje, për famë, për vlerësim etj. John Ray, ndoshta një nga studiuesit më të mëdhenj të psikologjisë së të majtës, thotë se kjo “nevojë dramatike i ka shtyrë ata tek idetë politike që i zgjedhin apo i ndërrojnë sipas rastit, te veprime politike që i nisin kur duan ata dhe vetëm për arsyet që duan ata”.

    Te mbështetësit e “Foltores”, te gjuha e përdorur, te mënyra se si vrapuan të nisin lëvizjen për “Një PD më të hapur, më të lirë, më demokratike” sapo u mor vendimi për pezullim të Berishës nga grupi i deputetëve, u vu re ky tipar i së majtës, tipar i cili në regjime të tjera politike prodhon prerje kokash, gjyqe dhe kampe internimi.

    Luftërat e brendshme brenda së majtës janë ekstreme. E djathta ka një qasje tjetër, për të djathtën nuk është gjithçka pushtet, nuk është gjithçka politikë. Irving Babbit thotë se karakteristika më fisnike e njeriut është “vullneti për vetëpërmbajtje” dhe nga kjo karakteristikë nis e ndërtohet gjithë teoria politike mbi të djathtën.

    Ai, si Edmund Burke më herët, e pranon se ekzistenca shoqërore kërkon kontroll mbi dëshirat dhe mbi impulset e se liria e vërtetë gjendet pikërisht te ky vetëkontroll. Për fat të keq, një mendim tjetër u përhap fuqimisht në Europë dhe botë që në atë kohë, ai me në qendër idetë e Rusoit, duke ushqyer kënaqjen e dëshirave dhe nevojave. Nga kjo ide lindi e majta, lindi egoja si shtysë e vetme e përvijimit të veprimit politik. Sipas Irving Babbit, kemi dy kategori që përcaktojnë një sjellje apo qëndrim të majtë dhe të djathtë: imagjinatën idilike dhe atë morale. Imagjinata morale që udhëheq qasjen e djathtë, ka të bëjë me përpjekjen njerëzore për të bërë ligje dhe për t’u sjellë sa më afër asaj që kërkon Zoti. Imagjinata idilike flet për boten  si vend realizimi të dëshirave dhe nevojave, si vend i kënaqjes së egos.

    Një i djathtë kësisoj sillet më me përunjësi, është pro përkufizimit tradicional të familjes, rreket ta bëjë sa më të pamundur alkoolin, kumarin, është kundër prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore, përdorimit të të gjitha llojeve të drogërave, mbështet nënat e reja dhe familjet me shumë fëmijë, është pro arsimimit cilësor përballë arsimimit masiv. Te mbështetësit e “Foltores” në tërësi, te z. Berisha në krye të saj, te shumica e atyre që ishin kundër Bashës, nuk u vu re asnjë shenjë e këtyre tipareve të së djathtës, nuk u pa asnjë virtyt që duhet të karakterizojë një të djathtë.

    Aty u pa vetëm ngarkesë deri në urrejtje, u pa inat dhe zemërim për shkak të mosqenies në listat e deputetëve. Më mjerim për një sjellje të djathtë sesa kaq nuk ka, sikurse nuk ka celebrim më të madh të së majtës. Dukej, për disa në “Foltore”, se mezi e kishin pritur këtë rast për të nisur luftën ndaj kryetarit të PDsë. Këtu nuk është asfare çështja e kryetarit Lulzim Basha. Kjo është gjëja më e fundit që ka rëndësi. Rëndësi ka fakti që Partia Demokratike është përballë një lëvizjeje të majtë, që ka vetëm të vërtetën e saj, që nuk pranon asgjë si të vërtetë veç asaj që thotë ajo, që rregullat i interpreton dhe kupton vetëm ajo dhe askush nuk ka të drejtë të kuptojë ndryshe nga ajo asnjë rregull. Për këtë lëvizje, asnjë institucion nuk është i ligjshëm kur nuk do ajo dhe është i ligjshëm ai që do ajo. Nuk duket në këtë lëvizje asgjë prej idesh dhe njerëzish të djathtë, njerëzish që i shqetëson gjendja e rëndë e vendit, skamja dhe mizerja jo vetëm materiale që i ka pllakosur njerëzit.

    Për të djathtën, për konservatoren virtyti i parë është prudenca që ka të bëjë me kujdesin dhe maturinë, me gjuhën përafruese, me sjelljen e përunjur, me vetëdijen se askush nuk të drejtën absolute, se gjithkush mund të ketë po aq të drejtë sa ti vetë. Prudenca, thotë Ibn Rushdiu, bën njeriun dhe botën, ndërsa Shën Agustini më herët thoshte se pa prudencë çdo virtyt tjetër si drejtësia dhe kuraja janë të pavlera, madje përdoren vetëm për qëllime personale dhe janë shkatërrimtare.

    Kjo është një mbrojtje ndaj asaj çfarë duhet të jetë e djathta, ndaj asaj se çfarë duhet të regëtijë në gjakun apo dejtë e një të djathti. Basha është shumë më pak sesa PD dhe sesa e djathta, ai është një kryetar kalimtar. Kalimtarë kanë qenë Thatcher apo Reagan, Kohl apo De Gol, Berisha apo Selami dhe kështu do të jetë edhe Basha. Grupi i kundërshtarëve të Bashës duhet ta përkufizonte veten dhe veprimin e tyre nga imagjinata morale. Kështu ata do t’i shërbenin PD-së dhe kështu ata do ta largonin Bashën ose drejtonin PD me Bashën. Nga një pikëpamje e djathtë, vesi apo mëkati shoqëron njeriun, por edhe njeriu me vese mund të luftojë për vendin e tij.

    Nga një pikëpamje e majtë, vesi nuk është fare i tillë (pra nuk ka ves), ose njeriu nuk është përgjegjës për të. Rëndësi ka ndjekja e dëshirave apo nevojave. Njerëzit nuk ndahen nga vesi ose veset, por nga qëndrimi ndaj tyre. Thirrjet që të jemi të gjithë bashkë, që të mos përçahemi, që gjithkush është i nevojshëm etj., janë slogane, ato nuk të çojnë askund. Foltorja e përdor këtë gjuhë për sy faqe. Edhe në anën e mbështetësve të Bashës ka njerëz që kanë të njëjtën qasje, shtyhen vetëm nga ndjekja e dëshirave dhe janë njësoj si kundërshtarët, pavarësisht anës përballë ku gjenden. Thirrja duhet të jetë që të gjithë të kthehen te vlerat e së djathtës, te përunjësia, “vullneti për frenim”, vetëpërmbajtja. Pastrimi nga të majtët dhe e majta është i domosdoshëm.

    Le të kritikojnë, a fund, por jo mbi këto kritere, por nga dashuria për të djathtën. Që ta bësh këtë, duhet të kesh bindje të tilla dhe të jetosh si i tillë. Ish-Kryeministrja Thatcher thoshte se bindja jote është mendimi yt, mendimi yt veprimi yt, veprimi yt është fati yt. Vendi ka më shumë nevojë për një parti të djathtë prej qendrës deri te konservatorët socialë. Një parti e madhe, të majtësh, liberalësh të majtë, njerëzish që nuk kanë ndonjë afeksion për ish-të përndjekurit, njerëzish që në memorien e tyre nuk kanë asgjë që iu dhemb nga gjenocidi komunist apo nga prania e kaq shumë sigurimsave dhe njerëzve të regjimit të vjetër në politikë, nuk i duhet vendit edhe sikur të vijë që nesër në pushtet, edhe sikur ta rrëzojë Bashën që nesër. Në vitin 1913, ishPresidenti Tedy Roosvelt kërkoi të emërohej nga Partia Republikane si kandidat për President, megjithëse kishte qenë për dy mandate President. Veç kësaj në detyrë  ishte William Taft.

    Elihu Root dhe Henry Cabot Lodge, dy nga njerëzit më të fuqishëm në Partinë Republikane dhe dy nga miqtë më të mëdhenj të Roosveltit, u bashkuan me Presidentin Taft. Ata i thanë Presidentit Roosvelt që ndonëse “kopsën e tij të xhaketës e donin më shumë se Taftin”, ishin me Taftin. Roosvelt ishte zhvendosur me bindjet e tij majtas në atë kohë dhe kështu do të dëmtonte Partinë Republikane. Në konventë u bë një luftë e vërtetë dhe nominimin e fitoi Taft, i cili u mund në zgjedhje nga Presidenti Willson, pasi edhe Roosvelt kandidoi si i pavarur nga inati.

    Studiuesit thonë se kjo ngjarje vërtet e çoi në opozitë Partinë Republikane, por e shpëtoi atë përfundimisht nga animi drejt së majtës. Le të shpresojmë që PD do të jetë një parti e mirë e djathtë, jo për të ardhur në pushtet, por sepse i duhet vendit./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mirë Doktori, po Rama përse e urren Lulzim Bashën

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi nuk e merr seriozisht rritjen e çmimeve të ushqimeve

    Lajme tjera

    100 vjet më pas

    LEONARD DEMI Më 25 shtator, në Itali, do të mbahen zgjedhjet politike të parakohshme. Në krye të sondazheve vazhdon…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë