Integrimi i Shqipërisë dhe dyndja e amerikanëve në Europë

    PËLLUMB NAKO 

    Emigracioni i qytetarëve të vendeve të varfra tashmë nuk përbën lajm, madje shpesh fenomeni është kthyer në një problem shqetësues për institucionet dhe për publikun e gjerë të vendeve të destinacionit. Në tërësi gjuha e përdorur publikisht nga gjithë aktorët politikë e më gjerë të të gjitha vendeve është e njëjtë. Ajo evidenton se fakti shtytës madhor i fenomenit të emigracionit është varfëria ekonomike ndaj dhe natyrshëm orientohet drejt vendeve më të pasura.

    Një pohim i tillë është korrekt, por jo gjithëpërfshirës. Aktualisht konstatohen edhe lëvizje migratore të konsiderueshme, që nuk bien në sy për faktin se nuk zhvillohen sipas motiveve të mësipërme, pra për arsye vetëm e thjesht ekonomike. Më konkretisht, tendenca e motivuar ndryshe nga shkaqe si më sipër ka të bëjë me emigracionin e pazhurmshëm të mjaft shtetasve amerikanë drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Një zhvendosje e tillë, kaq specifike është pra treguesi më konkret se motivi për emigracion nuk qëndron vetëm te fakti se mjaft vende të Evropës Perëndimore janë të pasura.

    Kjo sepse shtetasit amerikanë në tërësinë e tyre janë mjaft të pasur. Po ashtu, vetë SHBA është shtet po ashtu i pasur dhe në këtë kontekst mjafton të përmendet thënia e dikurshme “Endra amerikane”. E megjithatë, amerikanët e dekadave të fundit kanë filluar të zhvendosen në numër jo të paktë, gjithmonë e në rritje drejt vendeve kult të Evropës. Pra, trendi është në rritje.

    Sipas disa statistikave të botuara në një artikull të “The Ekonomist” të datës 28 gusht 2023 rezulton se në vitin 2013 në Gjermani ishin rezidentë rreth 100 mijë qytetarë amerikanë, kurse në vitin 2022 ky numër shkoi në 120 mijë. Për të njëjtin vit, ky numër në Britani ishte 137 mijë dhe në vitin 2021, që përbën vlerësimin e fundit, numri në fjalë u rrit në 166 mijë shtetas amerikanë. Në Spanjë nga 20 mijë, në 34 mijë, në Holandë nga 15 mijë, në 24 mijë. Portugalia ka 10 mijë, shifër që përbën trefishin e asaj të regjistruar më 2013-ën. Rritje më të moderuar ka regjistruar Franca dhe vendet nordike. Sigurisht numrin më të madh e mban Britania për arsyet që janë të njohura, sidomos gjuha. Pyetja më e thjeshtë që të vjen ndërmend është se cilat janë arsyet e këtij emigracioni.

    Çfarë u mungon amerikanëve në vendin e tyre dhe e gjejnë në vendet e Evropës Perëndimore? Këtu nuk bëhet fjalë për motive të lidhura me mungesa në tregun e punës, pasi oferta pune në SHBA ka me shumicë dhe me shumëllojshmëri të jashtëzakonshme. Po ashtu, nuk bëhet fjalë për standard mirëqenieje në kërkim të pagave më të mira, pasi pagat në SHBA janë të larta. Pra, këto dy shkaqe nuk mund të jenë motivi i kësaj zhvendosjeje me tendencë të dukshme në rritje. Ndërkohë del pyetja tjetër se ku lidhet ky fakt me Shqipërinë.

    Në thelb emigracioni i mësipërm motivohet nga disa karakteristika mjaft pozitive, që funksionojnë në përfitim të ta gjithë shtresave sociale të vendeve të Evropës Perëndimore, të cilat nuk janë në të njëjtin nivel në SHBA-të. Kurse në Shqipëri ato mungojnë tmerrësisht si pasojë e politikave antisociale të qeverive me radhë. Bëhet fjalë për drejtësinë e tyre sociale, për mënyrën se si janë ndërtuar e funksionojnë institucionet e vendimmarrjes politike si dhe më konkretisht, cilësia e lartë e funksionimit të disa shërbime publike parësore të këtyre vendeve, që i bën qytetarët e tyre të ndihen më të sigurt.

    Sigurisht, drejtësia sociale e tyre nuk mbetet në kuadrin e diskurseve politike e publike duke marrë karakter demagogjik, por përbën aksionin kryesor politik të të gjitha qeverive të majta ose të djathta. Qeveritë e vendeve të Evropës Perëndimore investojnë shumë në mënyrë direkte për zbutjen e varfërisë dhe të pabarazisë së shtresave të ndryshme sociale, duke reduktuar varfërinë dhe duke krijuar një kohezion social larg polarizimit shoqëror. Politika të tilla kanë bërë që në thelb, vendet e Evropës Perëndimore të kenë nivelin më të ulët në pabarazinë sociale. Ndërkohë sipas vlerësimeve të “The Ekonomist”, ky nivel në SHBA është më i lartë. Amerikanët e admirojnë shkallën e ulët të pabarazisë sociale, që ekziston në Evropën Perëndimore.

    Investimet direkte në mirëqenien sociale si dhe shpërndarja më e ekuilibruar e të mirave materiale të garantuara këto nga shtete, e bëjnë qytetarin e këtyre vendeve më të sigurt dhe shoqërinë e tyre me drejtësi sociale të qenësishme. Fakt ky që i bën tërheqëse jo vetëm për vendet e varfra, por edhe për ato të pasura si qytetarët e SHBA-ve në rastin konkret. Disa tregues konkretë të kësaj politike që ngjallin besim e siguri për qytetarët kanë të bëjnë me sistemin universal të kujdesit mjekësor jashtëzakonisht efikas dhe që admirohet nga emigrantët amerikano-veriorë.

    Po ashtu, bëhet fjalë për sistemin aq efikas të transportit publik, ku shteti financon si dhe niveli i ulët e kriminalitetit. Pra, në thelb më shumë siguri, e cila nuk reduktohet vetëm te garantimi i jetës dhe pronës. Kurse në Shqipëri, pavarësisht se qeveritë me radhë shprehen me zë të lartë për të ardhmen evropiane të vendit, ende janë shumë larg ndërtimit dhe zbatimit të reformave me thelb drejtësinë sociale. Aktualisht shoqëria shqiptare karakterizohet nga e kundërta e asaj që konstaton “The Economist” në Evropën Perëndimore. Jemi në kushtet e një polarizimi të skajshëm të shoqërisë, ku të pasurit pasurohen dhe të varfrit varfërohen.

    “Detyrat e shtëpisë” së qeverisë shqiptare për të hyrë në BE nuk mund të lidhen vetëm me detyrime e ndërmarrje nismash ligjore në përputhje me “acqis communautaire”, por sidomos me politika financiare në të mirë të një kohezioni të plotë social të vendit. Klasa politike shqiptare mund të gënjejë opinion publik të vendit duke sulmuar BE-në sepse nuk mban premtimet, por hyrja në këtë organizëm në radhë të parë duhet të jetë arritje standardesh të larta sociale dhe ekonomike që garantojnë kohezion të plotë social, dallime minimale të të gjitha shtresave të shoqërisë dhe jo vetëm kasta të pasurish.

    Nga ana tjetër, duke iu referuar dy arritjeve konkrete evropiane, aq tërheqëse për shtetasit amerikanë, pra sistemi shëndetësor dhe transporti publik, komentet janë më të thjeshta. Sistemi i mbrojtjes shëndetësore nuk është as cilësor e as falas siç u premtua, pa folur këtu për problemet e shumta me natyrë abuzive. Investimet në këtë fushë të orientuara në PPP janë kthyer në objekt hetimi të organeve ligjore. Në thelb perceptimi masiv i sistemit të shëndetësisë shqiptare është negativ dhe nuk ngjall siguri te qytetarët. Pra, mjaft larg standardit evropian.

    E njëjta gjë edhe me transportin publik. Këtu mjafton të shohësh Tiranën. Kaos, mungesë transporti alternativ, ankth, bllokim, pasiguri. Pra, të gjitha këto elemente, drejtësi sociale, sistemi i shëndetësisë, transporti publik, niveli i kriminalitetit janë tregues të një standardi të lartë jo në raport me pasurinë, por me sigurinë e qytetarëve. E kundërta ushqen emigrim. Rritja e parametrave të tyre nuk mund të reduktohet në “bërje detyrash”, por me vizion politik të një klase politike të orientuar ndaj fateve të vendit, të demokracisë së tijdhe jo të vetat. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    National Geographic rendit Shqipërinë në vendin e parë për t’u vizituar

    Lajmi i rradhës

    Lloga dështon në tre përcaktimet për të cilat ishte betuar politikisht se do i realizonte!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë