Invazioni rus në Ukrainë, një perspektivë ushtarake

    ZENO JAHAJ

    I nvazioni ushtarak rus i 24 shkurtit 2022 në Ukrainë kishte nisur shumë më herët me një provokim psikologjik që Putin e kishte lëshuar në vitin 2005, drejtuar atyre që patën veshë se “Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”.

    Tre vjet më vonë, në vitin 2008, ai bëri provën e parë gjenerale të këtij invazioni, këtë herë në terren, në Gjeorgji, duke i shkëputur asaj Abkhazinë – në fakt aksesin kryesor në Detin e Zi dhe Osetinë e Jugut, çka i hapi rrugën një tjetër prove gjenerale në terren: pushtimit të Krimesë në vitin 2014. Aty nga mesviti 2021, Putin iu rikthye provokimit psikologjik me shkrimin “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”.

    Për të kaluar, pa u menduar shumë gjatë, në provën e tretë gjenerale në terren, këtë herë në Ukrainë, mu në kufijtë lindorë të Europës. Ndërkaq, SHBA merrej me Kinën, ndërsa NATO merrej me SHBA. E nisi si një stërvitje ushtarake, duke e rrethuar Ukrainën në rreth 70% të kufirit të saj, me mbi 150.000 trupa, pa përmendur dhjetëra mijëra të tjerë, përkatësisht njësitë e raketave balestike dhe kruiz, helikopterët luftarakë, flotën ushtarake të Detit të Zi e të tjerë, të cilët mbështesnin nga thellësia.

    Një rast unik në historinë ushtarake, kur rrethimi ushtarak strategjik i ushtruar si stërvitje ushtarake kthehet në invazion ushtarak. Në mëngjesin e datës 24 shkurt u godit infrastruktura kritike ushtarake e Ukrainës, përkatësisht forcat ajrore, mbrojtja ajrore, radarët etj. Ndërkohë, forcat speciale parashutiste ruse tentuan të kapnin dhe të mbanin aeroportet, për t’u hapur rrugën forcave tokësore.

    Këto të fundit, të ndara në tri grupime sipas drejtimeve operative: grupimi për rrethimin dhe pushtimin e Kievit (çka duket të jetë grupimi kryesor), grupimi për pushtimin e Kharkivit dhe grupimi për zgjerimin e kryeurës së Krimesë në thellësinë jugore të Ukrainës, me qëllim pushtimin e bregdetit ukrainas të Detit të Zi. Operacioni, të cilin Putini e quajti “special”, nuk është gjë tjetër veçse një formë e perfeksionuar e luftës hibride, ku janë pleksur metoda e mjete klasike militare me ato paramilitare. Nuk u përdor pothuajse fare aviacioni me krahë fiks, edhe pse Rusia e ka freskuar atë me qindra aeroplanë të rinj.

    Pesë ishin shtyllat ku bazohej fitorja e këtij operacioni: indoktrinimi i ushtrisë ruse se gjoja populli i Ukrainës do t’i priste krahëhapur; mbajtja fshehur e qëllimit për të shkuar nga stërvitja në invazion ushtarak (ushtari rus nuk e dinte se nga stërvitja do të shkonte në luftë!); lehtësirat e pritshme nga popullata rusishtfolëse, e cila përbën një përqindje të konsiderueshme në thellësinë taktike të kufirit tokësor e bregdetin e Ukrainës; të ndillej ushtria ukrainase për t’u përballur frontalisht me forcat invaduese ruse; planifikimi ushtarak për “luftë dhe fitore rrufe”, me objektivin për të kapur kryeqytetin në 4-5 ditë. Komanda dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, të informuar hollësisht për strategjinë dhe taktikat ruse, bëri ç’është e mundur të përhapë dhe të ruajë forcat e mjetet, për të mos rënë në kurthin e ftesës ruse për luftë frontale.

    I përdorën ato me ekonomi dhe me efektivitet për kundërsulme të shkallës taktike, fillimisht kundër grupeve parashutiste, për të mos iu lënë atyre kohë që të mund të bashkoheshin me forcat e veta tokësore, çka çoi jo vetëm në dështimin e misionit parashutist, por edhe në humbje të rënda të tyre. Invazioni rus, absolutisht i pashkak dhe kështu, i pamotiv, rriti kohezionin e popullit ukrainas për qëndresë politike, diplomatike dhe ushtarake.

    Paralelisht, rriti ndjeshmërinë e opinionit politik, diplomatik e publik botëror ndaj një rreziku të paparashikuar sigurie, i cili mund të përshkallëzohej deri në konflikt bërthamor. Për arritjen e qëllimit, politika dhe komanda ruse, duket se kishin përcaktuar dy qendra graviteti të lidhura me njëra-tjetrën. E para, rrethimi i Kievit, me qëllim që të detyronin institucionet legjitime të pranonin kushtet e vëna nga Rusia. Nëse nuk do të arrihej ky objektiv, atëherë graviteti do të transferohej në kapjen me çdo kusht të kryeqytetit, me qëllim që të imponohej ndarja e Ukrainës në pjesën lindore ruse dhe në pjesën perëndimore ukrainase.

    E dyta, kapja e brezit juglindor të Ukrainës që lidh Krimenë me “republikat autonome” të Donbasit e Luhanskut, ku përfshihet edhe porti me rëndësi strategjike i Mariupolit. Luftimet tashmë po zgjaten, çka do të thotë se mësymësi është konsumuar më shumë sesa kishte planifikuar. Forcat ruse, sa më thellë të futen, aq më shumë largohen nga mbështetja logjistike. Por, sipas parimeve të luftës, fuqia e një mësymjeje është në përpjesëtim të zhdrejtë me largësinë nga bazat logjistike: sa më larg nga këto baza, aq më shumë pakësohet fuqia e saj.

    Është për këtë arsye që forcat ruse, herë pas here, duken sikur bëjnë pushime, aq sa japin përshtypjen se ndodhen në dilemë për të vijuar ose jo mësymjen. Në fakt, ato janë pushime operacionale, “për të marrë frymë”, për t’u furnizuar dhe për të rinisur përsëri mësymjen. Luftimet kanë mbërritur tanimë në ditën e 16-të të tyre dhe është kapur vetëm 10% e territorit të Ukrainës. Rusët mbivlerësuan forcat e veta dhe nënvlerësuan ato ukrainase. Mënyra “paradë” si u nis invazioni, formësoi objektiva të dukshëm, kolona të lexueshme, madje masive.

    Por, në luftën moderne, kur objektivi është i dukshëm dhe kur ai qëndron qoftë edhe pak minuta në një vend, pa le më disa orë, quhet i asgjësuar. Trupat ruse përbëhen nga rekrutë pa përvojë luftarake, ndërsa trupat ukrainase kanë një përvojë disavjeçare në luftimet kundërseparatiste në Donjeck e Luhansk. Ndërkohë, trupat ruse, pas muajsh stërvitje dhe tashmë luftimesh, normalisht duhet të jenë të lodhura, në mos të rraskapitura. Invazioni është shndërruar tanimë në luftim urban, i cili i thith energjitë e kundërshtarit dhe amplifikon ato të vendasve.

    Në këtë lloj lufte, nuk janë tanket e helikopterët që bëjnë ligjin, por luftëtarët granatahedhës e raketahedhës. Mijërat e raketave kundërtanke e kundërajrore që tanimë zotëron Ukraina, e kanë përmbysur krejt raportin në dobi të vendasve. Tanimë çdo qytetar ukrainas është ushtar, rezervist apo vullnetar. Vetë Kievi, një qytet me afro tre milionë banorë, pothuajse homogjen ukrainas, i ka mundësitë për një qëndresë të gjatë. Motivimi i qytetarëve ukrainas është i madh, përkundër forcave ruse, të cilët janë të detyruara të luftojnë me një popull po ashtu sllav, me të cilin bashkëjetuan rreth një shekull nën Bashkimin Sovjetik.

    Sa më thellë të futen trupat ruse, aq më homogjene është popullsia ukrainase, pra, aq më shumë e pret një popull me identitet tjetër. Moti bëri dhe ende bën punën e vet. Kolonat ruse të makinave luftarake me goma, por edhe mjetet e blinduara duket se nuk e kanë dot luksin të manovrojnë në terren të hapur përveç rrugëve kryesore automobilistike. Në këto kushte, dimri ishte dhe është ende aleat i ukrainasve, të cilët janë në shtëpinë e tyre. Iniciativa operacionale është akoma në anën e rusëve. Përkundër, inisiativa strategjike është në anën e ukrainasve.

    Rusia është thuajse e izoluar. Me këtë invazion, ajo dogji të gjitha urat gjeopolitike dhe të komunikimit, duke i mbetur besnikë vetëm Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Siria. Sanksionet e rënda dhe izolimi diplomatik po shkaktojnë gjithashtu kosto të mëdha për qeverinë dhe publikun rus. Në të kundërt, Ukraina ka bërë për vete pothuajse tërë botën. Luftën e informacionit e ka fituar Ukraina, e cila është tema e ditës në të gjitha mediat dhe kanceleritë. Rusia po mbetet gjithnjë e më shumë jashtë sistemit financiar global.

    Bizneseve që operojnë në Rusi po u tkurret aftësia për të mbledhur të ardhura ose për të paguar punëtorët dhe furnitorët. Sigurisht që këto janë fatura edhe për familjet e ushtarëve që gjenden tashmë në luftë, ku edhe mund të vriten, ndërsa bëjnë një luftë që nuk dinë pse e bëjnë. Si mund të zhvillohet më tej situata? Të gjithë skenarët janë në tavolinë. Fakti që konflikti po zgjatet, tregon se të dyja palët kanë përpara prova të vështira për të kaluar.

    Për Putinin, tërheqja do të ishte dështim personal, për më tepër që duket qartazi se ky “operacion special” ishte krijesë dhe vullnet i tij personal. Nëse tërheqja ndodh përtej dëshirës së tij, atëherë ai do të luajë me kartën e faktit të kryer, duke marrë peng, përveç Krimesë (e cila tashmë duket se është një çështje e mbyllur), edhe dy “republikat autonome, si dhe ndoshta brezin që i lidh dhe ku përfshihet tashmë edhe porti strategjik i Mariupolit.

    Vendosmëria e treguar deri më tani për ta kapur me çdo kusht këtë brez dhe vënia e tij aktualisht nën autoritetin rus, në dallim nga operacioni plot pauza për Kievin, flet se ky brez ka të ngjarë të jetë objekt pazari në tavolinë, por nga pozitat e forcës. Ndërkohë, ecuria e operacionit për rrethimin e Kievit dhe thyerjen e qëndresës në kryeqytet do zgjasë, ndoshta edhe për presion psikologjik. Nëse mbrojtësit do të dinë të përdorin taktika të zgjuara dhe duke mbajtur hapur kanalet e furnizimit, atëherë Kievi edhe mund të qëndrojë.

    Sidoqoftë, nuk përjashtohet që egoja dhe deliri t’i çojnë rusët të përdorin ose terrorin masiv, ose goditjeje masive me artileri, raketa e aviacion. Por edhe ky skenar do të shkaktojë viktima të panumërta në popullsinë civile dhe kështu do të rritet akoma më shumë sensibilizimi, respektivisht edhe reagimi ndërkombëtar e kombëtar. Thyerja e qëndresës së kryeqytetit, mund të shënonte edhe kapjen e Ukrainës Lindore, domethënë të asaj pjese që shtrihet në lindje të lumit Dniepër.

    Por edhe në këtë rast, vështirësia qëndron te pyetja klasike: “Po pastaj?” Kapja e Kievit nuk do të thotë vetvetiu rënie e Ukrainës. Së pari, sepse Ukraina nuk është Kievi, por institucionet legjitime të zgjedhura nga populli i saj. Së dyti, sepse askush përveç Llukashenkos, Assadit dhe Kim Jongunit nuk do ta njohë një gjysmë Ukrainë të copëtuar me agresion ushtarak. Në këto kushte, Putin po shkon me këmbët e veta drejt rikrijimit të një perdeje të re të hekurt, përkatësisht rifillimit të një lufte të re të ftohtë, ku, me siguri matematike do të jetë Rusia që do të humbasë, ashtu siç humbi Bashkimi Sovjetik, të cilin e ëndërron aq shumë Putini.

    Vërtet Rusia është një fuqi bërthamore, madje relativisht me më shumë numra se të tjerët. Por arma bërthamore është e vetmja armë ku nuk vendos numri. Përkundër, numrin e vendos fuqia ekonomike dhe, në këtë pikë, Rusia është e 11-ta ekonomi e botës. Kjo do të thotë se Rusia, aq më tepër e izoluar gjeopolitikisht, nuk mund të formësojë dot rend botëror. Dhe, kur nuk formëson dot rend botëror, është rendi botëror që të formëson. Sidomos në botën globale, ku zor se ka rrugë të mesme. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë është nomofobia dhe cilët prek më shumë?

    Lajmi i rradhës

    Suksesi që të lë zbuluar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë