Izraeli duhet të përballet me të ardhmen që i trembet: shtetin palestinez

    Simon Tisdall

    The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Tronditi shembja shkatërrimtare e urës “Francis Scott Key” në Baltimor. Banorët vendas e shprehën shqetësimin për shpërbërjen e papritur të një pikë të njohur të referimit, të cilën të gjithë e njihnin. Rendi ndërkombëtar i pasvitit 1945, i ngjan paksa asaj ure. Gjithmonë ka qenë aty. Autoriteti, rregullat dhe qëndrueshmëria u morën si të mirëqena. Tani, në mënyrë alarmante, e gjithë ndërtesa globale është në rënie të lirë, pasi janë hequr mbështetësit e zakonshëm.

    Është e thellë ndjenja për gjërat e copëtuara – ndërsa, pasojat negative janë kudo. Karta e OKB-së, themeli i së drejtës ndërkombëtare, shpërfillet për çdo ditë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së më në fund u pajtua për armëpushimin “e menjëhershëm” në Gazë, gjatë javës së kaluar, ndërkaq shpejtë u pa injorimi i tij me përbuzje.

    Në Ukrainë, në Mianmar dhe në Sudan, krimet e luftës dhe gjenocidi i supozuar mbeten të pandëshkuara dhe të pakontrolluara. Rusia, Irani dhe India, ndër të tjera, dërgojnë vrasës jashtë shtetit për të eliminuar kundërshtarët politikë. Lufta kibernetike e padeklaruar nuk i njeh kufijtë.

    Perceptimet e shpërthimeve të përhershme dhe të paligjshme janë veçanërisht të forta në Lindjen e Mesme – pas sulmeve të 7 tetorit dhe luftës Izrael-Hamas. Shkalla e mizorive është alarmante. Po kështu edhe mosndëshkimi me të cilin janë përballur. Veç me fjalë miratohen urdhrat e Gjykatës së Drejtësisë të OKB-së për të parandaluar urinë.

    Në pikën e thyerjes është marrëdhënia midis ShBA-së dhe Izraelit – gurthemelit rajonal. Mezi flasin presidenti Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. Bideni kërkon më shumë ndihma, ndalimin e kërcënimeve për sulm në Rafah ku 1.4 milion palestinezë struken nga frika dhe uria, si dhe bisedimet e pasluftës për zgjidhjen me dy shtete. Netanyahu, i quajtur “agjent i shkatërrimit”, vetëdëmtues i Izraelit, e bllokon atë në çdo hap.

    Kriza e brendshme e Izraelit bëhet ekzistenciale pasi Netanyahu, aleatët e tij ekstremistë antidemokratikë dhe grupet e kolonëve të ekstremit të djathtë kthehen në rebelë. Nëse kritikët kanë të drejtë dhe Netanyahu po e zgjat luftën për të qëndruar në pushtet, atëherë lufta mund të përshkallëzohet në Bregun Perëndimor dhe në Liban. Kjo tashmë po ndodh, duke gjykuar nga sulmet izraelite të javës së kaluar.

    Në këtë pikë, ishte inkurajues ndryshimi i qëndrimit të ShBA-së në OKB, kur më në fund lejoi miratimin e një rezolute për armëpushimin në Gazë. Megjithatë, as ShBA-ja dhe as Britania e Madhe nuk kanë ndërmarrë hapa për ta zbatuar. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, preferojnë rol më të madh sesa ndjekjen e paqes dhe drejtësisë. Shtetet arabe janë rast i studimit të impotencës.

    ShBA-ja e ndryshoi me vonesë qëndrimin, jo sepse papritmas vuri re se më shumë se 32 mijë njerëz, përfshirë mijëra fëmijë ishin vrarë në Gazë, ose se ushqimi po përdoret si armë. Avokatët e Departamentit të Shtetit e mohojnë këtë. Presioni i ShBA-së po rritet sepse Bideni po dëmtohet nga mbështetja në një vit zgjedhor dhe ndihet i poshtëruar nga Netanyahu. Komentatorët izraelitë sugjerojnë se përçarja mund të jetë e pariparueshme.

    “Zyrtarët e lartë amerikanë ankohen se nuk e kuptojnë se çfarë dëshiron Netanyahu. Por, është fare e qartë. Mbijetesa politike është prioriteti i tij kryesor. Dhe, nëse vazhdimi i luftës – edhe mes pretendimeve në rritje se Izraeli po shkel ligjet e luftës – është ajo që do ta mbajë atë në detyrë, ai është plotësisht i përgatitur për ta bërë këtë. Të gjitha mjetet janë të favorshme, me sa duket, duke përfshirë edhe vonesën e mëtejshme në finalizimin e marrëveshjes së pengjeve”, shkroi Amos Harel në Haaretz.

    Po rrënohet politika e Bidenit në Lindjen e Mesme – qoftë nëse çështja është programi bërthamor i Iranit, ndikimi kinez, ringjallja e terrorizmit të Shtetit Islamik, pazari më i madh me Arabinë Saudite apo e ardhmja e Palestinës. E njëjta gjë mund të thuhet për Britaninë, një tjetër aleat i vendosur i Izraelit i cili, në këto ditët e mjera pas Brexit-it, ndjek shembullin e Uashingtonit në pothuajse çdo gjë.

    David Cameron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryeministër, ka marrë qëndrim më të ashpër teksa lufta në Gazë po zvarritet. Për ndihmat është përballur me Netanyahun dhe ka kërkuar njohjen e shtetit palestinez në një proces të ardhshëm paqeje. Britania shkoi më tej se ShBA-ja duke mbështetur armëpushimin e javës së kaluar të OKB-së.

    Gjithë kjo ofron një kontrast të mirëpritur me paraardhësit dembelë dhe të paaftë të Ministrisë së Jashtme të Cameronit – Boris Johnson, Liz Truss dhe Dominic Raab. Megjithatë, Britania ende po furnizon me armë Izraelin; për arsye të rreme ka penalizuar agjencinë e ndihmës së OKB-së në Gazë, UNRWA; dhe, çuditërisht, ende nuk deklaron zyrtarisht se veprimet e Izraelit po e shkelin ligjin humanitar. Cameroni është përmirësim, por jo radikal.

    Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe anëtare e G7-ës, ndan me të tjerët përgjegjësinë për prishjen e përgjithshme të ligjit dhe rendit ndërkombëtar. Britania, për shembull, duhet të shtyjë para reagimin më të fuqishëm të NATO-s ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Ajo duhet të prijë në përpjekjet për të ndëshkuar Kinën për Hong-Kongun dhe për abuzimet në Sinxhan, si dhe për të rënë dakord për mënyrat më të sigurta dhe më njerëzore për të menaxhuar migracionin ndërkombëtar.

    Mbretëria e Bashkuar duhet të shtojë, jo të shkurtojë ndihmën e huaj. Duhet të jetë shembull duke e reduktuar arsenalin e armëve bërthamore – në përputhje me detyrimet e traktatit. Duhet të ballafaqojë regjimet shtypëse si Arabia Saudite dhe Etiopia. Dhe, duhet të forcojë demokracitë anembanë botës, jo të shkurorëzohet nga fqinjët në Evropë – gjë që, natyrisht, është trashëgimia e qëndrueshme dhe e pashlyeshme fatkeqe e Cameronit.

    Çfarë mund të shpëtohet nga rrënojat në Palestinë, të cilat mund të ndihmojnë në ndryshimin e tendencave nihiliste globale? Agresioni i pamenduar i Netanyahut po e rrit politikisht Hamasin, nuk po e mposht. E ka shndërruar neverinë e vërtetë ndaj mizorive të terroristëve, në mbështetje të madhe për kauzën që ata supozohet se përkrahin dhe që ai e urren – shteti i pavarur dhe sovran palestinez.

    Ky është shansi për maturi i shumicës palestineze. Izraeli, si vend me ndarje të brendshme, i traumatizuar, i udhëhequr keq dhe i izoluar, po e copëton veten dhe po i shqyen kredencialet historike, ideologjike dhe demokratike, ndaj rikthimi i procesit të besueshëm negociues me qëllimin eksplicit të miratuar ndërkombëtarisht për dy shtete që bashkekzistojnë krah për krah, për ironi mund të jetë mënyra më e mirë dhe e vetme për ta shpëtuar Izraelin nga vetja.

    Kjo gjithashtu mund të jetë shpresa më e mirë për të shpëtuar komunitetin e kombeve nga rënia e mëtejshme në paligjshmëri. Botës i duhet kjo fitore. Ura në Baltimor mund të rindërtohet. Por, kush do ta rindërtojë besimin global?

    Lajmi Paraprak

    Artisti i vërtetë i bashkon njerëzit, nuk i ndan

    Lajmi i rradhës

    Uthulla e mollës bio

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë