Urim Hasipi
Kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, të cilët ditë më parë u takuan dhe u dakordësuan që të bashkëpunojnë kinse për të mirën e shtetit, aspak nuk përkon me realitetin. I dyti në këtë takim, Filipçe nuk ka se si të ndihmojë me aq kapacitet që ka (numër të vogël të deputetëve) për të përmirsuar ndonjë gjendje apo për të shpëtuar shkatërrimin e shtetit që ka nisur prej se kur ka filluar të ekzistojë. Lideri opozitar Filipçe në vend se të ishte sot në bankën e të akuzuarve për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, pasi që ishte Ministër i Shëndetësisë në atë kohë, sot po amnistohet nga kryeministri Mickoski duke shmangur përgjegjësinë për atë që kishte ndodhur gati se katër vite më parë.
I pari në këtë takim, kryeministri Mickoski, me gjithë “krenarinë’ e tij se do shteti do të fillojë të lëvizë normalisht, megjithatë, si për inat të fatit të tij, patjetër se krenaria e tij është përulur pas tragjedisë në Koçan. Pra, as ky nuk ka më kredibilitet të flet për tragjeditë nga e kaluara dhe të akuzojë ish-qeveritë, sepse edhe këtij i erdhi radha ta shohë se si është të të ndodhë tragjedi kur je në pushtet. Prandaj, këta dy, sot janë të barazuar njëri me tjetrin dhe mbajnë mbi supe qindra viktima të humbura në raste të tragjedive. Takimi i fundit, është bërë për të rehatuar dhe rehabilituar të dy kryetarë të partive kryesore në kampin maqedonas, që nesër të mos akuzohen për këta tragjedi dhe fajtori kujdestar të gjendet në mesin e shqiptarëve. Jo, që dua të amnistoj ndonjë në këtë rast, por duket nga 100 kilometra larg se ata të dy janë takuar që të në të ardhmen të jenë të paprekshëm nga organet e drejtësisë. Njëjtë siç ndodhi me ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili nuk u prek nga drejtësia në rastin me Artan Grubin dhe Përparim Bajramin. Pra, si mundet që vetëm Grubi dhe Bajrami të akuzohen dhe kryeministri të mos akuzohet! E njëjta po ndodh edhe me Kreshnik Bekteshin.
Si mundet që ai të akuzohet e të mos akuzohet ish-kryeministri Zoran Zaev. Pra, kryeministrat mbrojnë njëri-tjetrin në raste të caktuara, prandaj edhe ndodhi arratia e ish kryeministrit Gruevskit. Askush nuk mund të jep arsye se pse u desh një takim kokë më kokë në një periudhë kaq të ndjeshme në vend. Në një periudhë, kur vendi përballet me mos hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian, kur vendi zhytet në kredi, kur vendi përballet me rritje enorme të çmimeve, kur vendi përballet me drejtësi selektive, kur vendi përballet me ikje masive nga vendi, kur vendi përballet me shkurtim të të drejtave të shqiptarëve, kur vendi ka probleme në arsim, në shëndetësi, vjen një takim mes kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoskit dhe kryetarit të LSDM-së Venko Filipçe, poashtu maqedonas. Pra, në këtë rast janë përjashtuar shqiptarët, prandaj kur dikush përjashtohet nga një takim që është pjesë e tërë kësaj historie, atëherë dihet se shigjetat janë të drejtuara ndaj tij.
Arsyetimi i Filipçes se në partinë e tij ka edhe shqiptarë, është qesharak dhe përçmues. LSDM-ja, nuk mund të përfaqësojë interesat e shqiptarëve me dy persona brenda në kryesi. Shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre legjitim, janë të këqinj ose të mirë, ata janë të zgjedhur për të na përfaqësuar. Për punën ose mos punën ndëshkohen nga populli shqiptar dhe jo nga populli maqedonas. Krejt në fund, sherri i këtij takimi ka filluar dhe shigjetat tashmë janë të drejtuara në drejtim të shqiptarëve, prandaj edhe përgatituni për skenare të errëta me adresë “fajtor” kujdestar janë shqiptarët.
Në fakt, edhe ndryshimi i kursit të LSDM-së, duke dashur të shitet kinse parti nacionaliste shkon në këtë drejtim, pasi që ka nxitur pa nevojë tensione ndëretnike në Tetovë, duke nxitur popullatën pakicë maqedonase të jetë kundër ndryshimit të emrave të rrugëve, duke keqpërdorur shoqata dhe indidvidë kundër kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami, por që në esencë janë akuza edhe kundër popullit shqiptar. Prandja, shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm tash e tutje. /Nistori/
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.