Noti që ndërtoi një legjendë

    Të ëmës i thonin se i biri Michael kishte probleme me përqëndrimin. Nuk ishte fort i vëmendshëm, por kishte edhe një dukuri tjetër që duhej parë me kujdes nga mjekët: ishte aktiv mbi mesataren, fëmijë shumë i lëvizshëm.

    Michael kishte frikë nga uji, por motrat e tij, të dyja më të mëdha, ishin notare dhe e bindin të shkojë pas tyre. Ndoshta hiperaktiviteti në pishinë do gjente ambient të përshtatshëm për t’u mbajtur nën kontroll. Edhe pse zonja Debbie në fillim i çon fëmijët drejt ujit thjesht për të mësuar notin. Ta kishin për vete. Jo për të kuruar të birin.

    9 vjeç është kur i ndahen prindërit dhe në të njëjtën kohë njihet me njëfarë Bob Bowman, trajner noti, i cili e bind Michaelin të merret vetëm me një sport, se aty ka të dhëna që nuk i ka parë te fëmijë të tjerë. Not dhe vetëm not.

    Bowman do mbetet trajneri i tij deri në ditën e fundit si notar profesionist. Ajo që ndodh në vazhdim është e rrallë, më e rralla histori në sport, për vlerësim, medalje e lavdi.
    Michael Phelps vetëm 3 vite më vonë… Harrova t’jua thoja më herët mbiemrin e Michaelit. Rikthehemi në tregim. Michael Phelps vetëm 3 vite më vonë, 15-vjeçar, fiton të drejtën e garimit në Lojërat Olimpike në Sidnej të Australisë.

    16 vite jetë ka kur shpallet kampion bote, duke siguruar të parën medalje të artë në karrierë. Në 200 metra flutur, që do bëhet edhe displina e tij e parapëlqyer, vendos edhe rekord botëror.
    Sportisti i suksesshëm kthehet në legjendë në Lojërat Olimpike të Athinës në vitin 2004. 6 medalje ari dhe 2 bronzi. Djaloshi që kishte frikë nga uji nis të njihet botërisht si “delfini i Baltimorës” apo “peshkaqeni i Baltimorës” për njerëzit që fitoren në sport e shikojnë me një përqasje më agresive.

    2 orë në pishinë paradite, 3 orë në pishinë pasdite, 8 mijë kalori për t’u ushqyer çdo ditë. Një mesatare prej 16 kilometrash not në ditë, një regjim i frikshëm për njerëzit normal, që i nevojitet Michaelit të fitojë, fitojë dhe fitojë. Fjala ditë është përsëritur me qëllim, domethënë për të arritur suksesin nuk ka pushim.

    Në Pekin 2008, medaljet e arit do jenë plot 8. Por në mes të dy olimpiadave ndodhin edhe disa ngjarje që kanë lidhje me jetën personale të kampionit. Ndalet nga policia për ngarje makine në gjendje të dehur. 3 birra kishte konsumuar. Kur e lexon sot duket gabim normal për një të ri, por në atë kohë, bazuar në ligjet amerikane, notarit iu desh të vuante disa pezullime e pjesëmarrje në takime me shoqata kundër përdorimit të alkoolit.

    Në Lojërat e Londrës në vitin 2012 dhe ato të Rios në vitin 2016, Michael Fred Phelps i dytë, bëhet sportisti me më shumë medalje në historinë e Lojërave Olimpike: 28 në total, 23 prej ari, që e fusin me të drejtë në garën për atletin më të madh të të gjitha kohërave.
    Michael Phelps u rrit pa të atin afër. Me Michael Fred Phelpsin e parë, pati një afrim përpara olimpiadës së fundit ku garoi dhe ka treguar publikisht se ka pasur probleme me depresionin.

    Sot drejton fondacionin që mban emrin e tij, ndihmon nismat që trajtojnë sëmundjet e shëndetit mendor dhe me raste shkon të bëjë ndihmësin e Bowmanit, trajnerit të tij të përhershëm, në skuadrën e notit që ky i fundit drejton…

    Lajmi Paraprak

    Krizë e thellë demografike në Itali – Fshatra që boshatisen dhe shkolla që mbyllen

    Lajmi i rradhës

    Sa ujë i pijshëm humbet në Shkup, Tetovë dhe Gostivar?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë