Krimi shqipfolës dhe drejtësia shqipfolëse

    PELLUMB NAKO

    Mbledhja e fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë mori disa nisma interesante, të cilat i afrojnë më shumë të dyja vendet duke krijuar një qarkullim më fluid të popujve nga të dyja anët e kufirit. Lehtësimi i procedurave të marrjes së lejes së qëndrimit në të dy shtetet, përcaktimi i një zone të lirë qarkullimi ndërkufitar në të dy anët e kufirit, heqja e kontrolleve kufitare dhe zëvendësimi i tyre me teknologji, janë instrumente tashmë të njohura edhe në praktika ndërmjet vendeve të tjera në rajone të ndryshme të botës, por në kontekstin e Shqipërisë dhe Kosovës përbëjnë edhe një përgjigje fillestare ndaj kërkesave dhe nevojave të popullsisë së të dy vendeve për të qenë sa më afër njeri-tjetrit. Sigurisht, bëhet fjalë për hapa të parë që me siguri do të ndiqen edhe nga aksione të tjera për të shkuar drejt një “integrimi ndër vete”, siç është shprehur dikur një nga politikanët e njohur të Kosovës.

    Dihet se krijimi i kushteve ligjore dhe institucionale për një liri më të madhe të qarkullimit të personave dhe mallrave ndiqet më se natyrshëm nga krijimi edhe i kushteve ligjore të sigurisë. Nëse liria është një e drejtë themelore, siguria është garantim i saj, pra, një e drejtë tjetër themelore për të qarkulluar të sigurt. Ndaj dhe në morinë e shumë e shumë akteve që duhen ndërtuar ndërmjet dy vendeve në një proces ndërintegrimi, del si kërkesë e shpejtë edhe rishikimi i disa marrëveshjeve ndërmjet tyre dhe që duhen rikonceptuar në bazë të marrëveshjeve të mësipërme. Kjo, sepse marrëveshjet ekzistuese nuk i përgjigjen dot me efikasitet shpejtësisë së qarkullimit të projektuar nga marrëveshjet e prezantuara në fillim të shkrimit.

    Për çfarë bëhet fjalë? Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, fillimisht le të shkëputemi nga konteksti dypalësh dhe të kalojmë në atë të fushës ndërkombëtare. Jo shumë vite më parë, EUROPOL-i në Hagë krijoi një nënndarje të veçantë të analizës kriminale, atë të quajtur “krimi shqipfolës”. Kjo do të thotë se policia dhe drejtësia e vendeve europiane kishin nevojë të specifikonin e kuptonin natyrën e krimit me prejardhje nga vende dhe krahina shipfolëse, ku siç dihet boshti kryesor mbetet ai shqiptar dhe kosovar dhe t’i jepnin përgjigje të integruar apo të njëjtë. Në mjediset shqipfolëse, nisma u konsiderua e padrejtë, madje fyese. Përgjigjja e nismëtarëve ishte e thjeshtë duke i dhënë asaj karakter teknik. Në këtë kontekst, duke qenë se Europa iu përgjigj krimit të të dy vendeve me ndërtimin e një enti të quajtur “krimi shqipfolës”, në një atmosferë kur Shqipëria dhe Kosova po bëjnë hapa para që përshpejtojnë qarkullimin ndërmjet dy vendeve, do të ishte shumë e udhës që të hartohej një strategji e qartë ndërmjet dy vendeve për të ndërtuar “një polici dhe një drejtësi shqipfolëse”. Me fjalë të tjera, një polici dhe një drejtësi e të dyja vendeve të pajisura me instrumentet e duhura ligjore për të mundësuar goditjen e krimit të dyanshëm sa më shpejt dhe në mënyrë më të sinkronizuar.

    Më konkretisht: Aktualisht, Policia Shqiptare ka në Prishtinë një oficer ndërlidhës, njëlloj si në kryeqytetet e tjera të Europës dhe jo. Por marrëveshjet e mësipërme i japin tërësisht tjetër shpejtësi qarkullimit ndërmjet dy vendeve dhe për rrjedhim edhe krimit që e shoqëron atë. Pra, bashkëpunimi policor duhet të marrë tjetër dimension, i aftë për t’iu përgjigjur shpejtësisë së arritur në marrëveshje. Një variant mund të ishte krijimi i ekipeve të përbashkëta hetimore në të dyja vendet me kompetenca operacionale në territorin e secilës palë.

    E njëjta gjë duhet bërë sa më shpejt edhe me drejtësinë. Krahas vendimit të arrestit ndërkombëtar, drejtësia e vendeve të Bashkimit Europian lëshon edhe vendime arresti, të vlefshme vetëm për vendet e komunitetit të quajtur “vendim arresti europian”, i cili parashikohet në një marrëveshje ndërqeveritare që thjeshtëson radikalisht kohën e ekstradimit të një personi të kërkuar. Ndërkohë, bashkëpunimi i drejtësisë ndërmjet dy vendeve tona është i njëjtë me të vendeve, me të cilat nuk ka kaq afërsi. Madje, vendi ynë ekstradon shtetasit e tij në Itali, Britani e SHBA, por jo në Kosovë.ADVERTISEMENT

    Shembujt dhe fushat e veprimit që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sigurinë kanë mjaft nevojë për t’u riparë e të vendosen të paktën në të njëjtin nivel siç janë ato ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian. Duke futur në këtë logjikë edhe fushat e tjera të bashkëpunimit, me siguri absolute arrihet edhe tek “integrimi ndër vete” i shprehur me mençuri nga politikani kosovar./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Autoritetet në Shqipëri sot kanë hapur provizorisht “Rrugën e Arbërit”

    Lajmi i rradhës

    Gashi: Alternativa do të jetë pjesë e asaj qeverie e cila do ta luftojë krimin dhe korrupsionin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë