Kriza e rritjes së çmimeve dhe reagimi inteligjent

    SHERIF BUNDO

    Kohët e fundit ekonomia botërore, e pa dyshim edhe ekonomia jonë si satelite e saj, po përjeton një rritje shqetësuese të çmimeve, e cila për nga intensiteti në kohë dhe hapësirë ngjason me rritjen e çmimeve në vitet e vështira të depresioneve ekonomike. Po rriten çmimet e produkteve ushqimore, madje më shumë të atyre produkteve që jemi mësuar t’i quajmë produkte të shportës ose të nevojës jetësore. Po rriten gjithashtu çmimet e produkteve të sektorit energjetik, duke nënkuptuar çmimet e hidrokarbureve, të energjisë elektrike (pavarësisht burimit të saj), si dhe po përjetojmë një proces zinxhir të rritjes së çmimeve të të gjithë sektorëve të tjerë, që duket qartë se vjen si efekt domino. Çmimet e lëndëve të para janë “çmendur” dhe ndonjë analist ka guxuar ta krahasojë këtë situatë me rritjen e çmimeve të lëndëve të para në prag të luftërave botërore. Sikurse çdo variabël tjetër ekonomik, çmimet herë janë shkaku e herë pasoja, herë diagnoza e herë simptoma e sëmundjes. Është e vështirë në këto kushte të bëhet një prognozë e saktë e situatës, për më tepër për Shqipërinë, që nuk ka një model të konsoliduar të rritjes ekonomike dhe të ndërhyrjes së shtetit në të.

    A ISHTE RRITJA E ÇMIMEVE NJË FENOMEN I PRITUR?

    Rritja e çmimeve, në një dozë të shëndetshme, është gjithnjë një fenomen i pritur. Rritja e çmimeve, e kontrolluar nga organizmat drejtues makroekonomikë, veçanërisht nga Banka Qendrore e një vendi, konsiderohet pozitive për stimulimin e rritjes ekonomike dhe të punëzënies.

    Por, a ishte kjo rritje kaq intensive e çmimeve diçka e pritshme? Specialistët e fushës së ekonomisë dhe veçanërisht ata të financës, kanë parashikuar me kohë rritjen e shpejtë të çmimeve, lidhur kjo kryesisht me pandeminë dhe problemet mjedisore. Ngjarjet e kohëve të fundit vetëm sa e kanë ashpërsuar intensitetin e rritjes. Edhe në median tonë është shkruar para tri vitesh që pas pandemisë do ketë fenomene, që do të bëjnë presion për rritjen e çmimeve dhe se inflacioni do ta kalojë fashën e rritjes së kontrolluar. Në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, analistët dhe ekonomistët kanë kohë që flasin për fenomenin e rritjes së çmimeve, si dhe propozojnë masa kundër goditjes së tyre. Në vendin tonë, institucionet duket sikur janë të shurdhëta, nuk kanë ende një strategji për të na mbrojtur nga kjo rritje.

    Të pranosh një fenomen negativ, do të thotë në radhë të parë ta kuptosh atë, të kuptosh pse ndodh, të kuptosh dhe të ekzaminosh faktorët që e provokojnë. Kur e kupton, reflekton qartazi dhe aktivizon gjithë aparatin logjik të shtetit për të reaguar dhe për të ndërtuar barrierat e nevojshme që të amortizosh goditjen. Rritja e çmimeve është një lloj cunami që godet frikshëm dhe rrënon më të pambrojturit. Kjo është fatkeqësia. Për t’u mbrojtur prej saj, shoqëria ka nevojë për institucionet që garantojnë dhe e bëjnë funksionale bashkëjetesën në komunitet. Barra kryesore bie mbi qeverinë, e cila ekziston pikërisht për këtë arsye: për të garantuar dhe mbrojtur bashkëjetesën në komunitet. Por, le të merremi fillimisht me anamnezën e rritjes së çmimeve.

    PSE PO RRITEN ÇMIMET E PRODUKTEVE USHQIMORE?

    Ndër produktet ushqimore, më shqetësuese janë rritjet e çmimeve të drithërave, kryesisht të grurit dhe të misrit, të bukës dhe të fraksioneve të tyre. Këtu është dhe duhet të përqendrohet edhe vëmendja më e madhe. Te buka dhe sidomos te rritjet e pritshme, në muajt vijues, të çmimit të drithërave duhet të fokusohemi më shumë. Prodhimi i tyre është reduktuar, për shkak të furnizimit zinxhir të cenuar prej Covid 19. Mungesat e drithërave kanë filluar të ndihen edhe për shkak të kush teve klimaterike para vitit 2019. Por, këtyre dy fenomeneve u është akumuluar edhe thatësira e zgjatur dhe e theksuar e vitit 2021, e cila e shoqëruar me luftën në Ukrainë, e ka bërë më të mprehtë shqetësimin. Në kushtet e mungesës së drithërave, vendet më të rëndësishme prodhuese të grurit, si: India, Argjentina, Rusia dhe Ukraina, por jo vetëm ato, kanë manifestuar një lloj reflektimi dhe kanë kufizuar eksportet e grurit dhe të drithërave. Kaq mjafton që kjo sjellje të marrë trajtën e një mode preteksioniste. Te vetë vendet prodhuese të drithërave është rritur frika për sigurinë ushqimore. Pritshmëritë e të korrave për këtë vit nuk janë të qëndrueshme. FAO (Organizata Botërore e Ushqimit) pranë Kombeve të Bashkuara ka ndërtuar një skenar optimist dhe parashikon një rritje të prodhimit botëror të grurit për vitin 2022 me 782 milionë tonë, por nuk mendon kështu qeveria amerikane. Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara parashikon një rënie të prodhimit të grurit. Analistët parashikojnë se, për shkak të luftës, sipërfaqet e mbjella me grurë në Rusi dhe në Ukrainë do të bien dhe kjo do të cenojë prodhimin e vitit të ardhshëm. Kontratat me afat të grurit të vitit të ardhshëm, që tregtohen në tregjet financiare, parashikojnë një çmim më të lartë, për shkak të rënies së ofertës. Kushtet klimatike nuk kanë qenë dhe nuk janë të favorshme. Në Indi vitin e kaluar prodhimi i grurit arriti rekordin historik, por ky trend nuk parashikohet të përsëritet më. Gati 50 vende të botës, në furnizimin me grurë varen nga Rusia dhe Ukraina në gati 30% të bilancit të nevojave të tyre. Vetëm për shkak të luftës Rusi-Ukrainë çmimi i grurit dhe misrit është rritur respektivisht 48% dhe 28%, vetëm gjatë harkut kohor tremujor, fund i majit/fund i shkurtit (para se të fillonte lufta). Këto çmime janë 79% dhe 37% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Çmimet e imputeve të tjera, parashikuar karburantet, kimikatet dhe plehrat kimike, parashikohet të rriten minimalisht 18-20% brenda këtij viti. Këto rritje na detyrojnë të mendojmë se çmimet e drithërave mund të impaktohen edhe nga rritje të tjera, provokuar nga këto rritje. Lufta do ta ulë ndjeshëm prodhimin e drithërave në të dyja vendet, që janë furnizueset e 33% të nevojave botërore të drithërave. Në Ukrainë do të ketë rënie në prodhimin e farërave të misrit, por edhe të elbit, të lulediellit për vaj, si dhe të disa inputeve të tjera. Në Rusi parashikohet të rriten çmimet e makinerive bujqësore, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare. Në këto kushte, bota është e përfshirë nga disa masa që synojnë mbylljen e kufijve. Në sfond ndihet rënie e fenomenit të globalizmit. Deri tani në botë janë aplikuar nga shtete të ndryshme 268 masa kufizuese në lidhje me eksportet dhe importet e drithërave dhe produkteve të tjera, nga të cilat 85% kanë të bëjnë me ushqimet. Indonezia vendosi ndalimin e eksportit të vajit të palmës, ndërsa India, vendi i dytë në botë për prodhimin e grurit, vendosi ndalimin e eksportit të tij. Ky fenomen do ndihet në vendet kliente të saj të Azisë, si Bangladeshi apo vende të tjera. Sidoqoftë, politikat e mbylljes do ndikojnë direkt mbi vendet importuese neto të drithërave. Këto masa do të ushtrojnë presion të madh mbi rezervat e domosdoshme ushqimore dhe do të kërcënojnë akoma më shumë sigurinë ushqimore të të varfërve. Politikat e mbylljes duket se nuk po qëndrojnë vetëm te drithërat.

    SHQETËSIME SERIOZE PËR ÇMIMET E ENERGJISË DHE VEÇANËRISHT TË NAFTËS

    Gjatë tri viteve të fundit, tregu i energjisë ka pësuar oshilacione të mëdha. Lufta në Lindje i ka thelluar ato akoma më shumë dhe në mënyrë të veçantë ka tronditur besimin për të ardhmen. Embargoja europiane e naftës ruse dhe e nënprodukteve të saj ka prishur qetësinë në dy linja kryesore: nga njëra anë ka vënë në lëvizje qeveritë që rritja e fortë e çmimeve të karburanteve të mos godasë direkt vetëm buxhetet familjare, ndaj po ndërhyjnë me instrumente fiskale, siç është rasti gjerman. Nga ana tjetër, duhet rritur transparenca dhe ndërgjegjësimi për efektin zinxhir të rritjes së çmimeve në tërësi. Përsëri kemi të bëjmë me institucione dhe reagimin inteligjent të tyre. Rritja e pritshme këtë verë e kërkesës për naftën dhe benzinën, për shkak të rritjes së flukseve globale të turizmit, ka vënë në vështirësi kapacitetet përpunuese të rafinerive në vendet e tjera që pranojnë të jenë më të hapura ndaj tregut botëror të energjisë. Në SHBA çmimi i naftës para pak ditësh u rrit për herë të parë, në mënyrë të ndjeshme me 5 dollarë për gallon. Shoqata e prodhuesve të mëdhenj arabë të naftës parashikon rritje të prodhimit të naftës, pra të ofertës, por që kufizohet nga mungesa e investimeve në rritjen e kapaciteteve përpunuese. Disa vende mendojnë se në këto kushte mund të aplikohet strategjia e kufizimit të inflacionit, pra, e rritjes së çmimeve, me frenim të rritjes ekonomike, gjë që nuk u shkon për shtat tregjeve financiare dhe nevojës së dizenjimit të një çmimi të arsyeshëm të tregtimit të parasë (normave të interesit). Rritja ekonomike, shkaktuar vetëm nga rritja e çmimeve, është rritje fiktive. Në Europë dhe në gjithë botën, në muajt e fundit ka ndodhur një fenomen që nuk ka pasur precedent: është rritur frikshëm niveli i papunësisë shkaktuar prej dorëheqjeve, që rrjedhin nga rritja e stresit. Fatmirësisht, ky fenomen duket se po frenohet aktualisht. Në muajt qershor dhe korrik, bankat qendrore parashikojnë rritje të normave bazë të interesit, që është politikë normale e bankave qendrore në kushtet e krijuara. Të gjitha së bashku, po shpien në një rënie të shitjeve të mallrave në muajt e fundit, krahasuar me muajt e kaluar, ndërkohë që rriten shërbimet.

    ÇFARË PO NDODH NË VENDIN TONË?

    Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në vendin tonë është një fenomen mbarëkombëtar. Janë rritur pothuaj të gjitha çmimet e prodhimeve me origjinë drithërat, të karburanteve, të qirave, të shërbimeve të transportit, të restoranteve, të produkteve blegtorale, të materialeve të ndërtimit, të materialeve elektrike, etj. Sa për të konkretizuar idenë, çmimi i llojeve të ndryshme të bukës është rritur nga 22% deri në 58%. Çmimet e mishit dhe të produkteve blegtorale janë rritur me afërsisht 40%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Çmimet e karburanteve në vendin tonë janë më të larta se në Francë, se në Gjermani. Krahasimin me Maqedoninë e Veriut, me Malin e Zi dhe me Kosovën e njeh mirë gjithë publiku. Rritja e çmimeve në ndërtim dhe e qirave ka kaluar masën 10-15 %. Rritja masive e çmimeve të shitjes me pakicë në vendin tonë ka shkaktuar një rritje të pritshme të të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe veçanërisht të të ardhurave prej tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të të ardhurave prej akcizës. Nga pikëpamja teknike, kjo rritje duket si një aritmetikë e thjeshtë. Tatimi mbi vlerën e shtuar është një penalitet mbi konsumatorin dhe nëse çmimi i një produkti rritet, rritet natyrshëm edhe shuma e tatimit që shteti grumbullon prej agjentëve të vet fiskalë. Por, pikërisht mbas kësaj natyrshmërie aritmetike fshihet mungesa e dorës së shtetit, veçanërisht kur kujtojmë se 640 individë jetojnë në kushtet e skamjes ekstreme.

    SI KA QENË QASJA E DERITANISHME E INSTITUCIONEVE?

    Kuptimi i reagimit reaktiv tek institucioneve tona duhet kryer në një kontekst historik ekonomik. Që nga rënia e komunizmit, ekonomia shqiptare kaloi nga një ekonomi e filozofisë së mbështetjes në forcat e veta, pra, një ekonomi me prirje prodhuese, drejt një ekonomie shërbimesh, kryesisht tregtare. Ky ndryshim strukturor ekonomik preku specializimin e fuqisë punëtore, duke e transformuar atë nga një fuqi punëtore të diferencuar në aftësi, drejt një force pune të padiferencuar ose të diferencuar sipërfaqësisht. Kjo mungesë specializimi, që shpreh njëkohësisht mungesën e identifikimit të avantazhit konkurrues kombëtar, e shfaq veten ekonomikisht në deficitin e madh tregtar që Shqipëria ka ndaj botës, deficit që historikisht është mbuluar me remitancat e emigrantëve dhe së fundmi edhe me ekonominë ilegale që kryejmë me botën. Në terma të rritjes së çmimeve, deficiti i madh tregtar nënkupton se Shqipëria importon inflacionin e vendeve të tjera, pa e zbutur atë me prodhime vendase ose duke e zbutur në mënyrë të papërfillshme. E gjitha kjo u pa qartë kur, me fillimin e luftës në Ukrainë, vlera e euros pësoi një rritje të shpejtë ndaj lekut, duke kapur nivelin e 127 lekëve. Nevoja për t’i paraprirë mungesës së mallrave të importit, veçanërisht naftës e gazit, çoi në rritje të shpejtë të kërkesës vendase e për rrjedhojë në rivlerësim intensiv të euros. Duke e kuptuar shpejt se ekonomia shqiptare po vendosej mes dy zjarresh, atë të inflacionit të lartë dhe zhvlerësimit të lekut, që do të shpinte shumë shpejt në gërryerje masive të mirëqenies së shqiptarëve, Banka e Shqipërisë ndërhyri duke rritur ofertën e euros. Jo vetëm kaq, por BSH rriti normën bazë të interesit, duke tentuar në këtë mënyrë të frenonte sadopak rritjen e parashikuar të inflacionit përmes kufizimit të konsumit. Në këtë aspekt, BSH veproi shpejt dhe në mënyrën e duhur, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se veprimet e saj u ngjajnë injeksioneve që bëhen për të mbajtur në jetë një njeri të sëmurë. Një ekonomi nuk mund t’u mbijetojë krizave të zgjatura përmes injeksioneve, që vetëm sa e plogështojnë edhe më trupin e saj tashmë të drobitur.

    Në profilizimin afatgjatë të ekonomisë, rolin kryesor e ka më së shumti legjislativi dhe ekzekutivi. Në këtë drejtim duhet thënë se kemi dështuar me sukses. Mungojnë qartësia dhe kthjelltësia në politikat ekonomike. Politikat afatgjata nuk kanë krijuar një bosht apo shtyllë kurrizore ekonomike. Në prodhim, rezultati duket qartë në mungesën e krijimit të një sektori që të shërbejë si lokomotivë e rritjes. Sektori i ndërtimit, që aktualisht ka rritjen më të madhe, është në fakt lavatriçe e parasë së pisët dhe, ndonëse kontribuon kënaqshëm për momentin në buxhetin e shtetit, ky sektor prodhon kryesisht apartamente, mallra finalë konsumi që shtojnë pak vlerë në rritjen e mëtejshme ekonomike. Në konsum, dështimi duket qartë në mungesën e një klase të mesme, e cila në fakt është jo vetëm tregues i një ekonomie funksionale, por edhe shtrati i një demokracie të shëndetshme. Konsolidimi i shtresës së mesme ka bërë mbrapsht. Këto mungesa të mbartura dhe të thelluara me kohën, bëhen veçanërisht më të mprehta në momente krizash, sikurse kjo aktuale me rritjen e çmimeve. Për shkak të performancës së dobët në të kaluarën, qeveria është bllokuar në “cep të ringut” dhe rrjedhimisht nuk ka sesi t’i përgjigjet rritjes së çmimeve, madje po e shfrytëzon atë “për të vënë dhjamë” për vete, duke e lënë qytetarin ta përballojë i vetëm këtë rritje.

    Masat e marra nga qeveria, duke përjashtuar mosndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, por pa e garantuar as këtë, janë më së shumti masa kozmetike, që mundohen të krijojnë fasadën, alibinë e ndërhyrjes, por jo përkushtimin serioz dhe të përgjegjshëm për parashikimin e trajektores dhe reduktimin e efekteve. Bordet e transparencës nuk kanë bërë asgjë, përveçse kanë ratifikuar çmimet e diktuara nga tregu dhe në kushtet e taksave që vijojnë të mbeten të larta. Të ardhurat më të larta buxhetore, të realizuara përmes TVSH-së apo akcizës, nuk po i rishpërndahen publikut në formën e pagave më të larta apo reduktimit të taksave për të përballuar rritjen e çmimeve. Ndoshta qeveria mund t’i përdorë ato për reduktimin e borxhit apo rritjen e investimeve në të ardhmen, por për këtë mungon tërësisht transparenca e për pasojë qeveria i ngjan atij koprracit që i ka rënë lotaria.

    Si në çdo krizë, individuale apo kolektive, më të rëndësishmet janë reflektimet dhe mësimet që nxirren. Vendi ynë është përballur 2-3 vitet e fundit me kriza të njëpasnjëshme, ca globale e ca kombëtare. E ardhmja nuk premton reduktimin e tyre, përkundrazi. Për shkak të efekteve mjedisore e klimatike, ndërhyrjes së teknologjisë në të gjitha proceset e punës, rritjes së polaritetit ekonomik mes Perëndimit e Kinës që udhëhiqen nga ideologji të ndryshme, krizat mund të jenë realiteti normal në të cilin njerëzit do jetojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre. Për një vend të vogël si i yni, me potenciale prodhuese të kufizuara, pa avantazh konkurrues specifik dhe me probleme në drejtimin politik e ekonomik, mbetet kritik profilizimi i ekonomisë dhe mbështetja qeveritare për ta realizuar këtë sa më shpejt.

    ÇFARË DUHET BËRË?

    Ky është një diskutim i gjatë. Kjo është një temë delikate. Ajo që mund të thuhet me saktësi dhe të renditet ndër masat e para, ka të bëjë me kurajën dhe guximin për ta njohur fenomenin, për të vënë në lëvizje administratën që paguhet me tatimet dhe taksat që paguan publiku dhe që në finale kanë për mision pikërisht këtë fakt: të studiojnë dhe të propozojnë masa që ta bëjnë jetën e të jetuarit në Shqipëri sa më të qetë dhe sa më pak të vuajtur. Cili është dallimi dhe lehtësimi i barrës së krizës në rastin kur ka qeveri? Reagimi numër një ka të bëjë gjithashtu me ndjeshmërinë për të mos lejuar që shtesat e pambrojtura të goditen në mënyrë të pamëshirshme prej rënies së fuqisë së tyre blerëse. Pensionistët janë në kushte vërtet mizerabël. Ka njerëz që mendojnë se krizat le të godasin, ndaj tyre jemi të gjithë njëlloj të ekspozuar. Kjo mendësi është mesjetare. Ne mendojmë se shteti, sidomos qeveria, duhet t’u paraprijë fenomeneve. Sot, grupet e specialistëve duhet të studiojnë për atë se çfarë mund të ndodhë në dimrin e ardhshëm, në pranverën dhe verën e ardhshme. Prognozat janë mënyrat kryesore të qeverisjeve. Ndërhyrjet në sistemet tatimore, në përcaktimin e shkallëve tatimore, në futjen apo nxjerrjen nga strukturat tatimore të kategorive të ndryshme të biznesit, vetëm e vetëm për efekte elektorale, i shkaktojnë dëme aq të mëdha vendit, sa e tejkalojnë disafish efektin negativ të krizave. Ndryshimet e shpeshta të mënyrave të të tatuarit kanë dëmtuar kaq shumë kulturën tatimore dhe respektin ndaj shtetit, sa sot duket si anormale nëse duhet të paguajë tatime një biznes i vogël apo nuk duhet të paguajë?! Sot, paradoksi në vendin tonë duket si më normal se çdo fenomen normal. A është logjike që një restorant të paguajë tatime dhe taksa më pak se një mësues gjimnazi?! Nuk është normale, ndërkohë që është e vërtetë. E pra, të vërtetat nuk janë normale.

    Mendojmë gjithashtu se gjëja më e zgjuar që duhet bërë është të nxiten prodhimet vendase, të nxitet prodhimi i drithërave. Dikush, ndoshta që nuk thellohet, do të thotë që nuk ka kushte Shqipëria për prodhimin e drithërave. Kjo do të ishte gabim. Toka bujqësore nuk duhet lënë pa punuar. Çfarë gjë tjetër më të rëndësishme sesa një mision i tillë mund të angazhojë dhe impenjojë Ministrinë e Bujqësisë? Një pjesë e mirë e të ardhurave të shtuara të buxhetit të shtetit, shkaktuar vetëm prej rritjes së çmimeve, që sipas informacionit tonë kalon 370 milionë euro, mund dhe duhet përdorur për të zvogëluar dhe mjekuar plagët që dhëmbin nga rritja e çmimeve. Ndërhyrjet e Bankës Qendrore për të mbajtur nën kontroll kurset e këmbimit të lekut me valutat e huaja dhe shkalla e ndikimit të ekonomisë informale në këtë stabilitet nuk mund të zgjasë shumë, dhe mendojmë se në vend të ndikojë në drejtimin e duhur, e dëmton akoma më shumë ekonominë. Një pjesë e mirë e ekonomisë kombëtare, sidomos hapësirat rurale të disa rretheve me traditë në prodhimet ushqimore, në produktet bujqësore dhe veçanërisht në prodhimet blegtorale, është aq shumë e palidhur me tregun, sa kjo përbën në vetvete një dramë kombëtare. Shqetësimi është akoma më i thellë kur kupton se shteti nuk ka kujtesë dhe institucioneve të tij as u shkon ndërmend për këto rajone. Vëmendjen e buxhetit të shtetit dhe të politikave publike duket sikur e drejtojnë disa qendra të tjera vendimmarrëse, të cilat e ndryshojnë kursin e qeverisë si timoni i prishur i një makine të aksidentuar. Po, ka kaq shumë gjëra që mund dhe duhen bërë, sa mjafton vetëm një vullnet i mirë për të kuptuar se njerëzve u intereson thelbi, jo shfaqja, përmbajtja, jo fasadat. Duhet braktisur njëherë e përgjithmonë praktika e qeverisjeve që qytetarëve u kujton frikën dhe terrorin e fatkeqësive në vend të shpresës dhe zotësisë për t’u vënë fre dhe kufizuar efektet negative të rritjes së pakontrolluar të çmimeve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Rusia fitoi 93 miliardë euro nga eksporti i naftës që nga nisja e luftës

    Lajmi i rradhës

    “Në çdo tre muaj, elektro – distribucioni t’i kontrollojë matësit për shpenzimin e rrymës”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë