Zufer Bajrami
Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare
Para disa muajsh, profesori i njohur i së drejtës ndërkombëtare, Denko Maleski, në një nga analizat e tij përshkruan një episod interesant mes një ministri nga Maqedonia e Veriut dhe Henry Kissingerit. Sipas rrëfimit, në korridoret e Konferencës për Sigurinë në Mynih, ministri nga Maqedonia i afrohet Kissingerit dhe i thotë se është duke lexuar librin e tij Diplomacia. Kissinger e pyet: “Nga je?” Ministri i përgjigjet: “Nga Maqedonia.” Kissingeri i thotë: “Mos e lexo, nuk është për ty”.
Kjo përgjigje, në stilin origjinal të Kissingerit, mua më tingëllon më shumë si këshillë sesa si fyerje. Në një rend ndërkombëtar të ndërtuar mbi parime të realizmit klasik, shtete të vogla si Maqedonia e Veriut nuk kanë shumë hapësirë për protagonizëm dhe shumë shpesh janë objekt i kaosit realist.
Kam vërejtur se politikanët e Ballkanit, përfshirë edhe ata shqiptarë, në masë të madhe kanë një adhurim të veçantë për autorë si Henry Kissinger, Samuel Huntington dhe Francis Fukuyama. Këta autorë, tek tuk shfaqen si referenca prestigjioze në paraqitje politikanësh që synojnë të tingëllojnë “intelektualë”.
Në diskursin shqiptar, veçanërisht, Kissingeri ka një status gati mitik, shpesh dëgjohet fraza “ Kissinxheri osht baba”. Huntingtoni dhe teoria e tij mbi përplasjen e civilizimeve, atëherë kur u përkthye në shqip, më duket se tronditi skenën intelektuale shqiptare në një shkallë të tillë sa më duket se edhe Blendi Fevziu i kushtoi një Opinion të tërë. Ndërsa Fukuyama ish studenti i Huntingtonit njihet kudo për tezën e tij të famshe shumë disktua për Fundin e Historisë.
Nuk është problem leximi i këtyre autorëve. Në fakt, duhet te lexohet çdo autor. Por, problemi apo më mirë thënë qëllimi është leximi të jetë në shërbim të kuptimit e jo fragmente e copëza të tij te kontekstualizuara në një ombient tërësisht propagandistik. Politikanët tanë të “lexueshëm” në turin për të luajtur të mençurin,shpesh duken sikur sjellin Cecën dhe Karleushën në një bisedë ku flitet për operën.
Para disa ditësh, në rrjete sociale më shfaqet një video ku ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përpiqet t’i japë një kuptim “të thellë” fillimit të Pranverës Arabe. Ai shpjegon se ajo filloi me një shuplakë ndaj një shitësi cigaresh në Libi, dhe më pas përmend Fukuyamën dhe librin e tij Identiteti, duke theksuar rolin e krenarisë si ndjenjë që apelon për shpërthim.
Bujar Osmani e ka gabim në disa nivele!
E para, faktet nuk janë të sakta. Sipas vetë Fukuyamës, ngjarja ka ndodhur në Tunizi, jo në Libi. Mohamed Bouazizi nuk shiste cigare, por perime. Ai u poshtërua publikisht nga një police femër, iu konfiskuan peshoret elektronike, u pështy në fytyrë dhe pasi nuk mori drejtësi nga autoritetet, u vetëdogj.
Fukuyama nuk e idealizon aspak atë që quhet politika e identitetit (identity politics). Përkundrazi, ai e problematizon atë si një nga faktorët kryesorë që ushqejnë populizmin dhe polarizimin modern. Ai e sheh si një fenomen të rrezikshëm, jo si një burim shprese apo krenarie për grupe të margjinalizuara.
Së dyti, përpjekja e Bujar Osmanit për të krijuar paralele mes Pranverës Arabe dhe situatës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është jo vetëm e pakuptimtë, por edhe komplet kontradiktore. Shqiptarët e këtij vendi tashmë kanë kaluar përmes një “pranvere” në vitin 2001, një luftë e armatosur e ndjekur nga një marrëveshje paqeje, e cila duhej të garantonte barazinë dhe dinjitetin politik të shqiptarëve.
Ishte pikërisht Bujar Osmani që një vit më parë, si Ministër i Punëve të Jashtme, shëtiste nëpër seli ndërkombëtare duke proklamuar “historinë e suksesit” të Maqedonisë së Veriut. Atëherë, sipas tij, Maqedonia e Veriut kishte akomoduar të gjitha interesat e shqiptarëve dhe ishte model i mirë i bashkëjetesës multietnike. Në atë diskurs nuk përmendeshin emocione si poshtërimi, përjashtimi apo nevoja për “të ngritur kokën”, sepse, sipas tij, këto probleme ishin zgjidhur.
Mundohem të imagjinoj se çfarë do t’i kishte thënë Kissingeri Bujar Osmanit. Ma merr mendja njëjtë si atij ministrit në Mynih: “Mos e lexo. Nuk është për ty”. Sepse për të zbërthyer një fenomen, duhet më shumë sesa të citohet një autor me emër. Fillimisht duhet ta kuptosh kontekstin, kritikën, dhe mbi të gjitha kufizimet eventuale në zbërthimin e fenomenit.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.