Një protestë për t’u harruar

    Redi Shehu

    Kreu i pjesës më të madhe të Partisë Demokratike, z. Berisha, deklaroi se më datën 11 shkurt demokratët do të përballen me të vetmin produkt politik që opozita sot ka dhe di të bëjë, protestën. Ky është takimi i pafundmë i demokratëve me protestat që në kohën e largët të 2013-tës kur ëmbëlsia e pushtetit u kthye në idhtësinë e opozitës. Protestat janë mjete të domosdoshme dhe të dobishme, të cilat mbajnë gjallë temperaturën politike, ftillojnë maxhorancat dhe homogjenizojnë politikisht skalionet opozitare. Pra, në esencë protesta është energjia politike aq e nevojshme për të korrigjuar dhe ndryshuar gabimet e pafundme të maxhorancave. Por, ka një kusht ama që protesta të funksionojë, që energjia politike e prodhuar prej saj të transformohet në ndryshim.

    Ky kusht përmblidhet në besueshmërinë moralo-politike të thirrësve të saj. Shikoni vetëm pak se si protestat më të zëshme dhe më efektive te ne kane qenë protestat jopartiake të bëra në periudhën që përmendem më sipër. Ato kanë sfiduar në efektshmërinë e tyre të gjitha protestat partiake të zhvilluara në Shqipëri gjatë demokracisë. Protesta kundër lëndëve kimike, ajo e studentëve, si dhe protesta revoltë ndaj vrasjes së të riut Rasha nga pPolicia, janë tre kulminacionet, të cilat sollën ndryshime në politikat qeverisëse, shkarkime, si dhe tronditën realisht qeverinë e këtij vendi duke na treguar se çdo maxhorancë, sado e fuqishme të jetë, është e sfidueshme nëse kapet si duhet nervi politik i kauzave.

    Pra, fakti që të vetmet protesta, të cilat kanë ndikuar realisht në sistem dhe kanë arritur edhe të luhatin politikisht, pse jo edhe fasha të caktuara votuesish, kanë qenë protestat, të cilat nuk janë organizuar nga partitë politike. Madje, në këto protesta u refuzuan krerët e këtyre partive për t’i ruajtur të pastra ato nga ndotja. Këto fakte na japin një të dhënë të rëndësishme për sa u përket protestave te ne. Edhe pse organizimet partiake mund të rreshtojnë dhjetëra mijëra njerëz nën një koreografi spektakli politik, edhe pse janë të studiuara deri në detaje, nuk kanë arritur të kenë efektshmërinë e protestave spontane dhe të sinqerta të shoqërisë civile dhe studentëve. Me pak fjalë, protestat politike ndryshojnë nga protestat civile, sepse të parat janë nisur nga lart-poshtë shpesh me qëllime të personalizuara, ndërsa të dytat janë nisur nga poshtë-lart pa axhenda personale të liderëve politikë dhe pa slogane mashtruese.

    Partia Demokratike ka bërë tri protesta të mëdha që mund të konsiderohen protesta post-traumë, pas asaj që ndodhi me çarjen e PD-së. Ajo e korrikut, e nëntorit dhe ajo e 6 dhjetorit. Protesta e 11 shkurtit ishte e katërta në radhë, dhe u projektua si protesta më e madhe që PD e foltores do të bënte për shkak se u zhvillua në mesin e skandalit McGonigal dhe në pjesëmarrjen e saj do vinte e gjithë Shqipëria që do derdhej si lumë. U zotuan se do të ishin jo vetëm aleanca PD-PL, por edhe përfaqësues dhe mbështetës të grupimit Alibeaj. Ajo që vihet re në diagramin e protestave është se maja e spektaklit të z.Berisha ka qenë e para në korrik, pastaj të tjerat kanë shënuar rënie progresive në pjesëmarrje, deri në protestën e 11 shkurtit, e cila me plot gojë mund të cilësohet si bojkoti më i madh i bërë ndonjë partie të madhe në vend. Kjo protestë u cilësia si “revolta blu” ose “cunami” nga z.Berisha, por revolta e vërtetë ishte e atyre që munguan me shumicë në bulevard. Pyetja që të del natyrshëm, duke parë pjesëmarrjen e reduktuar në atë që pritej të ishte uragani shkatërrues për maxhorancën, është se si do të mund të shkojë në zgjedhjet lokale kjo PD me këtë lloj angazhimi politik vetëm tre muaj para zhvillimit të tyre? Rënia progresive e pjesëmarrjes shkon në raport të drejtë me rënien e besueshmërisë së lidershipit politik, gjuhën e drunjtë politike që ata përdorin, përsëritjen ekzaktësisht të të njëjtave metoda, njerëz dhe gabime si të 30 viteve të shkuara, si dhe mbylljen e partisë përkundrejt hapjes së domosdoshme të saj.

    Për të kuptuar psenë e asaj që ndodhi në protestën e 11 shkurtit, le t’u referohemi sondazheve të zhvilluara nga Barometri i “Euronews”, i cili na jep të dhëna të freskëta, që na lejojnë të analizojnë atë që ndodh politikisht te ne. Sipas sondazhit, mbështetja për z. Rama kishte rënë në muajin dhjetor 2022 në 36.8%, krahasuar me 51.5% të muajit qershor të po këtij viti. Mbështetja për z.Berisha kishte rënë në dhjetor 2022 në 21% krahasuar me 28.6% në muaji qershor. Z. Basha kishte një rënie në pikiatë, kjo edhe për faktin e dorëheqjes së tij nga Partia Demokratike. Në muajin dhjetor, Basha kishte rënë në 7.6% krahasuar me 45.4% të muajit prill të 2022-shit. Nga ana tjetër, sondazhi na tregon se kur shqiptarët u pyetën në 2023, se a po shkon vendi në drejtimin e gabuar, 63.7% e tyre mendonin se vendi po shkon në drejtim të gabuar krahasuar me 57.9% të vitit 2021. Akoma më interesant ishte rezultati i dalë nga pyetjet drejtuar anëtarëve të Partisë Socialiste. Kur socialistët u pyetën nëse vendi po shkon në drejtimin e duhur në 2023, 55% e tyre deklaruan se po, krahasuar me 76.4% të vitit 2021.

    Pra, shohim se në fund të 2022-shit liderët politikë kanë rënie të theksuar, ndërkohë që optimizmi për të ardhmen është në 2023 më keq se në 2021-ishin, kjo përfshirë edhe anëtarët e Partisë Socialiste. Me këtë peizazh politik, një opozitë normale do të kishte terrenin me pjellor për të akumuluar kapital politik dhe për të goditur maxhorancën, por kjo gjë nuk po ndodh. Në mesin e këtij pesimizmi për të ardhmen, protesta e opozitës u kthye në një protestë për t’u harruar sa më shpejt. Shifrat na japin shpjegimin më të qartë dhe më domethënës se pse bulevardi i datës 11 shkurt ishte bulevardi i bojkotit të të djathtëve. Në protestë nuk kishin dalë as të paktën 32 mijë anëtarët e PD-së së Tiranës. Shifra në rënie prej 21% për Berishën, tregon tragjikisht se pse PD-ja është kthyer në një parti që as bulevardin nuk e mbush dot. Nëse një pjesë e mirë e demokratëve të Tiranës nuk preferuan të dilnin, atëherë çfarë ngjyre do të marrë fytyra e z. Këlliçi, i cili në zgjedhjet lokale përballë ka një makineri të sofistikuar elektorale të kryetarit të Bashkisë?

    Më 11 shkurt, z. Berisha ndodhej brenda një kurthi dhe në të njëjtën kohë dileme politike nëse duhej të bënte protesta të dhunshme apo paqësore. Protesta e dhunshme do t’i shtonte kreditë z.Rama dhe do e largonte përfundimisht z.Berisha në honet më të errëta të universit politik. Ndërkohë që protesta paqësore do zhgënjente turmat. Ky është kurthi ku z. Berisha ka rënë. Por kurthi më i madh është ai që z. Berisha i ngriti vetes. Protesta mes të tjerash është edhe demonstrim force politike. Ajo e 11 shkurtit tregoi qartë se z.Berisha është në antikohën e tij, është më i vjetër politikisht se biologjikisht dhe këtë duket se ai dhe ndjekësit e tij nuk duan ta kuptojnë. Prandaj, të mos habitemi pse z. Rama, ndërkohë që protesta zhvillohej në shesh, postonte video duke u marrë me një instalacion, dixhitura e të cilit kollaj mund të quhej “Shqipëria 2030”.

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Nuk mund ta refuzonim planin franko-gjerman, sepse hynim në rrugën e konfrontimit me aleatët

    Lajmi i rradhës

    50 mijë euro nga MEPSO për tërmetin në Turqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë