Kur do të kthehen sytë tek arsimi?!

    OLA XAMA

    Nëse do të merreshim më pak me kronikë të zezë, lajme që orientohen mbi klikimet dhe do të bënim më shumë për interesin publik, patjetër që një shtyllë kryesore e raportimit tonë do të ishte për arsimin. E them këtë, sepse duke e neglizhuar si çështje debati, kemi harruar se, nëse duam që në të ardhmen të kemi zhvillim ekonomik, nuk mund ta bëjmë po të kemi një sistem edukimi mediokër dhe deri diku dhe kaotik. Gjatë leksioneve që merrja në lëndën “Hyrje në Ekonomi” më është kujtuar së fundi një analizë e modelit ekonomik të SHBA-ve dhe disa vendeve të tjera, kryesisht Kina dhe India. Krahu i punës në SHBA i mirëpaguar dhe disa herë më i lirë se në vendet aziatike. Shumica e mallrave që prodhojnë kompanitë amerikane bëhen në Kinë Meksikë e Brazil, vetëm se përfituesi kryesor në strukturën e çmimit të shitjes është kompania që ka patentën dhe markën. Pra, ajo që ka njohuritë dhe dijet nga zbulimi që ka bërë. Sfida për një vend të vogël si Shqipëria nuk është të jemi prodhues, por të jemi prodhues eficientë. Ekonomia nuk duhet të mbështetet te krahu i lirë i punës, siç është sektori fason, përpunimi dhe shumë industri të tjera që kanë qenë kontribuuesit kryesorë në prodhimin kombëtar të vendit, por te një nivel më i lartë, investimi që bëhet te dija i cili nis nga sistemi arsimor. Por çfarë ndodh sot në Shqipëri?! Nga bisedat që kam pasur me disa mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore në zonat rurale, kam konstatuar se për një ndryshim rutinë në portalin “Mësues për Shqipërinë” mijëra fëmijë qëndrojnë me ditë të tëra pa mësim disa herë në vit. Edhe pse portali ka sjellë shumë siguri për statusin dhe meritokracinë e mësuesit, nuk do të thotë që sistemi i tij të mos ndryshojë dhe përmirësohet. Ja se cilat janë dy nga problemet e tij:

    1). Afatet kohore të shpalljes së fituesve. Shpallja me vonesë e mësuesve që fitojnë vendin e punës pengon emërimet në kohë të kandidatëve dhe për pasojë procesi mësimor fillon me staf mësimor të reduktuar.

    2).Problemi tjetër ka të bëjë me faktin se udhëzimi u jep të drejtën kandidatëve për mësues që t’u ofrohen 3 vende të lira pune. Por çfarë ndodh?! Kandidati e pranon një vend pune të ofruar dhe firmos kontratën në shkollë. Kjo e fundit, harton orarin mësimor, ua shpërndan nxënësve/mësuesve dhe, papritur e pa kujtuar, të nesërmen kandidati ka firmosur një tjetër kontratë, pasi i është ofruar një tjetër vend i lirë. Ai prish në mënyrë të njëanshme kontratën dhe nxënësit mbeten pa mësim. Kjo “Odise” vazhdon gjatë gjithë vitit mësimor. Ndaj udhëzimi duhet riparë duke vendosur si kriter që kandidatit mund t’i ofrohen 3 vende të lira pune, por në momentin e firmosjes së kontratës, ai nuk mund të zgjedhë vend pune tjetër dhe kalon i fundit në ranikimin e portalit. Një tjetër pikë që lë vend për interpretim është udhëzimi i këtij viti për “Arsimin Parashkollor”, i cili u jep tagrin ligjor bashkive për kopshtet, veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda IAP-ve(shkollave) që, kur kopshti ka 5 ose më shumë grupe fëmijësh, bashkia mund (dhe jo duhet) të caktojë një drejtues kopshti, në të kundërt menaxhohen nga drejtoria e shkollës përkatëse. Cili është realiteti?!

    Bashkitë, duke keqinterpretuar këtë pikë të udhëzimit, caktojnë një drejtues kopshti, i cili drejton dhe menaxhon disa kopshte, por që në fakt nuk bën asgjë, sepse nuk mund të ndodhet fizikisht në të gjitha kopshtet, që janë në distancë të largët nga njëri-tjetri. Pra, kopshtet po trajtohen nga bashkitë si “plaçkë lufte”. A mund ta mendojë a besojë dikush se me këtë mënyrë funksionimi, ku edukatoret e këtyre kopshteve nuk vëzhgohen pothuajse asnjëherë përgjatë gjithë vitit, do të kemi arritje cilësore, fëmijë të parapërgatitur dhe të gatshëm për të filluar rrugëtimin e gjatë të dijes në arsimin bazë e më tej?! Problemi i cilësisë së edukimit thellohet po të konstatohet se vetë udhëzimi i nxjerrë nga Ministria e Arsimit në vitin 2020 për “Procedurat e Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Drejtorit të Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar” ndjek dy standarde.

    Një pikë e rëndësishme e këtij vendimi thotë se “Kandidati për drejtor i Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar duhet të ketë kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe të jetë certifikuar nga kjo shkollë.” Jemi në vitin shkollor 2023-2024 dhe shumë shkolla të Arsimit Parauniversitar drejtohen nga drejtorë të komanduar, të pacertifikuar dhe më keq akoma, nga drejtorë, që për ironi të fatit janë refuzuar nga “Shkolla e Drejtorëve”. Ndërkohë, “Shkolla e Drejtorëve” vazhdon të certifikojë kandidatë për drejtues të institucioneve arsimore. Kjo të bën të mendosh se dhjetëra mësues/drejtues të certifikuar, do ta vendosin këtë dëshmi në vend të kalendarit në mur, pasi këtë certifikatë “ nuk po e ha as qeni”.

    E them këtë, pasi edhe udhëzimi që pritet të dalë së shpejti ndjek dy standarde e rrëzon dhe vetë sloganin e Partisë Socialiste “Vetëm përpara!”, pasi ky udhëzim bën vetëm pas. Udhëzimi i 2020-ës ka si kriter që kandidati të jetë certifikuar, ndërsa udhëzimi i ri thotë se mjafton që kandidati të jetë pranuar nga Shkolla e Drejtorëve, por vetëm kandidatët dhe jo drejtuesit aktualë. Po ta shikosh nga një këndvështrim i shkujdesur, del në konkluzionin se hartuesit e këtij udhëzimi ose janë joprofesionistë të politikave arsimore, ose i hartojnë këto udhëzime nga çadrat apo kafenetë e plazheve. Por duke e studiuar me kujdes dhe lexuar “përtej rreshtave”, dalin qartazi qëllimet: mbrohen drejtuesit aktualë “patronazhistët”, shumë prej të cilëve janë pajisur me vërtetim pranimi, por që kanë 2-3 vite që nuk e ndjekin këtë trajnim dhe mbrohen ata që nuk janë pranuar nga Shkolla e Drejtorëve. Dhe jo vetëm kaq. Njëra prej procedurave që ndiqet për emërimin e drejtuesve të shkollave, shkel hapur parimin e meritokracisë, pasi nuk merr parasysh renditjen e dy kandidatëve fitues që nxjerr Komisioni i Vlerësimit, pra më të aftin, por i jep autoritetin vendimmarrës drejtorit rajonal të arsimit që të emërojë njërin prej kandidatëve, pavarësisht rankimit të tyre. Për të mos u ndalur te disa raste abuzive në Zyra Vendore Arsimore të caktuara, të cilat kanë marrë në konsideratë mandatpagesën e aplikimit dhe jo vërtetimin e pranimit apo certifikatën, thjesht një konkurrim fiktiv.

    Së fundi, të nderuar zyrtarë të lartë që drejtoni politikat e arsimit, a është e drejtë që: Mësuesit e zonave rurale, që për arsye banale të dikurshme (politike, nepotike apo dhe korruptive), që janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me vështirësi nga më të ndryshme, si: distanca që nuk u paguhet aq sa shpenzojnë, kushtet klimatike, indiferentizmin e prindërve të këtyre zonave, interes in e ulët të nxënësve, mungesën e bazës materialo – didaktike, e deri në përkujdesjen për fëmijë të caktuar lidhur me ushqyerjen dhe veshmbathjen e tyre, të përballen së fundi edhe me humbjen e vendit të punës?! Kjo është e dhimbshme. E them këtë, pasi fenomeni i shpopullimit më së shumti ka prekur dhe vazhdon të prekë zonat rurale dhe për pasojë kemi mbyllje klasash, shkollash, pra, humbjen e vendeve të punës të atyre mësuesve që kanë sakrifikuar në gjithë karrierën e tyre profesionale, vetëm e vetëm se “fati” i paska rënë të jenë mësues fshati. Këtë “të mirë” ua garanton udhëzimi për lëvizjet paralele, i cili favorizon mësuesit, që për arsyet e sipërpërmendura janë pozicionuar në shkolla “të sigurta”, pavarësisht aftësive të tyre. Duke iu referuar parimit të meritokracisë, kjo padrejtësi merr zgjidhje nqs., udhëzimi merr në konsideratë aftësinë e punonjësve arsimorë dhe jo vendin se ku ata ushtrojnë profesionin e tyre, sepse dihet që klasat dhe shkollat po mbyllen një e nga një në zonat rurale.

    Mjafton të përqasësh dy pika të këtij udhëzimi dhe kuptohet fare mirë se procedohet ndryshe për të emëruar një punonjës arsimor dhe ndryshe kur bie një vend pune. Për të emëruar një kandidat në një vend të lirë pune, procedura është e qartë dhe më se e drejtë, pasi emërohet kandidati fitues që ka më tepër pikë në portal dhe këtu merren parasysh të gjitha vendet e lira në ato Zyra Vendore Arsimi që ka përzgjedhur kandidati, por kur mbyllet një vend pune dhe kjo jo për fajin e mësuesit, procedura është diskriminuese, pasi konkurrimi bëhet vetëm brenda një shkolle dhe jo në rang ZVAP-je. Thënë shkurt, largohet nga puna mësuesi që ka sakrifikuar më tepër dhe jo më i paafti. Ajo që dua t’ju parashtroj si sugjerim ose zgjidhje për të zhbërë këtë padrejtësi, nga konsultimi që kam pasur me këta mësues është tepër e thjeshtë.

    Me mbylljen e një vendi pune, të një profili të caktuar, konkurrimi të bëhet në rang zyre vendore , njëlloj si në rastin e emërimit. Çdo Zyrë Arsimi, në koordinim me drejtoritë e shkollave, brenda një jave e ka të mundur të bëjë rankimin e të gjithë mësuesve sipas profileve, çka do të vendoste një të drejtë legjitime, duke larguar nga puna më të paaftët, dhe lënë në sistem ata që meritojnë. Nuk është e thënë qe revolucionet e mëdha dhe zhvillimi i së ardhmes të vendit të nisin nga ndryshime të mëdha, por nga gjërat e vogla dhe kthimi i vëmendjes te një proces shumë i rëndësishëm siç është edukimi, i cili për shkak të komercialitetit të ulët që ka, është lënë jashtë vëmendjes dhe nga vetë mediat! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ana e errët e digjitalizimit | Dhuna që buron nga teknologjia drejt grave

    Lajmi i rradhës

    Banorët e Çashkës edhe sot protestuan kundër mësimit në gjuhën shqipe

    Lajme tjera

    I kujt është qyteti?

    Rimarrja e hapësirës publike në Palermo, Marsejë dhe Prishtinë Jeta sot duket gjithnjë e më e paparashikueshme dhe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë