Kur Gadafi i shkruante letra presidentit Rugova

    Bajram Mjeku

    Pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 dhe fundit të luftërave në Bosnjë e Kroaci, bilanci ishte tragjik. Serbët kishin vrarë e masakruar mbi 250 mijë civilë të pafajshëm, duke aplikuar metodën e tokës së djegur. Tre vjet më vonë, vepruan njësoj edhe në Kosovë.

    Për ironinë e të gjithëve, pas Marrëveshjes së Dejtonit, kur shqiptarët në Kosovë nisi t’i mbërthente zhgënjimi i madh, ndodhi një ngjarje e pazakontë. Diktatori i Libisë, Muamar Gadafi, përmes telefaksit të Qendrës për Informim të Kosovës, nisi t’i dërgonte letra presidentit Rugova. Diktatori libian, paranojak dhe i sëmurë si gjithë diktatorët e botës, secilës letër duke dashur t’i jepte edhe frymë fetare e niste me mesazhin: “I dashur vëllai im Ibrahim Rugova!”. Mbasi letrat e tij ishin të gjata dhe të përkthyera në gjuhën shqipe dhe pasi, sipas tij, Kosova duhej të mbetej nën sovranitetin serb, në paragrafët e fundit diktatorit libian i rritej adrenalina dhe kërcënonte: “Ua kujtoj edhe një herë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe shefi i saj është miku im Sllobodan Millosheviq. Nuk është njerëzore që vëllezërit myslimanë të Kosovës t’i dërgosh drejtë katastrofës në luftë kundër popullit mik serb!”.

    Rugova proevropian me bindje dhe duke insistuar që e ardhmja e Kosovës të ishte një republikë rsekulare në familjen evropiane, injoroi diktatorin libian dhe nuk i ktheu asnjëherë përgjigje. Letrat e këtij të fundit përfundonin në kosh.

    Ironia është nëna e mizorisë. Menjëherë mbas ndërhyrjes së Aleancës veriatlantike dhe çlirimit të Kosovës, një diktator tjetër, shefi i Irakut, Sadam Husein, pasi kishte vite që ai dhe shteti që drejtonte ishte izoluar nga bota e qytetëruar, dekoroi kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, me urdhrin më të lartë të shtetit irakian. Për çfarë ia dedikonte këtë dekoratë Millosheviqit? Sigurisht për masakrat e ushtrisë serbe kundër “vëllezërve myslimanë” në Bosnjë dhe Kosovë!

    Pak vjet më vonë, marinsët amerikanë gjetën Huseinin të fshehur turpshëm në një vrimë afër vendlindjes së tij. Pas një gjyqi në Bagdad, Husein u ekzekutua me varje në litar. Husein ishte vrasësi më i madh i shekullit të kaluar. Vrau dhe helmoi mijëra kurdë e shitë. Pak vjet para se të ekzekutohej, ditën e festës së Bajramit nguli në hunj rreth dy mijë e pesëqind shitë si në epokën e Mesjetës.

    Edhe më turpshëm përfundoi homologu i tij Muamar Gadaf. Pas fshehjes për disa muaj në vendlindjen e tij në Sirte, më 20 tetor të vitit 2011 u nxor turpshëm nga kanali ku ishte fshehur dhe u tërhoq zvarrë nga bashkëpatriotët e tij si në filmat epik. Ekzekutimi i tij në rrugë ndodhi pesë vjet mbas ekzekutimit të Huseinit.

    Pak muaj para se të ekzekutohej diktatori libian, një delegacion kosovar i përbërë prej 128 vetash nga politikanë, biznesmenë e gazetarë, madje edhe të ashtuquajtur përfaqësues të shoqërisë civile ia mësyen për të vizituar Libinë, më saktë diktatorin e saj Muamar Gadaf. Delegacioni i Aleancës Kosova e Re udhëhiqej nga shefi i saj, biznesmeni Behgjet Pacolli, dhe zëvendësja e tij Mimoza Kusari-Lila. Vizita ndodhi në haremin e Gadafit në vendlindjen e tij në Sirte. Truprojat e diktatorit libian detyruan delegacionin kosovar të duartrokiste për disa minuta, derisa Gadafi të hynte në harem dhe derisa ky i fundit të jepte shenjë me dorë se mund të ndalonin duartrokitjet! U tha se vizita e delegacionit kosovar kishte për qëllim njohjen e shtetit më të ri të Kosovës nga Gadafi. Shteti kosovar nga Gadafi nuk u njoh kurrë. Asnjëherë nuk u tha se mbrapa kësaj vizite mund të qëndronte një agjendë personale, e cila lidhej ekskluzivisht me “magnatin” Pacolli.

    Gjatë pritjes, Gadafi bëri një veprim të çuditshëm, siç bëjnë gjithë diktatorët e botës. Si të jetë zgjuar nga makthi, mund t’i ketë shkrepur kujtesa kur pesëmbëdhjetë vjet më parë letrat e tij në favor të mikut dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, injoroheshin nga presidenti Rugova dhe përfundonin në kosh. I pasionuar për hakmarrje si gjithë diktatorët e botës, Gadafi detyroi delegacionin kosovar të vallëzonte para tij. Nuk u kënaq as me kaq. Truprojat e Gadafit, të ekzaltuar nga naiviteti dhe përulja e dinjitetit të delegacionit kosovar deri në babëzi, i detyroi këta të fundit që gjatë vallëzimit të mos ia kthenin shpinën, ndryshe diktatori do të prekej në sedër.

    Ku ishte arsyeja dhe kush ndërmjetësoi për vizitën bizare të delegacionit kosovar te tirani libian në haremin e tij në Sirte, nuk u mësua kurrë. Pak muaj më vonë kur Pacolli e Kusari u emëruan zëvendëskryeministra në Qeverinë e Kosovës, Gadafi u ekzekutua nga bashkëpatriotët e tij, të cilët i konsideronte robër dhe të cilët i terrorizoi më shumë se katër dekada.

    Lajmi Paraprak

    “Më mirë për Tetovën” takohet me pensionistët: Kërkojnë transport publik falas

    Lajmi i rradhës

    Vizita e Von der Leyen në Ballkan: Premtime të bukura, por asnjë mesazh të qartë

    Lajme tjera

    Forca e protestës

    LUÇIANO BOÇI Protesta e 7 korrikut ridimensionoi dhe njëhere politikën shqiptare duke shprishur përfundimisht perceptimet e ndërtuara deri…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë