Kurthet e “demokracisë së opinioneve”

    AGIM BAÇI

    Projekti më i kuptueshëm i asaj që ka paraprirë botën e sotme postmoderne është deviza: “Shkatërro dhe shpik!”. Kështu shprehet një nga teoricienët më të rëndësishëm të analizës së modernitetit dhe postmodernes, profesori i letërsisë së krahasuar në Indiana University, Matei Calinescu. Sipas tij, moderniteti fshihet më së shumti në relativizmin e përditshëm kulturor, një relativizëm që dallohet edhe më qartë kur dy institucionet që ruajnë te njeriu të shkuarën dhe imagjinatën — Biblioteka dhe Muzeu-, zhvendosen gjithnjë e më tepër në periferi të komunikimit të shoqërisë së sotme, duke u rrezikuar deri edhe në asgjësim.

    Kështu, të gjendur larg kujtesës për të shkuarën tonë dhe me një imagjinatë që na sugjerohet nga spektakli, ne nuk arrijmë më t’i shohim besimin në Zot, Familjen dhe Tjetrin si shtylla të rëndësishme të jetës sonë, por i shohim thjesht si emocione. Sipas Calinescut, kjo vjen për shkak se bota e të vërtetave relative ka në bazë të komunikimit të saj instinktin, një botë ku gjithkush krijon dhe shpik të vërtetat. “Postmodernizmi kërkon që e shkuara të imitojë të tashmen. Pra, kemi një kthim së prapthi të përvojës njerëzore, pasi e shkuara shpiket e rishpiket. Largimi i vetëdijshëm nga e shkuara dhe shpikja duke u nisur nga e sotmja e asaj që ka ndodhur dikur, rrezikon ta shmangë njeriun nga përgjegjësia, pasi ai jeton në mosmirënjohje dhe në mosvlerësim për atë që ka trashëguar”, shkruan Calinescu, duke theksuar se në postmodernizëm mbretëron pushteti i dëfrimit, një pushtet që sjell më pas edhe kompleksitetin.

    Dhe, në fakt, cilido prej nesh mund ta ndiejë sot natyrën e kompleksuar të shoqërisë, pasi në botën e madhe të dëfrimit, e vërteta dhe gënjeshtra, realiteti dhe miti, origjinali dhe imitimi, humbin kufijtë, pasi në thelb ajo që ka rëndësi është spektakli.

    Dhe kushdo e has lehtësisht se tipizimi së përditshmes sonë është Ivani, personazh i romanit “Vëllezërit Kramozov” të Dostojevskit, i cili teksa debaton me të vëllain, Alioshën, këmbëngul në devizën më të përhapur dhe më të pamundur për ta futur në shinat e logjikës – “Përse duhet të kem turp? Njeriu s’duhet të ketë turp nga asgjë”!

    Por, a ishte parashikuar?

    Duket sikur jemi përpara një realiteti që Edmond Burke e kish përshkruar në analizën e tij për pasojat e Revolucionit Francez, teksa shihte tek drejtuesit e tij dëshirën jo vetëm për t’iu larguar fesë, por edhe për të zotëruar shpirtrat e atyre që dikur besonin. Pra, prirja e institucioneve postmoderne për të larguar rolin e jashtëzakonshëm të fesë në përditshmëri, është në fakt edhe prirja për të krijuar fenë e re të ekonomisë, apo, siç mund të lexohet lehtësisht si “feja e çmimeve”, duke nënkuptuar se ajo që vendos më shumë nuk është vlera, por oferta e saj në treg.

    Nën pushtetin e “fesë së re të të mospasurit turp”, individi përballet me pengesa të panumërta për t’iu shmangur burgut të ri shoqëror, siç është ajo e ndjekjes së modës së spektaklit – një burg që mund të të përndjekë përmes një “policie të së tashmes”, që duartroket vetëm atë që e sheh besimin në Zot si diçka që meriton të jetë në një muze, si një pjesë e së shkuarës, ndërkohë që vetë të shkuarën e sheh krejtësisht të palidhur me të tashmen.

    DEBATET PËR FAMILJEN SI CENIM I SË PËRHERSHMES

    Rritja e sondazheve lidhur me nevojën apo jo të ndjekjes së traditës për ruajtjen e familjes, referendumet që fshihen pas lirisë individuale lidhur me orientimin seksual, braktisja e gjyshërve dhe e prindërve, si dhe planifikimi familjar në një pjesë jo të vogël martesash, pa dyshim që janë sot disa nga goditjet më të mëdha të betejës sonë shoqërore për të konsideruar të shkuarën si një shtyllë të rëndësishme nga ku burojnë shumë zgjidhje të rëndësishme për shoqërinë tonë. “Religjioni dhe familja janë dy sfera vlere. Mirëpo, i pari është gjithnjë e më i rrallë në jetën moderne urbane, ndërsa e dyta, familja, është duke e humbur statusin e vet si një forum ku mund të gjesh paqe dhe plotësim. Për shumë njerëz sot, puna dhe argëtimi janë të vetmet sfera që nënkuptojnë shoqërizimin. Dhe në këto dy sfera sfidohen më tepër vizionet tona politike”, shkruan esteti anglez Roger Scruton, teksa vëren se, nëse sondazhet nëpër shkolla në vitet ‘80 tregonin rritjen e kërkesave për mësues, mjek dhe financier, pas viteve 2000, këto sondazhe na tregonin parapëlqimet për: sport star, pop star dhe movie star. Pra, shkurt, një zëvendësim që nënkupton nga profesione që shërbejnë e që janë shoqërisht të respektueshme, në profesione që synojnë veçse argëtimin dhe individualizmin e thellë.

    HIPERDEMOKRACIA E OPINIONEVE

    Shoqëria e sotme vuan nga hiperdemokracia e opinioneve – një fushë e re e debatit, ku gjithkush mendon se duhet dhe mund të thotë gjithçka, madje duke vendosur se kë duhet të përndjekë në qilimin fluturues të akuzave që bëjnë xhiron e botës mbi gjithë sipërfaqen morale, duke e vënë atë nën vete, madje duke e shpërfillur gjithçka që ka të bëjë me besimin tek e përhershmja. “Pesha e klishesë bie mbi jetën reale”, shkruan Alain Finkielkraut në librin e tij “Një zemër inteligjente”, duke shpjeguar se njerëzit e çliruar nga tradita strehohen lehtësisht nën ombrellën e opinionit publik. Anonimati shoqëror, sipas Finkielkraut, zëvendëson pushtetin e bashkësisë. Pas këtij zëvendësimi, përdëllimi zëvendëson ndjeshmërinë përmes melodramës universale që luhet nga mbretërimi i opinioneve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Parcelat në Vodno”, Gruevski shpallet fajtor dhe dënohen me 7 vjet burg

    Lajmi i rradhës

    Studentët e UT-së bojkotojnë profesoreshën Besiana Mehmedi

    Lajme tjera

    Shkronja Y

    Donika Bakiu Në konsultim me disa anëtarë të Klubit të Librit-Tetovë, u pajtuam dhe nisëm një iniciativë gjatë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë