Kush nuk e thotë të vërtetën për incidentin në “Vetëm e vërteta”?

    Më 01.11.2023, në emisionin “Vetëm e vërteta” në TV Kanal 5, drejtori i televizionit, Ivan Mirçevski, i cili u kyç drejtpërsëdrejti, kërkoi që i ftuari Ismet Ramadani të largohej nga studioja, si dhe të ndërpritet emisioni.

    “Zoti Ramadani ju lutem të largoheni nga studioja. Zoti Ramadani, të largoheni nga studioja, po e ndërpres emisionin”, tha Mirçevski gjatë kyçjes së tij në emision.

    Pas incidentit, u prononcuan Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve  dhe Punonjësve Mediatikë dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë. “…Ngjarja mori rrjedhë shqetësuese kur drejtori i Kanal 5, Ivan Mirçevski intervenoi drejtpërdrejt në televizion, me kërkesë që Ramadani të largohej menjëherë nga studioja. SHGM, SPGM, KEMM shprehin shqetësim serioz lidhur me këtë ndërhyrje, sepse cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë editoriale, që është gurthemel i gazetarisë së pavarur. Veprimet e kësaj natyre mund të dëmtojnë pavarësinë e medias dhe rrezikojnë të cenojnë besimin e publikut në media në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

    Ndaj qëndrimit të SHGM-së, Mirçevski ka reaguar me publikim në ueb-faqen e televizionit i nënshkruar si “Drejtor i Kanal 5 TV MAQEDONIA”, ku mes tjerash pohon se është krijues, autor dhe redaktor i emisionit “Vetëm e vërteta”.

    Mirëpo, kur u kyç drejtpërsëdrejti, Mirçevski nuk ishte i prezantuar si krijues, autor dhe redaktor i emisionit “Vetëm e vërteta”, por si drejtor i televizionit.

    “…Kyçje kërkon edhe drejtori i televizionit Ivan Mirçevski…”, tha gazetari dhe drejtues i emisionit, Aleksandar Vidinovski, para kyçjes së Mirçevskit në emision.

    Siç e pamë, Mirçevski paraqitet si drejtor edhe kur i kërkon të ftuarit Ramadani të largohet nga emisioni, edhe kur urdhëron të ndërpritet emisioni. Përveç kësaj, në siglën çlajmëruese, Mirçevski është nënshkruar si drejtor, e jo si krijues, autor apo redaktor i emisionit “Vetëm e vërteta”.

    Ndonëse edhe në raste të tjera Mirçevski është prezantuar  si autor i emisionit “Vetëm e vërteta”, emri i tij nuk figuron në siglën çlajmëruese të emisionit si autor apo redaktor, që është obligim ligjor sipas nenit 14 të Ligjit për Media, por vetëm si drejtor.

    Nëse është e vërtetë që Mirçevski është autor dhe redaktor, atëherë sigla çlajmëruese e emisionit “Vetëm e vërteta” nuk e thotë të vërtetën dhe nuk e respekton Ligjin. Prandaj, pohimi i Mirçevskit se qenka krijues, autor dhe redaktor mund të interpretohet si manipulim, sepse nuk mbështetet me të dhënat nga sigla çlajmëruese e emisionit “Vetëm e vërteta”, ku ai u kyç si drejtor dhe kërkoi nga i ftuari Ismet Ramadani të largohet, ndërsa nga gazetari të ndërpresë emisionin. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm me anë të kamerave vëzhguese mund të shpëtohet Ohri nga mbeturinat

    Lajmi i rradhës

    Vladimir Putin pritet të mbetet në pushtet edhe pas vitit 2024

    Lajme tjera

    Live në gomone

    Klodi Leka Më 9 janar të 2004 edicioni informativ në Top Channel ndërpritet nga një telefonatë e cila…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë