Kuvendi që vulosi ndarjen e PD-së

    PREÇ ZOGAJ

    Pas kuvendit të së shtunës së kaluar ka mbetur edhe një formalitet i fundit, zgjedhja e kryetarit, për të përmbushur procesin e rithemelimit të PD-së si një parti sovraniste konservatore, siç e ka përcaktuar disa herë Sali Berisha. Ku sovranizmi, i paqartë se ku rreh realisht, synohet të jetë përmbajtje dhe thelb i saj. Ndërsa konservatorizmi një etiketë. Sikurse në stacionet e mëparshme ku ka kaluar ky proces disamujor, zgjedhja e kryetarit pas katër javësh nuk ngërthen asnjë lloj pritshmërie tjetër veç asaj që dihet: kryetari është Berisha. Me të drejtë. Pa i hyrë në hak asnjë prej mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Po të mos ishte një formalitet statusor, votimi i tij do të ishte i panevojshëm.

    Gjykata e Apelit do të vendosë kush do të mbajë ligjërisht emrin dhe vulën e asaj që për më shumë se tridhjetë e një vjet është quajtur PDSH. Vendimi në fjalë ka rëndësi për të sanksionuar vlerën që ka statuti i Partisë si ligji themelor që rregullon funksionimin e saj. Por jo në pikëpamje të rezultatit që ka zyrtarizuar tashmë lëvizja e Berishës pas shpalljes së tij non grata nga SHBA vitin e kaluar. PD është ndarë në dy grupime politike. Grupi i Rithemelimit dhe grupi i PD-së zyrtare (quhet kështu sa pa dalë vendimi i Apelit), që drejtohet nga kryetari në detyrë, Enkelejd Alibeaj. Ndarjakishte nisur që në krye të herës, tetë muaj më parë. Kuvendi i së shtunës e vulosi. Berisha mori pjesën e tij nga e tëra. Ndarja është reale, përmbajtjesore, dukshëm përtej kufijve të diversitetit të mendimeve brenda një partie. Vija kryesore ndarëse është ajo e raporteve me SHBA-të. Dëshmia më e qartë është mosmarrja pjesë e shumicës së deputetëve të Grupit Parlamentar Demokrat në Kuvendin e Berishës. Këta deputetë kanë kundërshti të ndryshme me njëri-tjetrin, por përkundrejt rithemelimit berishist i mban të bashkuar bindja e gjithsecilit për të mbajtur marrëdhënie të hapura e të ngushta me SHBA në vend të izolimit prej tyre. Marrëdhëniet me SHBA nuk janë e vetmja vijë ndarëse mes dy grupeve në PD. Nuk ka asnjë garanci se Partia Popullore Europiane (PPP), grupimi më i madh politik i partive të qendrës së djathtë në Europë, ku bën pjesë prej vitesh PDSH, do të jetë indiferente ndaj një PD të drejtuar apo zotëruar nga një non grata. Pa përjashtuar tjetrën që duke e rithemeluar si parti sovraniste-konservatore, Berisha me të tijtë të kërkojnë vetë të jenë pjesë e grupimit të partive simotra të kësaj stampe, ku shquan ajo e Marine Le Pen në Francë, Lega Nord apo Fratelli D’Italia në Itali, Fides e Kryeministrit Urban në Hungari e tjerë. Disa prej të cilave, si rregull, e manifestojnë “sovranizmin” e tyre kryesisht kundër SHBA, NAT0-s a BE-s, por duke qenë nën ombrellën e Rusisë prej nga kanë marrë edhe financime. Sovranizmi i tyre paraqet një spektër të gjerë qëndrimesh që përfshin deri shpërbërjen e Bashkimit Europian, një ide e vjetër që mbetet latente, pavarësisht modifikimeve pragmatiste të viteve të fundit. Po ashtu, ndalimin e zgjerimit me vende të tjera, pra, edhe me Shqipërinë.

    Partitë e vendeve anëtare të BE-së mund t’ia lejojnë vetes radikalizmin dhe populizmin që i identifikon përballë kundërshtarëve të tyre. Shqipëria nuk është ende në BE. Një parti e familjes sovraniste këtu, pa qenë akoma në BE, vetvetiu krijon keqkuptime në lidhje me qëndrimin e saj për integrimin e vendit në BE. Kjo duhet të sqarohet mirë.

    Sovranistët në Europë janë e djathta radikale. Populloret janë e djathta e moderuar. Dy grupet kanë identitete me vete. Ndaj nuk janë pjesë e një grupi unik. Në Itali grupet në fjalë paraqesin një opozitë plurale, ku Forca Italia, për shembull, është pjesë e Partive Popullore, ndërsa Lega Nord pjesë e grupit sovranist-reformist. Këto parti bëjnë koalicione elektorale të pjesshme apo të plota kur vinë zgjedhjet. Ky mund të ishte modeli për tu ndjekur nga opozita shqiptare pas krizës që ka çuar në ndarjen e PD-së në dy grupe. Bashkë si të ndryshëm kundër shumicës së Ramës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sulmuesit që mund ta çojnë Real Madridin në finalen e Ligës së Kampionëve

    Lajmi i rradhës

    Shkodran Tolaj deklarohet për keqpërdorimet në AShKVP : Çdo kush që punon edhe mund të gabojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë