Shkodran Tolaj deklarohet për keqpërdorimet në AShKVP : Çdo kush që punon edhe mund të gabojë

    Edhe pse raporti i Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese, ku janë konstatuar parregullsi në punën e Drejtorit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Shkodran Tolaj, ka dalë në shtator të vitit 2021, nga Ministria e Kulturës, sot thonë se ende po e shqyrtojnë procesverbalin e raportit.

    Alsat një ditë më parë publikoi detaje nga raporti ku Sektori për Mbikëqyrje Inspektuese ka konstatuar parregullsi të shumta në shpenzimet e drejtorit të Ansamblit Shkodran Tolaj. Kërkuam qëndrim nga Ministria e Kulturës dhe deklaratë nga vetë ministrja Bisera Kostadinovska Trajçevska për dy pyetje:

    Pyetje ndaj Ministrisë së Kulturës

    A ka Ministria e Kulturës informata për raportin e Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese për Ansamblin?

    Nëse ka, çfarë ka ndërmarrë?

    Por nga Ministria nuk morëm përgjigje konkrete. Na thanë se ministrja Kostadinovska Trajçevska është tepër e ngarkuar me punë, e më e lirë do të jetë nga dita e hënë. Pyetjeve iu përgjigjën me shkrim:

    “Po në Ministrinë e Kulturës, në Sektorin për veprimtari ka arritur procesverbal nga mbikëqyrja inspektuese e Sektorit për mbikëqyrje juridike dhe inspektuese, të kryer në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Në vijim është shqyrtimi i procesverbalit dhe plotësisht do të njoftoheni për hapat e mëtejshëm të Ministrisë”, thonë nga Ministria e Kulturës.

    Megjithatë nga Ministria e Kulturës nuk japin përgjigje konkrete nëse kanë marrë hapa për përgjegjësi ndaj drejtorit dhe si do të veprojnë më tej.

    Alsat kërkoi qëndrim edhe nga vetë drejtori Shkodran Tolaj përmes thirrjeve telefonike dhe SMS porosive. Drejtori Tolaj u paraqit në orët e pasdites ku tha se për momentin nuk mund të japë qëndrim të detajuar, sepse është tepër i angazhuar me punë. Ai vetëm tha se:
    “Çdo kush që punon edhe mund të gabojë. Për momentin nuk mund të jap deklaratë pasi jam tepër i angazhuar me organizimin e një koncerti. Do të mund të flas pas datës 9 maj”, tha Shkodran Tolaj, drejtor i Ansamblit.

    Në raportin e Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës, shkruan se nga ana e drejtorit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, Shkodran Tolaj, kanë hasur në keqpërdorime parash, shpenzime jashtë kornizave ligjore duke blerë bileta aeroplani për udhëtim jashtë vendit pa ia lejuar Ministria si dhe honorarë për udhëtime, pagesa kamatash dhe përmbarues për shkak të mos kryerjes në kohë të pagesave të domosdoshme, karburante për automjetin personal dhe parregullsi të tjera.

    Keqpërdorime parash në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare

    Në raport thuhet se drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj nuk ka respektuar nenin 70-b të Ligjit për Kulturë, dhe nuk ka dorëzuar dëshmi për shpenzimet e bëra pa arsyetim gjatë punës së Ansamblit për vitin 2020, por as edhe për vitin 2021.

    Gjatë vitit 2020 Ansambli ka shpenzuar pa arsyetim 109 430 mijë denarë prej të cilave

    –           50 430 denarë për dy bileta aeroplani dhe pagesë të honorarit për udhëtim në Doha të Katarit, për drejtorin dhe një të punësuar tjetër. Për këtë udhëtim, 36 000 denarë janë paguar për biletat e fluturimet dhe dy honorarë nga 6 765 denarë.

    –           9 000 denarë për token bankar,

    –           50 000 denarë për furnizimin me karburant për nevojat e drejtorit për veturën private, me të cilën është bërë shkelje e nenit 70-b paragrafi 4, i cili është i ndëshkueshëm në bazë të nenin 91-a, paragrafi 1, alinea 7 dhe paragrafi 2 i Ligjit për Kulturë.

    Raporti po ashtu thotë se gjatë inspektimit të punës së Ansamblit, është konstatuar se 12 998 denarë janë paguar kamata ndaj Drejtorisë për të Ardhurat Publike për shkak të pagesave jo në kohë të kontributeve për të punësuarit, 9 385 denarë janë bërë pagesa me detyrim përmes përmbaruesit.

    Në vitin 2020, Ansambli ka paguar si mjete të padedikuara 84 184 denarë, për shkak të faturave të papaguara për vitin 2019, ndaj një operatori për shërbime të telekomunikacionit, të cilat nëse paguheshin rregullisht do të kushtonin 56 465 denarë ose rreth 450 euro më pak.

    Gjatë vitit 2020, drejtori Shkodran Tolaj ka blerë 7 maska antismog në Prishtinë, në vlerë prej 32 euro, ndërsa në arsyetimin me shkrim thotë se i ka marrë jashtë vendit pasi nuk ka mundur t’i gjente në vendin tonë.

    Raporti i Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës thotë se gjatë inspektimit të punës së Ansamblit, drejtori Shkodran Tolaj ka paguar gjithsej 17 817 denarë shpenzime për fjetje në hotele dhe për ushqim në restorante për mysafirë nga jashtë vendit. Por në fatura, nuk ka specifikim të shpenzimeve dhe nuk ka llogari fiskale dhe vërtetim.

    Lajmi Paraprak

    Kuvendi që vulosi ndarjen e PD-së

    Lajmi i rradhës

    Sërish do të shtrenjtohet energjia elektrike në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë