Limani: Edukimi mediatik në shkolla është i domosdoshëm

    Limani: Edukim mediatik në shkolla, për konsum kritik të përmbajtjeve mediatike

    Të rrethuar nga medie dhe teknologji që synojnë të ndikojnë individin dhe shoqërinë, e në anën tjetër, një shoqëri e cila nuk di se si të mbrohet dhe si t’i shfrytëzojë të mirat që vijnë nga mediet dhe teknologjitë… Njohuritë që vijnë nga edukimi mediatik konsiderohen nga komunikologët si njohuri thelbësore për njeriun e kohës së sotme. Megjithatë, edukimi mediatik nuk është një shkop magjik që zgjidh të gjitha problemet tona, por, vlerësohet të jetë një nga mbrojtjet tona më të mira për të shmangur efektet negative dhe për të qenë më kritik ndaj mesazheve mediatike. Duket se qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë shumë të njohur këtë çështje. Në Indeksin e Edukimit Mediatik të krijuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofje, në vitet 2018, 2019 dhe 2021, Maqedonia e Veriut është në vendin e fundit në Evropë.

    Për të folur për këtë kemi intervistuar Dr. Artan Limani. Ai është doktor i shkencave, ekspert i komunikimit dhe rrjedhimisht një njohës shumë i mirë i medieve. Limani flet për nevojën e edukimit mediatik në vendin tonë që në arsimin fillor për t’u krijuar gjenerata që do të jenë konsumatorë kritik të përmbajtjeve të medieve. Në këtë kontekst, ai nuk e cilëson aspak të keq konceptin e ri arsimor të prezantuar një vit më parë, por thotë se ishte i centralizuar dhe se shkollat nuk kanë kapacitet për zbatimin e tij.

    Intervistë me Dr. Artan Limani
    Intervistoi: Fitim Marovci

    Bota sot është e mbushur me medie të shumta dhe njerëzit janë të rrethuar nga ato. Si rrjedhojë, njerëzit çdo ditë ekspozohen para mijëra mesazheve dhe informacioneve, lajmeve të rreme, propagandës, reklamave dhe kështu me radhë. Shume prej tyre mund t’i marrin si të vërteta vetëm për faktin se shfaqen në media. Në këtë kuptim si do ta përkufizonit edukimin mediatik, sa është i rëndësishëm ai?

    Mediet u zhvilluan me një shpejtësi të madhe mirëpo e gjithë kjo nuk ishte e papritur. Që nga fillimi i shekullit 21, atë e kemi klasifikuar si shekulli i ndryshimeve të mëdha. Domethënë, shkencëtarët, hulumtuesit dhe inovatorët kanë punuar gjatë gjithë kohës të zhvillojnë teknologji të reja dhe moderne dhe konform tyre është zhvilluar edhe peizazhi medial, i cili sot është tepër i madh dhe i bollshëm. Për njerëzit e rëndomtë të cilët nuk e kanë ndjekur këtë zhvillim të hovshëm apo edhe nuk e kanë studiuar në mënyrë kritike, analitike, akademike apo edhe shkencore, kjo që ndodh sot në botën e internetit është e pashpjegueshme. Si rezultat, shumica e njerëzve në botë e kanë pranuar internetin si të gatshëm dhe shfrytëzojnë aplikacione, kryesisht në telefonat e vet për t’u informuar, por pa e ditur se çfarë gjurmë lënë ata në hapësirën e internetit nëpër të cilën kalojnë. Këtë informatë e dinë shume mirë ata që punojnë për të krijuar “content” dhe atë e kurdisin në bazë të konsumatorëve të vet.

    Pra edukimi mediatik është mëse i domosdoshëm edhe atë në forma të ndryshme, duke filluar nga arsimi formal, joformal, e deri te arsimi i gjeneratave më të vjetra nëpërmjet programeve të arsimit të vazhdueshëm. Këtu universitetet publike duhet të luajnë rol të rëndësishëm shoqëror duke krijuar programe për arsim mediatik për të gjitha grupmoshat në shoqëri.

    Për disa vite me radhë në Indeksin e Edukimit Mediatik të krijuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofje, Maqedonia e Veriut është në vendin e fundit dhe sipas këtij raporti Maqedonia e Veriut dhe disa vende të tjera të Ballkanit kanë një potencial të ulët për t’u marrë me dezinformimin. Duke pasur parasysh të gjitha këto a mendoni se duhet të kemi një lëndë si edukimi mediatik në kurrikulën arsimore dhe në cilën fazë të arsimimit do duhej ta kishim?

    Fillimisht edukimi mediatik duhet të inkuadrohet në të gjitha lëndët që nxënësit i mësojnë në shkollën fillore. Kisha thënë që edukim mediatik mund të inkuadrohet edhe në programet parashkollore, gjithmonë duke pasur parasysh potencialin e fëmijëve të kësaj kohe të krijojnë integritet mediatik që nga vitet e hershme të zhvillimit te tyre. Pra një qasje interdisciplinare e edukimit mediatik e inkuadruar në të gjitha lëndët që nxënësit ndjekin do të ishte mënyra më e mirë për shkollimin fillor të inkuadrojë edukim mediatik. Kurse në shkollë të mesme, ky lloj edukimi duhet të marrë formë më serioze dhe të ofrohet si lëndë e veçantë e cila do të mësohej gjatë tërë shkollimit të mesëm në forma progresive pedagogjike, nëpërmjet projekteve dhe problemeve praktike. Në fakultet lënda duhet të jetë pjesë e edukimit të përgjithshëm, model ky që i mungon shkollimit të lartë në vendin tonë e në Ballkan në përgjithësi.

    A kemi ne njerëz të cilët janë të përgatitur për ta ligjëruar këtë lëndë?

    Momentalisht nuk kemi mirëpo mundemi të krijojmë kapital njerëzor të cilët do t’i kishin prijë këtij projekti të madh. Këta janë studentët e fakulteteve të gazetarisë e komunikimit të cilët kanë kapacitet jashtëzakonisht të madh për t’u kyçur në këtë proces jetik arsimor.

    Duke e ditur që vendi ynë është një vend multikulturor, sa do t’i ndihmonte Edukimi mediatik të rinjtë për të pasur një vizion pozitiv për diversitetin dhe bashkëjetesën me kultura të ndryshme, ndoshta do të ishin më të ndërgjegjshëm për mënyrën se si mediet kanë mundësinë për të portretizuar grupe të caktuara në një mënyrë të caktuar?

    Konsumimi kritik i medieve është çelësi që çdo qytetar të jetë vigjilent dhe i informuar sa duhet për të patur një botëkuptim optimal për ngjarjet dhe proceset shoqërore. Edukimi mediatitk në vete nuk ngërthen shkathtësim me kompetenca multikulurore mirëpo ai mund të krijojë parakushte që konsumuesi i hapësirës mediatike të kuptojë se bota është diverse dhe se nuk ekzistojnë as shtete e as kontinente monoetnike apo monokulturore dhe se diversiteti është përparësi e jo mangësi e një shoqërie. Pra, në qoftë se një person di me integritet të vlerësojë vlerën e një hapësire të caktuar mediatike ajo ose ai do të mund të rezistojë mesazhet e mbushura me qëllime denigruese ndaj një grupi apo kulture. Prandaj, sa më pak konsum mediatik e sa më shumë integritet të fituar nëpërmjet edukimit e civilizimit.

    Duket se kemi një nevojë të madhe për mendim kritik por sa do të ishte efektive kjo lëndë në qoftë se ne kemi një sistem të tërë arsimor që nxit nxënësit në mësim mekanik ose memorizim, në vend që të kemi nxënës ose studentë aktivë të cilët studiojnë në kuptimin e plotë të fjalës? Në këndvështrimin tuaj, sa po punon shteti ynë për të zhvilluar sistemin arsimor dhe ndoshta çfarë ndryshimesh do të propozonit ju?

    Për të ndryshuar sistemin arsimor neve na nevojitet një proces tridhjetë vjeçar. Domethënë, të kishim filluar që nga mëvetësimi i shtetit ta ndërtojmë një sistem dinamik të arsimit i cili do të modernizoheshte në hap me kohën, atëherë sot nuk do të duhej të fillojmë nga zero. Shtetet me arsim të fuqishëm dhe me ndikim të lartë reformat i kanë nisur qe nga vitet e 70-ta dhe tani janë duke i parë rezultatet e një pune të gjatë e të lodhshme. Koncepti i ri i arsimit fillor qe u krijua vitin e kaluar në vete nuk është i keq aspak. I njëjti është një bazament i mirë për zhvillim të mëtejshëm mirëpo është i nisur në mënyrë të centralizuar e cila është e kundërta që kanë bërë shtetet e zhvilluara që kanë sistem arsimor cilësor. Kjo është e para kurse çështja e dytë brengosëse është se shkollat as nuk kanë kapacitet të zbatojnë koncepte të reja e as e kanë idenë se për çfarë bëhet fjalë në konceptin e ri. Pra, në qoftë se shkollat nuk janë pjesë përbërëse e reformës ku ato do të jenë edhe përfituesit por edhe bartësit e reformës, atëherë një reformë e tillë nuk do të sheh dritë dhe sukses. Për fund, reforma në arsim duhet të nisë nga universitetet që mandej efekti të jetë zinxhir në krejt sistemin pasi që prej në universitete dalin mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Me këtë reformë do të ndryshonim edhe didaktikën, pedagogjinë, dhe të demokratizojmë nxënien e dijes me një qasje liberale e ndërkombëtare. Ndërkombëtarizimi i sistemit të lartë arsimor është çelësi për të përmbyllur suksesshëm reformat në arsim.

    Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e ShBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së ShBA-ve.

    Lajmi Paraprak

    Gjykata e Apelit pa vendim për rastin “Alfa”

    Lajmi i rradhës

    Dy herë janë konstatuar keqpërdorime të fondeve të AShKVSh nga drejtori Shkodran Tolaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë