“Fajet” e Fuqive të Mëdha ndaj shqiptarëve vazhdojnë

    HYQMET ZANE 

    Para ca kohësh isha pjesëmarrës i ftuar nga vetë lideri i opozitës shqiptare, prof.dr. Sali Berisha, në një konferencë, ku u paraqit raport për të vërtetat “non-grata” të Sali Berishës për “Korrupsionin transnacional të zyrtarëve si armë për të shkatërruar opozitën” ishte angazhimi i ditës për opozitën përmes liderit të saj.

    Nuk jam avokat i tij, as mbrojtës i tij, se këtë ai e bën me stafin e avokatëve dhe vetë ai shumë mirë. Dëgjova me vëmendje gjithë referencën e Doktorit si një anamnezë për çka gjeneron nga e gjithë situata e panderë që po kalojnë shqiptarët jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë. Ishte një paraqitje e sinqertë e një burri, që në moshën e tij ka vetëm të vërteta shumë të nevojshme, po aq sa edhe të domosdoshme për të kuptuar realitetin ku jetojnë dhe pasojat që vijnë nga qëndrimet antishqiptare të atyre, që po e shohin kombin tonë përmes syzeve ruse apo sllavomëdhaja. Pata rastin të bëja edhe unë pyetjen e radhës, që do desha t’i trajtoja në këtë refleksion, pasi e dëgjova me vëmendje liderin Berisha.

    Pyeta se e gjithë kjo panoramë që përjetojnë shqiptarët dhe ajo që analizoi vetë kryetari i demokratëve, si duhet të mendojmë ne të mediave dhe personalitetet që lusim që Amerika është shteti i së drejtës dhe human, qytetari i thjeshtë shqiptar si duhet ta kuptojë? Pyeta edhe se që nga 1913-ta kur u luajt prologu antishqiptar i Konferencës së Ambasadorëve deri te Kim Filldi (britanik) dhe sot McGonigal-ët që gjithnjë lidhen me Rusinë, çfarë emri i duhet vënë kësaj panorame, kur më 1946 personaliteti i madh, Lef Nosi, trokiti në derën e Konsullatës angleze për të kërkuar strehim politik, ata ia mbyllën derën dhe komunistët e pushkatuan.

    Si duhen kuptuar këto qëndrime jo të bazuara dhe me faje. Menjëherë më erdhi si kujtesë një foto e parë diku të monumentit të Skënderbeut në Krujë, në një moment perëndimi të diellit. Duke medituar, iu drejtova Heroit Kombëtar: “Po ku je Skënderbe, o bir i Kastriotëve që u shndërrove në ‘Atlet i Krishterimit’ që u bëre ‘Parzmore e qytetërimit Europian’ dhe ata të kësaj Europe ta lanë kombin në copëtim dhe gjenocid pa asnjë drejtësi?!

    Ku je Gjergj, o bir i dashur i Arbërisë dhe i Vatikanit që të tradhtuan ty dhe kombin tënd, duke e lënë jashtë dyerve të Europës për të cilën ti sakrifikove dhe ata ta punuan me pabesi?! Ti, Gjergj Kastrioti Skënderbe, ishe ‘Palla e Parë e Perandorisë Osmane, porse ti, përkundër kësaj’ doje Perëndimin dhe tani e shikon nga memoriali i Krujës se Europa të la në Lindje ku ti shërbeve dhe fitove beteja, Eh, si është kjo botë, o i madhi Skënderbe, ti besove tek Europa dhe ajo tregohet siç thoshte At Gjergj Fishta

    Uh! Evropë, ti kurva motit!

    Që i re mohit besës së Zotit !

    Po, a ky asht shejt i qytetnisë ?

    Me da tokën e Shqypnisë,

    Për me mbajt klysht e Rusisë?

    Ishe ti që i dhe lavdi kombit tënd dhe sot kanë dalë ca ‘skenderberuca’, që hiqen sikur ti dhe bëjnë rolin e të pabesëve ndaj kombit tënd. Ku je o bir i Zotit që dhe, siç e thoshe vetë, ‘trashëgimtar i Pirros së Epirit’ që sot jemi në mëshirën e fatit, në udhëkryqin e historisë përballë atyre që ti i luftove dhe grekë e serbë u bënë bashkë kundër kombit tënd”.

    PAK REFLEKSION!

    E gjithë panorama e asaj që po shohin e dëgjojnë shqiptarët dhe ajo që shpalosi janë dokumentime dhe një analizë e tyre që bëri edhe Berisha për megakorrupsionin me incerenatorët imagjinarë për të cilët derdhen me miliona euro. Thuhet se do djegin plehra, ku plehurishta e pushtllëqeve është aq e madhe saqë shqiptarët po i çudisin më shumë se sa kaq, është heshtja e ndërkombëtarëve që nga ambasada amerikane dhe ajo britanike, që përkundër kësaj, janë ata që kanë ndikuar në dhënien “non-grata” për Sali Berishën si shërbesë e Kryeministrit Rama ndaj padronit Soros.

    Në një kohë që jeta e shqiptarëve varfërohet nga “incerenatorët” vjedhës të qeverisjes, ku dalin sheshit shumatorja e dokumentacionit, e vërteta mbi qëllimin pse u dha “nongrata” që të çon te mendimi se këta që janë partnerët tanë të mëdhenj, a kanë sy të shikojnë, a kanë veshë të dëgjojnë, a kanë mendje të gjykojnë për çka vlon kazani i hajdutërisë dhe i mafies së plehrave, që thithin paratë e taksapaguesve shqiptarë për interesa private.

    Veç incerenatorëve, janë edhe tërësia e PPP-ve dhe Sterilizimi e Check, me anijet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, që do të prodhonin energji dhe nuk prodhuan dot asnjë kilovat e sa e sa hajdutëri të tjera galoponte, që janë bërë potencialisht vepra të vjedhjeve që po i bëhet një populli dhe që kanë dëmtuar të ardhmen e shqiptarëve. Po ndërkombëtarët çfarë bëjnë? Sehir?! apo i arkivojnë? Apo mos ndoshta janë bërë palë me ata që heshtin për grabitjen galopante të një kombi, duke iu bërë palë në këtë “incerenator hajdutërie” dhe nuk kanë gjë tjetër për të bërë, veç piketojnë se kë do bëjnë “non-grata” për të mbyllur gojën e së vërtetës.

    Për paralelizëm them se nëse kjo situatë do të ndodhte në vendin e tyre, çfarë do të kishte ndodhur? Përse heshtin ata që na kërkuan dhe aplikuan me urgjencë reformën në drejtësi që po bën gjykime të padrejta dhe nuk sillen me drejtësi ndaj “përfituesve” të kësaj drejtësie që po shkakton një megaskandal me emra konkretë të niveleve të larta, ku i pari i qeverisjes kërkon të lajë duart me shprehjen se “përgjegjësia është individuale”. Këta që ne i kemi partnerët tanë strategjikë si nuk i shqetëson fakti që çka po ndodh me këtë qeverisje, që në raportet e DASH dhe ato të tjera ndërkombëtare nxihet puna e qeverisjes dhe nga ana tjetër askush nuk vepron.

    Cili është ai që me një të rënë të lapsit shuan me gomë poshtërsitë dhe hajdutëritë që i bëhen këtij populli? Ata që i dhanë nder kombit shqiptar 100 e ca vjet më parë duket se kanë vdekur dhe kanë ardhur këta të tjerët me emrin “sorristë” si strategji gjeopolitike globale me kundrapunte të papranueshme, me interesa ruse në dëm të shqiptarëve. Njëherazi, ajo që po ndodh sot në Kosovë ku ngjarjet në veriun e Mitrovicës po vërtetojnë se cilat janë qëllimet e Sorosit që ka “emëruar” Edi Ramën si mëkëmbës të tij në këtë rajon. Pikërisht këtu zë fill “Ballkani i Hapur” si një karagjozllëk që nisi si një lojë dhe përfundoi si një karshillëk ndaj projektit të Berlinit, që ka brenda seriozitetin e praktikave që duhen zbatuar në raportet KosovëSerbi.

    Edhe pse Kryeministri i Kosovës mban qëndrime dinjitoze me qeverisjen e tij, po duket sheshit se aleatët e mëdhenj që dikur u thoshim Fuqitë e Mëdha po sillen si memecë dhe flasin herë pas here me tone anti-Kurti, në një kohë që populli i Kosovës i ka besuar, e do dhe e voton Albin Kurtit në misionin e tij për t’i shërbyer Kosovës dhe kosovarëve dhe jo korrupsionit të agjentëve ndërkombëtarë. Nuk dua të besoj thënien e Windos Churchill kur shprehet se “amerikanët bëjnë 10 gjera keq, për të bërë një gjë mirë”. Kompleksi i fajit në këtë rast nuk ka lidhje me ne, por ka ndikim tek ne, sepse ai gabim që bënë anglezët në qershor 1944 që i dhanë dorë dhe i lanë terren andartëve grek të Napoleon Zervës, që të zbatonin planin gjakatar deri në gjenocid.

    Dokumentet britanike të kohës hedhin më shumë dritë mbi tragjedinë e shqiptarëve të Çamërisë. Një dosje prej dhjetëra faqesh e vitit 1945, e hartuar nga Ministria e Jashtme britanike, i dedikohet dëbimit të shqiptarëve dhe përgjegjësisë së çdo pale, madje edhe të vetë britanikëve dhe rolit të tyre në këtë dëbim. Dosja me kodin HS 5/91 përmban korrespondencat e kohës së oficerëve britanikë në terren me komandën e tyre në Bari të Italisë, si dhe disa raporte interesante. Po kush kërkoi falje, kush vuri në vend të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë? Askush! Vitet u bënë dekada dhe faji mbeti jetim dhe gjenocidi i pandëshkuar.

    Kështu po ndodh sot në Shqipëri, ku qeverisja po trash zullumet dhe dokumentet flasin më shumë se fjalët dhe të vetmit që heshtin janë ata që i dhanë mbështetje Edi Ramës të bëjë këtë që ka bërë, të vjedhë si të dojë dhe sa të dojë me suitën e tij të rilindjes së zezë, të blejë zgjedhjet si në asnjë vend tjetër demokratik, të çojë deri në fund sipas porositësit Soros të shkatërrimit të opozitarizmit dhe pluralizmit në Shqipëri, të sillet si kapadai dhe “fajin e ka Berisha” që thotë të vërtetat.

    EPILOG

    Thuhet një fjalë nga anët e Skënderbeut se “Kur drejton i keqi, popullin e merr dreqi”. Nuk besoj se këto Fuqitë e Mëdha partnerë të shqiptarëve kanë caktuar Edi Ramën që ta shkatërrojë kombin shqiptar për të bërë eksperimente me durimin dhe pasojat katastrofike që Sali Berisha i tha hapur me një raport konkret e faqe botës.

    Për këtë realitet u bë parzmore e Europës Skënderbeu ynë? Për këtë copëtim dhe mbjellje të farave të këqija në truallin shqiptar ishte “Atlet i Krishterimit” Gjergj Kastrioti? Kam bindjen se ka mbetur proverbiale se, “edhe Skënderbeu të çohet nga varri nuk ndreqet ky vend”. Por gjithnjë ka shpresë se pas një perëndimi dielli dhe një nate të zezë, dielli do të lindë edhe për shqiptarët. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gjykata e OKB-së pranon kryesisht akuzën kundër Rusisë

    Lajmi i rradhës

    Liria dhe përgjegjësia në profesionin mjekësor

    Lajme tjera

    Zgjohu Europë

     Christian Schwarz-Schilling Vitin e kaluar, në këtë kohë u festua 25 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, që i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë