Jasir Jashari
Kush e caktoi çmimin e kurbanit të sivjetmë? Cili komision! Cili organ e miratoi këtë çmim? A pati tender për thertoret? A pati tender për frigoriferët për maganizimin e mishit? Tender për shitjen e lëkurave të kurbanëve, apo, sivjet ky kontribut i myslimanëve të vendit do të refuzohet? Me ligjet e vendit, gjithçka që shkon mbi vlerën prej 5000 eurove i nënshtrohet procedurës së tenderimit nuk guxon të ketë marrëveshje në katër sy.
Në Facebook-un e të ashtuquajturit reis, Shaqir Fetait, na është postuar një reklamë e BFI-së që ka të bëjë me kurbanët e sivjetmë. Mbi trupin e lopës (pra, jo të deles apo dashit) na është vendosur çmimi prej 160 euro, me qëllim që të krijohet një përshtypje e gabueshme se kaq kushton “ky kurban”! Manipulim i radhës!
Askush në BFI nuk di të na thotë se si u arrit deri te ky çmim! Askush nuk di të na thotë as përgjigjen tjetër që ka të bëjë rrreth donimit të kurbanit! Në fakt, a do të ketë sivjet dhurim të kurbanit, sepse, pllakati zyrtar na thotë: “Pagesa bëhet në:… dhe numërohen vendet se ku mund të bëhet pagesa! Po ata që dëshirojë të dhurojnë kurban të gjallë! Do të refuzohen? Nuk ka pikë grumbullimi të gjësë së gjallë që do të dhurohet për kurban?! Domethënë që, këtë BFI-ja merr vetëm pagesa për kurban, por jo edhe kurban të gjallë!
Manipulimi i radhës, më flagranti është ai që thekson: “Dhuro kurbanin tënd për medresenë”! Për cilën medrese? Për atë medrese që sivjet i pati 20 maturantë dhe 18 profesorë? Megjithatë, kërkesa është “korrekte”, sepse, kërkohet për medrese e jo për medresantët, sepse, me medrese përfshihen edhe profesorët, edhe edukatorët, edhe personeli teknik i medresesë, edhe rojtarët, edhe kuzhinierët. Duke marrë në përgjithësi, ky staf është dyfish më i madh se i nxënësve, të cilët, vit për vit janë në numër më të vogël!
Por, shtrohet pyetja se cila është ajo sasi e mishit e cila do të ishte e mjaftueshme për një vit për medresenë! Sa ton mish duhet që brenda një viti të ushqehen mirë nxënësit si dhe ky staf që dyfish tejkalon numrin e nxënësve, të cilët, fundja, e paguajnë ushqimin e vet përmes participimit për t’u regjistruar në medrese!
Nga sasia e përgjithshme e mishit të kurbanit që mblidhet çdo vit, nuk shkon më shumë se një e treta për nevojat e medresesë, sepse mjafton kjo sasi! Pjesa tjetër, thuhet se shpërndahet ndër të varfërit, fukarenjtë, të ngratët dhe ata që janë në nevojë në vendin tonë!
Prandaj, nuk është mirë që BFI-ja edhe më tej të manipulojë dhe në emër të medresesë të tubojë kotribute të cilat në sasi shumë të vogla përfundojnë për nevojat e kësaj vatre mësimore fetare. BFI-ja duhet të kërkojë të propagojë dhe të sensibilzojë opinionin mysliman të vendit që të dhurojnë kurbanë për ta zhvilluar humanitetit institucional në vendin tonë, që në mënyrë institucionale të shpërndahet kurbani atje ku e do nevoja. Institucioni më i lartë fetar islam të vë dorë në çdo sofër të myslimanit skamnorë të vendit.
Po pse të bëhet pagesa e kurbanëve nëpër organet e caktuara të BFI-së dhe jo të dhurohet kurbani si gjë e gjallë? Sepse, shpenzimet do të jenë më të mëdha dhe fitimi do të jetë më i vogël. Pra, nuk bëhet fjalë që të sigurohet mishi për medresenë, por të fitohet sa më shumë nga kurbani!
Nuk ka pagesë për therrje, për rrjepje, për magazina-frigoriferë, për ushqyerje deri sa të theren. Edhe diçka, po flitet se sivjet, pagesa për kurbanat do të jetë i madh! Mbi 2000 kurbanë të haxhilerëve mund të paguhen që të theren nëpër vise myslimane të Afrikës ku fukarallëku është i tmerrshëm. BFI-ja me këta kurbanë edhe do të bëjë sevap me fukarenjtë, edhe “do ta çojë në vend” amanetin po edhe do të fitojë rastë, sepse, nëpër viset afrikane kurbani nuk kushton më shumë se 80 euro! Pra, BFI-ja ka llogaritur që vetëm nga kurbanet e haxhilerëve t’ua rëndojë xhepat myslimanëve të vendit për të përfituar vlerën prej 160 mijë euro! Nëse do të paguheshin edhe rreth 5000 kurbanë siç paguhet mesatarish çdo vit, dhe kur dihet se një e katërta e tyre ndalet për nevoja të Medresesë, një e katërta e tyre mezi shpërndahet nëpër myftini për të përfunduar kryesisht nëpër shtëpitë e operativës dhe të familjarëve të tyre, atëherë, është më se e qartë se, edhe dy të katërtat do të përfundojnë në viset afrikane ku kurbani nuk kushton më shumë se 80 euro! Është krejt çështje tjetër se sa pritet kurbani? Dyshimet gjithnjë e më të mëdha po bijnë mbi institucionin e BFI-së, mbi sinqeritetin e saj në raport me therjen e kurbanëve. BFI-ja ka vendosur që për çdo farz islam të vë taksa të papërballueshme për myslimanët e vendit! Taksat e dhunshme kanë të vetmin funksion – t’i detyrojnë njerëzit të heqin dorë nga identiteti kombëtar dhe ai fetar!
Dikush duhet ta vëzhgojë dhe ta parandalojë, madje edhe ta sanksionojë tërë këtë manipulim në emër të fesë. Në emër të fesë po fitohet jashtëzakonisht shumë, në emër të fesë “të devotshmit” po ecin me makina luksoze, kanë bërë shtëpia luksoze me oborre të paimagjinueshme, në emër të fesë po shtrohen darka e dreka të majme, ndërkohë që fenë e kanë lënë në duart e matrapazëve.
*Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.