Mbi gjenocidin e SREBRENICËS – “kurrë më”-ja për vitin 2023

    Nga Armanda Hysa (PhD), historiane e etnologe, Zv-Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë.

    Nesër është përvjetor i dhimbshëm, ai i genocidit në Srebrenicë. Shkaktarët kanë një emër konkret: nacionalizmi serb. Por shkaku më madhor është koncepti i shtet kombit monoetnik. E quajnë “komb i pastër” etnik. A thua se prania e etnive të tjera e bën pis atë. Prej nga rrjedh koncepti tjetër, që është edhe praktikë, ai i spastrimit etnik. Po aq i frikshëm, edhe pse jo me gjak e zhvendosje popullsishë, është koncepti tjetër, që është edhe praktikë: procesi i homogjenizimit kulturor, që zhduk, përveç etnive të tjera, edhe mëvetësitë krahinore. Sigurisht se genocidi nuk mund të krahasohet as me spastrimin e as me homogjenizimin, nga këto dy të fundit, njerëzit dalin gjallë. Por se genocidi i Srebrenicës na përkujton se shkaku, nacionalizmi monoetnik, jo vetëm që nuk është zhdukur, por kundër tij as nuk janë bërë përpjekje minimale nga intelektualët vendas të çdo kombi,për t’u sfiduar. Në Evropën Perëndimore nuk mund të mohohen përpjekjet e intelektualëve të majtë për ta luftuar nacionalizmin monoetnik pas pilafit, pra pas kasaphanës së L2B. Por kjo u bë duke hequr theksin nga etnia dhe duke e vënë tek klasa,duke sjellë dy probleme madhore: heqja e etnisë nga fokusi i përpjekjeve intelektuale për një botë më të mirë, ose çoi në politika hegjemone globaliste, ose çoi në homogjenizim monoetnik, me ca respekte sipërfaqësore të veçantive etnike të grupeve.

    Ndërsa në Evropën lindore, kjo solli hegjemoninë e Bashkimit Sovjetik mbi gjithë lindjen dhe një spastrim thuajse genocidial të “klasave sunduese” të para 1945-ës. Lufta klasore kundër shtresave të etiketuara si sunduese, borgjeze e pronare, kishte në thelb elementin gjenetik, përderisa persekutimi trashëgohej në breza.

    Ajo që është më e rëndësishmja, jeta njerëzore me gjithë larmitë kulturore që e përbëjnë atë, nuk kanë nevojë të zëvendësohet një armik me një tjetër, të zëvendësohet “përbërësi i pisët etnik” me “përbërësin e pisët klasor”.

    Vetëm me përfshirjen e historive dhe narrativave të ndryshme, e madje të kundërta, me atë të grupit mbisundues etnik, në korpusin e madh të historisë kombëtare, dhe aplikimin e politikave ekonomike të barabarta për të gjithë qytetarët, mund të evitojmë në të ardhmen, homogjenizimin etnik, spastrimin etnik, genocidin dhe luftën klasore.

    Srebrenica na përkujton pra edhe ne shqiptarët, të kaluarën 45 vjeçare diktatoriale komuniste, me të cilën refuzojmë me zell të merremi.

    Lajmi Paraprak

    Dy yjet që mund t’i shesë Real Madridi për të financuar blerjen e Kylian Mbappes

    Lajmi i rradhës

    Konjufca pyet opozitën se a e kujton momentin kur i sfidoi që të bëhen bashkë kundër Albin Kurtit (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë