Dje filloi gjysmë viti i dytë, por jo për vajzën time

    Xaka Jonuzi Çeliku

    Dje filloi gjysmëvjetori i dytë. Për vajzën time dhe shumicën e nxënësve të tjerë, jo, nuk filloi se në shkollën fillore “Imri Elezi” Shkup nuk ka nxemje, nuk ka edhe në shkollën “Hasan Prishtina” Shkup dhe në disa të tjera. As sot nuk ka nxemje, domethënë, dita e dytë që humbet mësimi! Nuk është fjala për dollape, kabinete të ndryshme, pishina, salla sporti të pajisura, por nxemje, ku temperatura këto ditë është -5 gradë!

    Më falni për injorancën time, por unë nuk e kuptoj pse shkolla nuk është furnizuar me ato lëndë djegëse që i përdorë? Sinqerisht si prind kërkoj përgjigje dhe më takon ta di, përderisa fëmijën tim ia kam besuar asaj shkolle!

    Ky është një lëshim, mos them dështim shumë i madh i udhëheqësive të atyre shkollave! Që të jetë edhe më keq situata, pikërisht këto shkolla urojnë fillimin e gjysmë vjetorit dhe i presin nxënësit në shkollë PA NXEMJE! E pastaj hiqen të ndergjegjshëm, ato të paradites i lëshojne, se qenkan “befasuar” se s’paska nxemje, kurse këto të pasdites i ftojnë në dy orë të shkurtuara ne atë acar pa nxemje! Ore a jeni mor normal, po pse bëheni sher budallasi, ju vërtetë nuk e dinit se s’ka nxemje kur disa ditë më parë për ju stafin ka filluar puna në atë shkollë?! Apo ju “befasoi” dimri, ose mos ndoshta ju befasoi data e fillimit te gjysmëvjetorit?

    Kujt anë e mbani ju udhëheqes të nderuar, anën e shpisë suaj me qindra qindra nxënës dhe të punesuar që keni pranuar dhe që do duhet t’i mbroni me çdo kusht, apo anën e furnizuesit tuaj për nxemje, e hiqeni sikur nuk e keni ditur?! Të kisha qene ne vendin tuaj do e beja shumë të madhe, do thirrja për bojkot të mësimit, e jo t’i kapërdini gjërat, dhe të rrini heshtur! Ku është qëndrimi juaj për të drejta elementare bazike, ku janë kërkesat e juaja?!

    Kjo që shkruaj nuk është aspak tendencioze, ama hiç, se çdo herë kam shpreh bashkëpunimin tim me çerdhet, tani edhe me shkollën ku mëson fëmija im, AMA mua më dhemb dhe mërzitem tejmase kur humbet mësimi, një ditë, dy ditë, një javë! Jeni institucion që punoni me ardhmërinë e shoqërise dhe me kështu të mbuluar të problemeve nën qilim e me këto lëshime ku shkojmë ne si shoqëri?!

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Kurti publikon fotografi me Taravarin: Shqiptarët e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin euro-atlantik

    Lajmi i rradhës

    Parlamenti Europian kërkon që BE-ja të reformohet para zgjerimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë