Mburrje me afganët ose lopa që derdh kovën me qumësht

    GENC POLLO

    Thënia e Eleanor Roosevelt, zonjës së parë të SHBA-ve para e gjatë Luftës së Dytë Botërore, se “Mendjet e mëdha diskutojnë idetë, ato të mesme merren me gjërat e mendjet e vogla flasin për njerëz” lipset të relativizohet, sepse sado mendim të lartë të kesh për mendjen tënde, është pothuaj e pamundur për një homosapiens normal të rrijë pa menduar si edhe pa folur për gjëra e për njerëz. Në debatin politik, versioni praktik i kësaj maksime është të evitosh “komentin e komentit”. Përndryshe, debati kthehet në cicmic e shterpë.

    Mbasi vura siguresën e mësipërme po i lejoj vetes një përjashtim për të komentuar artikullin anglisht të Kryeministrit Rama, të botuar dje në websitin “Project Syndicate”.

    Së pari, duke tentuar një paralele morale, Rama kujton se shqiptarët strehuan e mbrojtën hebrejtë gjatë pushtimit nazist. Krahasimi çalon në shumë aspekte, por Rama shënon një përmirësim mbasi nuk përmend si më parë paralelen me refugjatë/ emigrantë shqiptarë në vitet 1990-1991. Siç e kam elaboruar pardje, kjo paralele e fundit është antihistorike dhe pa kuptim në kontekstin tonë.

    Së dyti, Rama thotë se Shqipëria ishte vendi i parë në botë që mirëpriti refugjatët afganë, u kujton shteteve anëtare të NATOs përgjegjësitë ndaj Afganistanit, i sfidon që të mos tregohen pa shtyllë kurrizore dhe apelon që t’u japin bashkëpunëtorëve afganë strehë, shpresë e një jetë të re.

    Këtu, Rama ka një problem serioz me faktet: shtetet e NATO-s e kanë evakuuar pothuaj të tërë personelin e tyre dhe bashkëpunëtorët vendës. Kjo ndodhi midis 15 gushtit, ditës kur ra Kabuli, dhe 30 gushtit, afatit të largimit përfundimtar të forcave amerikane. Kush nuk e ka ndjekur mund të gjejë në internet info të bollshme jo vetëm për Francën, Gjermaninë e Britaninë, por edhe për Italinë, Spanjën, Poloninë, deri te vende më të vogla si Çekia e Hungaria.

    Shqipëria nuk ka bashkëpunëtorë vendas në Afganistan, mbasi nuk ka atje as ambasadë e as ndonjë tjetër përfaqësi zyrtare. Trupat tona deri në nivel kompanie (gjithsej 2000 ushtarakë gjatë gjithë misionit) janë kthyer në Atdhe prej kohësh.

    Pra, ne nuk kemi kë të marrim, ndërkohë që me një retorikë të pakuptimtë u bëjmë moral atyre që i kanë marrë të vetët.

    Por Shqipëria tok me Kosovën e Maqedoninë e Veriut në Ballkan e tok me Ugandën në Afrikë e me disa shtete të tjera pranoi të ndihmojë aleatin SHBA që të sistemojnë “përkohësisht” një pjesë nga kontingjenti afganë i tyre. Fillimisht refugjatët arritën në Ugandë (25 gusht), pastaj në Shqipëri (27 gusht) e më pas në Kosovë e Maqedoni. Nuk e di nëse këto data e sfidojnë paksa deklarimin e Ramës se jemi “vendi i parë në botë”. Por kjo nuk është çështje e pasaktësisë kronologjike. SHBA e kishte bërë kërkesën për afganët që në korrik te një sërë qeverish; ato që pranuan filluan përgatitjet. Rastësia mund ta sillte që avioni i parë me afganë “amerikanë” të aterronte në Rinas e që Rama të mos shkruante gënjeshtra të vogla. Por kjo është pa rëndësi. Pretendimi për lidership moral e predikime i NATO-s fatkeqësisht e bën Kryeministrin të duket një megaloman butaforik. Në një rast kur përunjësia e kombinuar me veprën e mirë mund ta kishte nxjerrë të nderuar.

    Së treti, Rama thotë me vend se duhet të kemi një diskutim jo pasionant se pse erdhën punët kështu në Afganistan. Ky është diskutim kompleks që do të vërë nën lupë synimet e mjetet e Perëndimit gjatë dy dekadave të fundit në Hindukush. Por, fatkeqësisht, Rama vetë (të paktën në këtë artikull) nuk thotë asgjë konkrete. Disa përvoja specifike të Shqipërisë me disa ndërkombëtarë e projekte mund të sillnin një shpjegim modest dhe këshilla për të ardhmen. Por druaj se Rama nuk është personi i duhur për këtë gjë.

    Së fundmi, për të tërë ata që qortojnë Kryeministrin se po e përdor situatën afgane për propagandë e vetëpromovim, do të thosha se ata para e pas Ramës zor se do t’i shpëtonin këtij tundimi. E rëndësishme do të ishte sensi i masës, i arsyes e i përunjësisë. Te mungesa e këtij të fundit e shoh dështimin këto ditë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ballkanit Perëndimor i premtohet anëtarësimi në BE

    Lajmi i rradhës

    Përplasja e Ramës është me Kosovën, jo me Albinin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë