BLENDI KAJSIU
Refuzimi i Kosovës për t’u bërë pjesë e iniciativës “Open Balkan” është… interpretuar si nga qeveria Rama, ashtu dhe nga mediat rreth saj si një inat apo kaprico personale e Albin Kurtit. Ky i fundit është një nacionalist shqiptar delirant dhe njëkohësisht edhe antishqiptar e neofashist, po t’u besojmë mediave pranë Kryeministrit.
E gjithë kjo narrativë histerike është ngritur për të mjegulluar dy fakte shumë të thjeshta, që ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në një iniciativë që liderohet nga Serbia, ndonëse emrin ia vë Edi Rama.
Së pari, asnjë nga aktorët apo partitë politike kosovare nuk e mbështet futjen e Kosovës në “Open Balkan”. Edhe ata politikanë kosovarë që e urrejnë Albinin janë dakord me të në refuzimin e “Open Balkan”. Disa si PDKja e Hashim Thaçit thjesht kanë heshtur, ndërsa parti si LDK-ja, opozitare e Vetëvendosjes, e kanë refuzuar haptas këtë iniciativë (shiko https://kosovapress.com/ldk-kunder-open-ballkan-njohja-para-bashkepunimit-pa-kufij/).
Mjafton ky fakt për të hedhur poshtë tezën se refuzimi i “Open Balkan” është thjesht kaprico nacionaliste e Vetëvendosjes. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin tjetër që “Open Balkan” është refuzuar edhe nga Mali Zi dhe Bosnja, që duhet thënë se nuk qeverisen nga Albini, atëherë bëhet e qartë se telenovela e përplasjes Rama-Kurti dhe teatri me ahengun e Bregoviçit, janë tymnaja që synojnë të fshehin pyetjen elementare; përse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk iu bashkuan “Open Balkan”? Arsyeja e parë është sepse nisma udhëhiqet nga Serbia, një vend që vazhdon të prodhojë destabilitet, duke ndërhyrë në punët e brendshme të këtyre vendeve. Ndërhyrjet serbe në Kosovë dhe në Bosnje, nëpërmjet Republika Serpska, janë të njohura.
Por Serbia vazhdimisht destabilizon edhe Malin e Zi nëpërmjet ndikimit mbi popullatën që identifikohet si serbe në këtë vend, që përbën gati gjysmën e popullsisë. Mjafton të kujtojmë që në vitin 2016, në Malin e Zi u organizua një grusht shteti me pjesëmarrjen e nënshtetasve serbë dhe rusë, për të evituar futjen e tij në NATO, çka kundërshtohej si nga Serbia, edhe nga Rusia.
Ndaj, Mali i Zi nuk futet në “Open Balkan” jo se është antiserb apo nacionalist, por thjesht sepse nuk dëshiron të bjerë edhe më shumë nën sferën e influencës serbe, që qeveriset nga nacionalistë si Vuçiç.
E njëjta logjikë vlen edhe për Bosnjën dhe Kosovën. Të dyja këto vende janë tashmë nën influencën e fortë politike dhe ekonomike të Serbisë dhe nuk duan ta thellojnë atë më tej. Ndaj është pa sens argumentuese meqenëse Kosova është mbytur nga mallrat serbë nuk ka përse të mos mbytet edhe më tej, duke e hapur komplet tregun me Serbinë nëpërmjet “Open Balkan”.
Arsyeja e dytë, por jo për nga rëndësia, është sepse ekziston një tjetër nismë, që quhet Procesi i Berlinit, themeluar në vitin 2014, nën udhëheqjen e Gjermanisë së Angela Merkel, që shërben për integrimin politik dhe ekonomik të këtyre vendeve në nivel rajonal dhe në raport me BEnë. Është e rëndësishme të theksohet ky fakt, sepse mediat qeveritare e paraqesin “Open Balkan” si zgjatim të Procesit të Berlinit, ndërkohë që janë dy procese të ndryshme. Mjafton një vizitë tek “Wikipedea” për ta kuptuar këtë (shiko https://en.wikipedia.org/wiki/Berlin_Process).
Procesi i Berlinit u ideua nga Gjermania e Merkelit në vitin 2014 për të mbajtur gjallë perspektivën dhe orientimin europian të Ballkanit Perëndimor, në një kohë që BE-ja po ia mbyllte dyert rajonit. Në këtë iniciativë u përfshinë të gjashtë vendet e rajonit, Kosova, Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria.
Në kuadrin e kësaj nisme, BE-ja përcaktoi edhe fonde investimi infrastrukturore që shërbejnë për integrimin e rajonit si me veten, edhe me BE-në. Në kuadrin e Procesit të Berlinit ekziston edhe nisma për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
Prandaj nuk është rastësi që edhe kur BE-ja e përshëndet bashkëpunimin rajonal mes vendeve të rajonit në kuadrin e “Open Balkan”, pasi ajo nuk është kundër bashkëpunimit në parim, u bën thirrje vendeve pjesëmarrëse që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre nën Procesin e Berlinit.
Në fakt, zyrtarët e BE-së privatisht kanë shprehur shqetësimin e tyre se “Open Balkan” mund të zëvendësojë jo vetëm Procesin e Berlinit, por edhe integrimin në BE. Dhe këtë nuk e them unë, por “Foreign Policy”, një nga revistat amerikane më serioze mbi politikën ndërkombëtare.
Pra, kemi dy nisma bashkëpunimi që i mbivendosen njëra-tjetrës. Njëra është Procesi i Berlinit që udhëhiqet nga Gjermani në kuadrin e integrimit në BE, ku marrin pjesë gjashtë vendet e rajonit, përfshi edhe Kosovën, që vë në dispozicion edhe fonde për integrimin infrastrukturor të tyre.
Nisma tjetër është “Open Balkan”, që gjithashtu synon integrimin ekonomik dhe tregun e përbashkët, por që udhëhiqet nga Serbia, që u ideua dhe u prezantua në Novi Sad dhe jo në Berlin, jashtë kuadrit të integrimit në BE, ku nuk përfshihet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.
Që Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja kanë vendosur të vazhdojnë në Procesin e Berlinit pa u futur në një nismë të re që i mbivendoset asaj, nuk është çudi. Ja si e argumenton Mali i Zi refuzimin e “Open Balkan”:
“…ne fokusohemi kryesisht në zbatimin e Plan Aksionit për Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadrin e Procesit të Berlinit… është më përfshirës se ‘Open Ballkan’ …Plotëson aspirimin tonë për anëtarësim në BE dhe ofron një kuadër për përdorimin e fondeve të planit të investimit ekonomik për Ballkanin Perëndimor prej 9 miliardë eurosh”.
Ky është qëndrimi i Malit të Zi dhe jo i Vetëvendosjes. Kjo e fundit ka mbajtur një qëndrim identik që është denoncuar si nacionalizëm shovinist nga qeveria Rama.
Ajo çka thotë Mali i Zi është më se logjike; duke pasur Procesin e Berlinit që ofron fonde, udhëhiqet nga BE dhe Gjermania dhe është më gjithëpërfshirës, nuk kemi pse të futemi në një proces si “Open Balkan”. Aq më tepër kur motori real i kësaj iniciative, Serbia, luan me dy porta, sa në Perëndim, po aq edhe në Lindje.
Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), që është themeluar dhe udhëhiqet nga Rusia. Kjo e komplikon shumë integrimin tonë ekonomik me Serbinë jashtë suazës së BEsë. E thënë ndryshe, a mund ta hapim ne tregun tonë të brendshëm me Serbinë pa u hapur edhe me Rusinë? Nuk është vendi këtu për të shtjelluar të gjitha komplikimet ekonomike që marrëveshja e Serbisë me EAEU (EuroAsian Economic Union) prodhon për hapjen tonë ekonomike me Serbinë. Për një analizë më të detajuar të kësaj problematike shiko artikullin e ekonomistit, sa të pavarur aq edhe serioz, Zef Preçi.
Në këto kushte nuk është çudi që jo vetëm Kosova, por edhe Mali i Zi dhe Bosnja e refuzuan Ballkanin e Hapur në favor të Procesit të Berlinit. Ky refuzim nuk do të thotë aspak që këto vende dolën kundër Perëndimit, sikurse thonë tellallët e qeverisë sonë. Përkundrazi, projekti perëndimor i integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor zhvillohet brenda Procesit të Berlinit, dhe në kuadrin më të gjerë të integrimit në BE.
Çudia është se përse Shqipëria vendosi ta zhvillojë integrimin e saj rajonal pa Kosovën, në kuadrin e Ballkanit të Hapur, iniciuar nga Serbia, në vend që të vazhdojë brenda nismës së Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e BE-së dhe Gjermanisë dhe me Kosovën. Çfarë avantazhesh ofron Ballkani i Hapur ndaj Procesit të Berlinit që justifikojnë ndarjen e Shqipërisë nga Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi për t’u rreshtuar përkrah Serbisë dhe Maqedonisë? Përse Shqipërisë i intereson integrimi me Serbinë jashtë kuadrit të integrimit europian?
Këto pyetje nuk marrin përgjigje me parulla rroftë hapja, poshtë nacionalizmi! Aq më pak mund të argumentohen përfitimet e “Open Balkan”, duke e nxirë Kryeministrin e Kosovës si neofashist, antishqiptar dhe çuditërisht edhe nacionalist, për të zbardhur Presidentin e Serbisë, Vuçiç, si kozmopolitan. Ndërkohë që ky i fundit jo vetëm ishte ministër i Milloshevicit dje, por ende sot mohon masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në fakt, efekti politik që ka prodhuar “Open Balkan” është një argument më shumë për ta refuzuar atë si një nismë që ka përçarë thellë faktorin shqiptar (jo thjesht Edin me Albinin). Ndërkohë përfitimet që premton kjo nismë ose janë arritur (siç është lëvizja e lirë), ose mund të arrihen në kuadrin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këto kushte, pyetja që lind natyrshëm është: përse qeveria Rama insistoi kaq shumë, deri te përçarja me Kosovën, për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative?
Ekzistojnë një sërë arsyesh objektive. Frustrimi i kuptueshëm më BE-në dhe zvarritjet e saj në integrimin rajonal ndikojnë në kërkimin e alternativave si “Open Balkan”. Pa dyshim që ekzistojnë edhe interesa ekonomikë të bizneseve shqiptare që duan të importojnë nga Serbia.
Por “Open Balkan” është produkt edhe i dëshirës së Kryeministrit për protagonizëm, për të bërë histori në rajon duke tejkaluar konfliktin serbo-shqiptar tek pullë. Pasi bëri histori në Shqipëri me mandatin e tretë, pasi i shkatërroi kundërshtarët politikë brenda vendit, tashmë duket se Shqipëria po i rri ngushtë Kryeministrit tonë që ka nevojë të matet me kundërshtarë më dinjitozë në Kosovë.
Shpresoj që të mos jemi futur në një fazë të rrezikshme të mandatit të tretë Rama, që mund ta quanim “qeverisja delirante”, ku egoja e tejfryrë deformon perceptimin e realitetit shqiptar në vend dhe rajon, jo vetëm të Kryeministrit, por edhe të njerëzve që i bëjnë fresk. Në rastin konkret, Albin Kurti nuk është armik as i Ramës dhe aq më pak i Shqipërisë. Ai dhe e gjithë klasa politike shqiptare në Kosovë thjesht preferojnë Procesin e Berlinit. Ky vendim mund t’i prishë humorin Ramës, por nuk e bën Kurtin as fashist, as antishqiptar, as antiperëndimor dhe madje as anti-Ramist. Ndaj përplasja e Ramës nuk është me Albinin, por me Kosovën, që jo vetëm si klasë politike, por edhe si shoqëri, e ka refuzuar “Open Balkan”./Panorama/