Me kuaj drejt Kremlinit

    Foto: Boris Müller/Tages Anzeiger, Zürich

    Enver Robelli

    Pse shkoi në Rusi ish-ministrja e Jashtme austriake (bashkë me kuajt e saj poni)? Disa vëzhgime mbi ngjashmëritë negative të Austrisë me Ballkanin dhe përfitimet që ka pasur Ballkani nga Vjena.

    Vite më parë (edhe atëherë ishte gati vjeshtë) një diplomat i një shteti shumë të rëndësishëm evropian, ndërsa shijonte birrën e Pejës në një restorant në Prishtinë, nisi të tregonte për përvojat e tij gjatë takimeve të ambasadorëve perëndimorë në kryeqytetin e Kosovës. Sipas tij, është e vetëkuptueshme dhe aspak e befasishme që ambasadori (apo ambasadorja) amerikan ka më së shumti ndikim në vend (për arsye të ditura historike).

    Por, vazhdonte ai, nganjëherë “para nesh dhe para amerikanit tenton të dalë ambasadori i Austrisë, i cili në mënyrë jo aq diplomatike na e bën me dije se ‘ne austriakët e njohim më së miri Ballkanin’. Kjo mund të jetë e vërtetë, sepse Austria i ngjan shumë Ballkanit, jo vetëm për së miri”, shtoi me ironi diplomati i shtetit të rëndësishëm evropian.

    “Ballkani fillon në Rennweg” (një rrugë në Vjenë). Ky citat qarkullon gjithandej dhe thuhet se autor i tij është kancelari Metternich i Austrisë. Kjo nuk është e vërtetë, por meqë tingëllon bukur, atëherë vazhdon të citohet deri në ditët e sotme, nga politikanë e publicistë, ndonëse Metternichu i shkretë ka vdekur më 1859 (u lind më 1773).

    Ballkani fillon në Vjenë: ky citat fitoi një aktualitet të ri ditëve të fundit pasi u bë e ditur se ish-ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, është shpërngulur në Rusi. Ajo është bërë e njohur edhe përtej Austrisë kur më 2018 e ftoi në dasmën e saj sundimtarin e Rusisë, Vladimir Putin. Madje vallëzoi me të dhe bëri një gjest gjunjëzimi, i cili u përjetësua nga fotografët dhe u përhap në katër anët e botës. Më 2018 Putini pothuaj ishte rehabilituar në disa shtete perëndimore (përkundër pushtimit të Krimesë) dhe në këtë proces rehabilitimi printe Austria. Kneissl u kritikua, por nuk dha shenja pendimi. Më 2019, qeveria austriake humbi pushtetin pasi një video e regjistruar fshehurazi zbuloi se politikanë të partisë populliste FPÖ kishin shkuar në një vilë në ishullin Ibiza të Spanjës për të diskutuar me një grua ruse për investime në Austri, por edhe për blerje të një gazete austriake me para ruse. Rusja u prezantua si mbesë e një oligarku rus.

    Në të vërtetë ajo nuk ishte ruse (identiteti i saj ende nuk është sqaruar krejtësisht), por pjesë e një kurthi që iu ngrit politikanëve popullistë. Kur video u bë publike, popullistët ikën nga Qeveria, bashkë me Partinë Popullore të kancelarit të atëhershëm Sebastian Kurz. Kneissl ishte propozuar nga popullistët si ministre e Jashtme. Meqë nuk ishte anëtare e FPÖ-së, ajo qëndroi edhe disa muaj në post, por kur dha betimin një qeveri ekspertësh, Kneissl u largua përfundimisht nga posti i kryediplomates. Më 2020, martesa e saj mori fund.

    Pas kritikave të ashpra mbi afërsinë me regjimin e Putinit, Kneissl shkoi në Francë, pastaj në Liban. E quante veten të përndjekur politike. Putini nuk e harroi austriaken ambicioze: e shpërbleu me një post në bordin e një kompanie ruse të naftës. Në maj 2022 u tërhoq nga ky funksion, meqë si shtetase e BE-së s’kishte të drejtë ta mbante.

    Por, Kneissl i qëndroi besnike padronit në Kremlin. Tani, siç u tha tashmë, ajo zgjodhi Rusinë si atdhe të ri. Me vete i mori edhe kuajt e saj poni, një racë e shkurtër. Si të shkosh me kuaj në Rusi në kohë lufte? Për këtë u kujdes qeveria në Moskë. Kneissl dhe kuajt morën rrugën për Siri. Nga një bazë e atjeshme ushtarake një avion ushtarak rus i solli kafshët dhe ishdiplomaten austriake në Rusi. Plus një mace. Ndoshta nuk i bëhet e padrejtë nëse thuhet se Kneissl motiv të shpërnguljes në Rusi mund ta ketë – paranë. Si propagandiste proruse dhe apologjete e Putinit ajo është e mirëpritur në Perandorinë e së Keqes. Në Shën Petërburg, Kneissl do të drejtojë Institutin Gorki, një fabrikë mendimesh për të arsyetuar gjeopolitikën hegjemoniste ruse.

    Në dasmë Putini nuk i erdhi duarthatë: solli një kor kozakësh dhe vathë prej safiri, një gur tepër i çmuar. Vlera e vathëve ishte: 50 mijë euro. Ministria e Jashtme e Austrisë i konsideroi vathët dhuratë që i përket shtetit. Kneissl luftoi për t’i marrë stolitë, por në fund u dorëzua. Bashkëshortin e saj e akuzoi për dhunë dhe për vrasjen e qenit të saj. E mbetur pa burrë, pa qen dhe më e rëndësishme, pa para, Kneissl filloi t’i bjerë edhe më shumë tupanit të propagandës proruse, fliste në favor të Moskës kudo ku i jepej rasti, e sidomos në televizionin propagandistik rus RT. Morali i krejt këtij rrëfimi: Kneissl ka demonstruar viteve të fundit një sjellje tepër ballkanike, nëse Ballkani politik merret si sinonim për korrupsion dhe komedi.

    Ish-shefi i Shërbimit Sekret austriak, Peter Gridling, këto ditë i tha gazetës britanike “Financial Times” se duhet pasur kujdes dhe vëzhguar me kujdes lidhjet e popullistëve austriakë të FPÖ-së me Rusinë. Kjo parti vite më parë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit. Kjo parti prej vitesh kultivon raporte të ngushta me nacionalistët serbë në Beograd dhe Banjallukë.

    Shikuar pak më larg në histori, Vjena ka qenë kryeqytet i pashpallur i Ballkanit. Këtu një fshatar nga Mati me ambicie aristokrate e ka parë operën e parë: fjala është për Ahmet Zogun. Kur s’shikonte opera, përpiqej t’i ikte policisë austriake, e cila interesohej se në cilin hotel po shkonte me të dashurën e tij austriake, e cila thuhej se ishte valltare. Hasan Prishtina, ndërkaq, kafehanet e hoteleve të Vjenës i shfrytëzonte për të takuar nacionalistë bullgarë dhe për t’i bindur ata që së bashku t’iu kundërviheshin politikave ekspansioniste serbomëdha. Nëse gërmojmë pak më thellë në histori, arrijmë te viti 1683, kur osmanët rrethuan Vjenën dhe në mesin e ushtarëve kishte edhe shqiptarë dhe boshnjakë. Në një muze në Vjenë ruhen shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut. Në Vjenë, Eqrem Bej Vlora ka mbaruar gjimnazin dhe kështu është mishëruar me kulturën austriake dhe gjermane, aq shumë sa kujtimet e tij të famshme i ka shkruar në gjermanisht.

    Edhe në historinë e sllavëve të jugut Vjena zë një vend të rëndësishëm: më 1850 në Vjenë u takuan intelektualë kroatë dhe serbë për të diskutuar mbi gjuhën e përbashkët që më vonë u quajt serbokroatisht dhe sot quhet serbisht, kroatisht, boshnjakisht, malazezisht (apo mos thuhet: malazezçe?) Në Vjenë, Vuk Karaxhiqi i vuri themelet e gjuhës së shkruar serbe, fizikani kroat Rugjer Boshkoviq shkroi një nga veprat e tij më të rëndësishme, shqiptari Aleksandër Moisiu pushtoi skenat e teatrit dhe zemrat e damave të qytetit, Maria Kon, e lindur afër Sarajevës, ishte gruaja e parë nga Bosnja që doktoroi në Universitetin e Vjenës. Në Vjenë ka jetuar edhe iluministi serb Dositej Obradoviqi (1739-1811), i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri dhe ka mbajtur shënime për Shqipërinë.

    Zonja Karin Kneissl me siguri tani është duke i ushqyer kujt në një fshat afër Moskës. Me tagji ruse.

    Lajmi Paraprak

    “TЁ DUA SHUMЁ (LOÇKA IME MЁ E BUKUR)”

    Lajmi i rradhës

    “Shpirti ynë e din” / Shumë familje në RMV nuk arrijnë ta sigurojnë kafshatën e gojës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë