Një beratas i mirë

    PËLLUMB NAKO

    Në ndërgjegjen tonë kolektive, emërtimi “njeri i mirë” mbetet më i bukuri. Konsiderohet lëvdata më e vlefshme. Ndërkohë nuk janë të pakta kategoritë e individëve të cilët nuk lënë gurë pa lëvizur me lakminë për dekorata honorifike, duke filluar nga “Qytetar Nderi “ e deri te “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Këto të fundit shoqërohen rregullisht me ceremoni në prani të medies e më pas zënë vend nëpër arkiva historike, kurse “njeriu i mirë” nuk ka ceremoni dhe zakonisht vendin e zë nëpër zemrat e njerëzve. Beratasi i mirë për të cilin po flasim, ishte pa asnjë dyshim personazh që mund të meritonte tituj të shumtë zyrtarë honorifikë. Nuk ka të tillë asnjë, edhe sot, disa vite pas vdekjes së tij të parakohshme. Sepse ishte njeri i mirë dhe jo vetëm. Vepra e tij ka lënë gjurmë të thella në qytetin e të parëve ku u lind, u rrit dhe kontribuoi. Me siguri gjithkush që mund të lexojë këto rreshta do të bëhet natyrshëm kurioz të dijë se kush është ky person e më pas, si zakonisht, të gjykojë rreth tij. Jo! Identiteti në një rast të tillë ka pak rëndësi, sepse është vepra që ai la pas, e cila i dha një titull si emër dhe që mbetet më i vlerësuari nga të gjithë qytetarët e Beratit, sidomos nga nënat dhe të moshuarit. Ata i kanë dhënë unanimisht titullin qytetar “beratasi i mirë”, duke dëshmuar se edhe në Shqipërinë e hidhur, fjalëshumë, që nuk po gjen dot ekuilibrin ndërmjet asaj që duhet të prishë dhe asaj që duhet të ndërtojë, ka shembuj individësh që vetëm me qenien dhe pasionin e tyre për të shërbyer, mbledhin e bashkojnë në një të vetme edhe koniunkturat kontradiktore, edhe ngjyrat politike, edhe mëritë e militantëve partiakë apo sherret bashkiake, për të bërë diçka të bukur, të shëndetshme, të vlefshme për të gjithë qytetarët. Edhe qytetarët e Beratit, aq shumë të preokupuar duke gërmuar në histori për të gjetur simbolet e qytetarisë, e vunë re se para syve të tyre nuk mungojnë bashkëqytetarët punëtorë kokulur.

    Me gjithë ndryshimet e bëra në kuadrin e rilindjes urbane, lulishtja e qytetit të Beratit, anës lumit Osum, nuk ka mundur t’i fshijë gjurmët dhjetravjeçare të arkitektit të saj. Në periudhën e një kohe të paqëndrueshme, të turbullt e plot rrëmujë, pa këmbënguljen, pasionin, luftën dhe përkushtimin profesional të tij, me siguri sot në atë lulishte, simboli më i ri i qytetit, krahas simboleve madhështore të historisë së tij shekullore, nuk do të kishte më gjelbërim, por beton. Dhe nuk është as habi e as e pamundur. Pavarësisht se beratasit pëlqejnë ta përsërisin pa pushim historinë e Tomorit, Shpiragut, Kalasë dhe Osumit, po aq të shenjtë e kanë edhe lulishten e qytetit të tyre, ku beratasi ynë i mirë bëri aq gjëra të bukura.

    Sot, nën vapën përvëluese të gurëve të shëtitores, në krah të saj, lulishtja mbetet një oaz i paqtë, i freskët edhe për turistët që vijnë gjithë ditën vërdallë nëpër qytet me aparat fotografik në duar, edhe për qytetarët e zakonshëm, sidomos për të moshuarit dhe nënat me fëmijë. Kur vjen mbrëmja, ajo fillon të vallëzojë nën flladin e freskët që vjen nga Osumi, nga gryka e Goricës, si për të sajdisur e argëtuar qytetarët e të huajt e shumtë të ulur nëpër lokale plot zhurmë bisedash në shumë gjuhë. Nuk ka asnjë fotografi apo kartolinë të qytetit të Beratit ku të mos jetë lulishtja.

    Përse është kaq e veçantë kjo marrëdhënie midis lulishtes së Beratit dhe beratasit të mirë?

    Jo vetëm e veçantë, por edhe simbol se si mund të bëhen gjërat në Shqipërinë e sertë, kur ka pasion, ndershmëri, përgjegjshmëri pavarësisht dallimeve politike. Simbol për të cilin vendin ynë aktualisht është i etur për ta pasur si model.

    Dihet që në vendin tonë me të ndërruar ngjyrat politike që qeverisin pushtetin lokal, fillojnë me arrogancë të bëhen lëvizje të drejtuesve dhe të punonjësve të ndryshëm të emëruar nga forca paraardhëse politike. Thuajse askush nuk i jep rëndësi vazhdimësisë së një pune të mirë që i shërben të gjithë qytetit, por ajo ndërpritet me motivacionin kobzi se autori i takon kësaj apo asaj force politike. Motivi kryesor i këtij negativiteti dihet që është politik.

    Por me beratasin tonë të mirë nuk ndodhi kështu. I emëruar si drejtor i Gjelbërimit që në ditët e para të pluralizmit, ai nuk u lëviz nga posti edhe kur qytetin e morën në drejtim forcat politike të djathta e më pas të majta. Kurse ai vetë, as ndryshoi konceptet e tij politike, as u bë hipokrit apo interesant duke sharë dikë e duke lëvduar dikë tjetër, as bëri sikur ndërroi flamur. Ato ishin të tija, personale, të një njeriu të lirë në një botë që po mundohemi ta bëjmë më të lirë dhe nuk kishin lidhje me veprën artistike plot ngjyra, gjelbërim e oksigjen për gjithë qytetarët, edhe për ata të ndryshëm nga konceptet që ai krijoi.

    Për Beratin, lulishtja mbetet një pjesë e rëndësishme e harmonisë ndërmjet pjesës moderne dhe muzeale të qytetit, pjesë e kujtimeve të mijëra qytetarëve që u lindën dhe u rritën në atë qytet, ndaj dhe partitë e djathta e të majta që erdhën në pushtet, njëra pas tjetrës “nuk guxuan” ta heqin nga posti kopshtarin e dashuruar me qytetin e tij. Kjo sepse jo vetëm “nuk kishin leverdi”, por edhe sepse nuk mund të mohohet që treguan përgjegjshmëri qytetare, vlerësim pozitiv për ta lënë këtë drejtues e specialist pasionant të vazhdojë misionin e jo thjesht punën e tij. Kjo edhe për faktin se ai nuk ishte vetëm një beratas i mirë, por një punëtor dhe menaxher i zoti, i ndershëm, që kishte për qëllim të ndërtonte me duart e veta diçka të bukur, të shëndetshme për gjithë qytetin. Vepra e tij, lulishtja, sidomos në kohë të këqija, mbeti e vetmja gjë e gëzueshme në atë qytet dhe në shërbim të të gjithëve. Ndaj edhe lulishtja e Beratit, megjithëse vitet ikin, përsëri mban gjurmë të emrit, pamje të pasionit të tij.

    Në këtë kohë kur temperaturat e larta të motit nxehen akoma më shumë nga një atmosferë politike e sociale plot përplasje, e mbushur me shembuj negativë që flasin vetëm për pranga, abuzime, vjedhje, burgje, shembulli i personalitetit të beratasit tonë të mirë, që e respektoi njëlloj edhe e majta, edhe e djathta, duket si një oaz i qetë ku mund të pushojnë të gjithë ata që sfiliten e rraskapitur për Shqipërinë, si dhe ata që lodhen për ta bërë më të mirë, sepse kopshti i beratasit të mirë është modeli i punës në shërbim të të gjithëve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Politika, politikani dhe shpërdorimi i gjuhës politike…

    Lajmi i rradhës

    Megalomania dhe realiteti në vijim të një krize

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë