Mësuesi rom me emrin e Profetit

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    Kujtim Shabani

    Dy mësues romë kam pasur në rrugëtimin tim shkollor. Që të dy në klasët e larta të shkollës fillore. Vëllanë e njërit prej tyre e takova më pas në gjimnaz, po ai aty punonte si shërbetor. Kështu i quanim ata (Sa emër të lig përdorim për këta punëtorë!). Më lart nuk mbërrinin romët atëbotë. Po „këtëbotë“, me kalimin e mbi tri dekadave, statusi i tyre shoqëror si ka shkuar? T’ju rrëfej pak për dy mësuesit e mi romë?

    Njëri prej tyre na jepte lëndën e gjeografisë. Ai ishte më eleganti nga të gjithë mësuesit e shkollës, fare. Vishej gjithmonë me kostum, kravatë e shami xhepi për xhaketë. Në tehun e pantallonave të tij të hekurosura vizore, mund të pritej edhe një fije floku. Jo më pak të mprehtë e kishte edhe humorin. Përdorte një stilolaps të bukur metalik, ai kurrë nuk huazonte stilolapsë nga nxënësit për shënimin e orës mësimore, si të tjerët.

    Me fillimin e pluralizmit politik, mësuesi im rom i gjeografisë, me një emër me dy emra, bashkëdyzim që e gjen te shqiptarët e rrethit të Pollogut, u bë nënkryetar i partisë së parë të romëve në Maqedoni, e cila do ta përmirësonte jetën e romëve këtu. Ç’bëri ajo për romët dhe si shkoi karriera politike e mësuesit, nuk kam mundur ta ndjek dhe aq, sepse ika edhe vetë në mërgim. Lajmi i shuarjes së tij nuk mund të vinte pa hidhërim.

    Mësuesin e dytë rom e kam njohur më mirë. Ai u vendos në lagjen tonë kur isha fëmjë. Nuk ishte kushedi se çfarë, por një lagje vetëm me shqiptarë. Ai duhet të ishte dyndur nga getoja e romëve nja një kilometër më tutje. Vështruar nga ky kënd, kjo ishte një ngjitje shoqërore. Imazhi më i bukur i tij që e kam në mend është ai ulur këmbë-mbi-këmbë me libër të dorë në një karrige në skajin e sheshit të shtëpisë së papërfunduar.

    Dritë e diellit në hapësirë dhe dritë e librit në kokë! Mësuesi im rom i muzikës në këtë diçiturë pasditeje dukej si një pelegrin në një vend të shenjtë. Ai kishte edhe emrin e një profeti. Katër fëmijët e mësuesit tim rom me emrin e Profetit quhen: Manushaqe, Gent, Ardit, Jonian. (Emrat e tyre, dhe të tjerët që përmenden më poshtë, s’e keni idenë sa pak i kam ndryshuar këtu për arsye që do t’i merrni vetë me mend).

    Fëmijët e mësuesit tim rom të muzikës me emrin e Profetit ishin të edukuar mirë dhe në aktivitetet e lira shkollore shquheshin për talentin e tyre; ata shkëlqenin në sport, muzikë, vallëzim modern dhe të tjera. Me sa e kujtoj, sepse të gjithë ishin vite para meje në shkollën fillore, shkonin mirë edhe me mësime. Ata njëherë u tretën në fushën e muzikës, apo – sikur edhe plot shqiptarë – në ndërtim. Po më pas?

    Kur erdha parëvjet për pushime, djali i madh e i dyti i mësuesit rom me emrin e Profetit, çanin dru – për një mëditje – në një shtëpi në lagje. Një punë me prestigj të ulët. M’u duk një katandisje shoqërore. Të tretin s’e kam parë prej vjetësh, duhet të jetë arratisur dikah. Në fakt, të dytin e kisha takuar një vit më parë në një dyqan: U gëzua fort që më pa, nisi t’më përqafonte dhe papritur u step nga ndonjë ndjenjë që mund ta marrim me mend. M’u bë qejfi për mallin e tij dhe e mora ngrykë, padyshim.

    Kur erdha vjet në të njëjtën kohë për pushime, në të njëjtën shtëpi – për një mëditje – çante dru mësuesi im rom i muzikës me emrin e Profetit, dora vetë! Me takatin dhe taktin e një mësuesi muzike në pension, të shpërblyer me kafshatën e gojës. O, ç’trishtim! Baba më kishte treguar se ai i shkonte nganjëherë në punëtorinë artizanale për t’ia rregulluar violinën e harxhuar nga vizitat e muzës së pasionit të para dhe pas pensionit.

    Mësuesi im rom i muzikës me emrin e Profetit hamballëkun e drurëve e kishte bukë, kurse violinën – zjarr. Një kohë bënte muzikë nëpër dasma. Një shoku im i fëmijërisë rrëfen këto ditë: Kur iu nda nga jeta babai, mësues, iu drejtua mësuesit tonë rom të muzikës me emrin e Profetit për përforcuesit e zërit për ritin fetar të pasmortit te myslimanët. „Sa të kushton shërbimi?“, e kishte pyetur shoku im i fëmijërisë. „Ç’është ajo fjalë?!“, i ishte drejtuar ai me qortim: „Për Mësuesin s’marr lek kurrë!“

    Kur erdha kësaj here për pushime, te dera e shtëpisë së mësuesit tim rom të muzikës me emrin e Profetit pashë një karrige druri të mbuluar me një peshqir të bardhë! Nuk do të dëgjohej më sëpata e tij, as violina. Vëllai i tij „shërbetor“ në gjimnaz, mbase ndërkohë i shpërblyer me një pension për një vakt buke, priste njerëz për kryeshëndosh. Fëmijët e tij romë, Manushaqen, Gentin, Arditin dhe Jonianin i ngushëllojnë fqinjët shqiptarë: Shaqiri, Beqiri, Baftiri, Tahiri, Zeqiri…

    Mësuesi im rom i muzikës me emrin e Profetit u prehtë në paqë me tinguj violine!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët fajësojnë komunën për papastërtinë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë duhet të dini për përdorimin e multivitaminave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë