Mishmashet e Brukselit me ngjyra ballkanike

    Nga ARDI PULAJ

    A duhet të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata të Kosovës? 

    Përgjigja e thjeshtë është “po”!

    A është i vonuar vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën?

    Përgjigja është prapë “po”.

    A duhet detyruar Kosova që të njohë dokumentet e Beogradit që lëshohen nga një strukturë paralele e shtetit të Kosovës për serbët që jetojnë atje, që të jenë pjesë e liberalizimit?

    Përgjigja është “jo”!

    Shtetasit e Kosovës presin të udhëtojnë pa viza nga 1 janari i vitit 2024-ër në zonën Shengen, një proces që ka kaluar peripeci të shumta derisa u miratua nga shtetet anëtare të BE-së. Ishte një çështje që prapë nuk ju dha një mbështetje e plotë nga Brukseli; një shembull është që shtetasit e Kosovës, mund të udhëtojnë në të gjitha vendet e Shengenit pa vizë, por jo në Spanjë, që nuk njeh pavarësinë dhe as dokumentet e lëshuara nga Prishtina. Por nëse një shtetas i Kosovës, hyn në Shengen në Austri, lirshëm mund të shkojë dhe në Spanjë. Vetëm që spanjollët mos të prekin me dorë pasaportat e Republikës së Kosovës.

    Vendimeve kontradiktore të Brukselit i shtohet së fundi debati për lejimin ose jo të serbëve të Kosovës të jenë pjesë e liberalizimit për të udhëtuar në zonën Shengen. Kur vendet e Ballkanit tashmë kanë mundësuar lëvizjen e lirë, pa viza dhe vetëm me letërnjoftime të shtetasve të tyre, (përjashtim bën Bosnje Hercegovina për Kosovën, që kërkon viza), BE do që shtetasit me pasaportë serbe të Kosovës, të jenë pjesë e liberalizimit të kësaj të fundit, duke sfiduar autoritetet e Prishtinës, që nuk i njohin dokumentet serbe, sepse kanë të tyret.

    Teorikisht, në një logjikë të thjeshtë, ata duhet të kishin përfituar liberalizimin që kur Serbisë ju hoqën vizat, nëse janë mbajtës të pasaportës serbe.
    Por në 2009-ën Brukseli tha se pasaportat serbe për shtetasit e Serbisë që banojnë në Kosovë nuk janë pjesë e liberalizimit për Beogradin. Pra është kleçka për mbajtësit e dokumenteve të lëshuara nga Administrata Koordinuese në Kosovë, një organ që varet nga ministria e Brendshme e Serbisë.

    Tani ndryshe nga çfarë vendosi në 2009-ën, Brukselit i kërkohet nga Beogradi të zhbëjë vendimin dhe kjo kërkesë nga Brukseli i drejtohet Prishtinës, vetëm pak para se të nisë liberalizimi për Kosovën, që duhet theksuar sërish, nuk i njeh dokumentet e Administratës.

    Kur u njoftua se shtetasit e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Shengen në 2024-ën, në komunat me shumicë serbe pati shtim të kërkesave për tu pajisur me pasaportën e Kosovës. Të dhënat nga ministria e Brendshme e Kosovës, të cituara nga REL, saktësojnë se për periudhën janar-korrik 2023, numri i kërkesave u rrit me 97% në Leposaviq, ndërsa në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, rritja ishte mbi 50%.

    Kjo zgjidhje e çështjes së liberalizimit të vizave dhe për serbët e Kosovës që erdhi nga vetë ata, është shumë e thjeshtë dhe Brukseli nuk ka pse komplikon më shumë gjërat mes Kosovës dhe Serbisë, në një kohë që dialogu i ndërmjetësuar prej BE ka mbetur vendnumëro, për të mos thënë që ka dështuar.

    Njerëzit në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht armiqësive dhe paragjykimeve të së shkuarës, kanë arritur t’i tejkalojnë disi ndasitë dhe të “afrohen”, duke sfiduar dhe politikën. Kanë gjetur zgjidhje praktike, teksa politikanët e shteteve ballkanike përdorin retorikë të ashpër me njëri-tjetrin. Edhe në rastin e liberalizimit të vizave, serbët e Kosovës, e kanë gjetur zgjidhjen, duke aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës. Dokumentet e lëshuara nga organet serbe, le t’i përdorin në Serbi, po kur të shkojnë në zonën Shengen, të hyjnë me pasaportën e Kosovës. Kjo zgjidhje praktike e vetë qytetarëve serbë, është më e thjeshtë dhe më logjike nga ajo që Komisioni Europian i kërkon Kosovës.

    Në vend që Prishtinës t’i kërkohet të njohë dokumente që nuk i njeh dhe që përdhosin autoritetin e saj, duke ju tundur para fytyrës strukturat paralele, më e thjeshtë do të ishte tu thuhej serbëve që nëse duan liberalizimin, te “carina” (dogana) e vendit të zonës Shengen duhet të paraqiten si shtetas të Kosovës. Teksa Brukseli vijon shton mishmashet me ngjyra ballkanike, më e mira do ishte që të shohë zgjidhjet që vijnë nga vetë qytetarët. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Gjumi i pamjaftueshëm dhe rritja e rrezikut të prekjes nga virozat

    Lajmi i rradhës

    Ushqimi që nuk duhet të konsumoni për sëmundjet e zemrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë