“Ne, filozofët e fejsbukut”

    Egzon Xhaferi

    Në kohët e sotme është shumë e lehtë të bëhesh “filozof”. Po ta dinin filozofët e vjetër e të vërtetë këtë gjë, do të “vdisnin” nga mundi i dhënë. Sot, nuk të nevojitet të ndjekësh asnjë lloj kursi, apo të mbarosh ndonjë cikël shkollimi, ajo e gjitha që duhet bërë është të hapësh një faqe fejsbuku tënden ose të rrejshme, për ta treguar aftësinë mendore, arritjen intelektuale, apo edhe për të shitur mend, të cilat, le që s’i kemi për vete, por të njëjtat se nga i gjejmë t’ua japim edhe tjerëve, një zot e di!

    Sot, në këtë kohë moderne e të përparuar (të paktën ashtu mendojmë), por në vete aq të ulëta, që s’i gjen tek asnjëra periudhë e së kaluarës, ballafaqohemi me situata të cilat vetë ia krijojmë vetes dhe mbarë shoqërisë, e më pas e kërkojmë fajin diku tjetër. Situata këto me të cilat ballafaqohemi duke filluar nga fëmija më i vogël, i cili detyrohet të mësojë prej në vegjëli që ta përdorë telefonin e mençur, “urdhër” ky që i bëhet nga prindi (me ose pa dashje), pasi ky i fundit nuk ka kohë ngase është i zhytur në botën e madhe të filozofëve dhe harron që nesër edhe fëmija i tij do bëhet po i njëjtë si ai, “filozof fejsbuku”.

    Në të kaluarën, në një kanal televiziv jepej një program i quajtur “Përshëndetje dhe urime”. Shumicës së njerëzve u vinin çudi gjërat që uroheshin aty (urime që fillonin nga lindja deri te mbarimi i jetës së njeriut, pra të gjitha dukuritë dhe fenomenet shoqërore, edhe ato më banalet). Sot të njëjtat përshëndetje dhe urime jepen në një formë ndryshe, edhe atë nëpërmjet fejsbukut, ja një pikë në të cilën e shohim përparimin tonë (një përparim i madh ky). Por që për “fat” sot nuk reagojmë në lidhje me banalitetet e tilla ngase të gjithë marrim pjesë në to.

    Përveç Zuckerbergut që fiton, le të ndalemi e le të shohim se çfarë kemi fituar ne nga rrjetet sociale! Ne sot e dimë që gati të gjithë fëmijët shkojnë në çerdhe, por pak prindër e vrasin mendjen se si e kalon kohën fëmija aty (shkaku që s’i lë, tashmë dihet). Sot të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë fillore, por pak prindër (për të mos thënë aspak) interesohen se cili mësues i mëson fëmijët e tyre. Sot të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë të mesme, por i paktë është interesimi i prindërve për shkollën që duhen zgjedhur fëmijët e tyre (sepse janë të bindur se çfarëdo shkollimi që të zgjedhin do e kenë të mbaruar pa e filluar ende). Sot të gjithë shkojmë në fakultet, por i ulët e i paktë është zëri i atyre që mundohen të bëjnë zë kundrejt padrejtësive të shumta që hasen në shoqërinë tonë. I njëjti zë nëse ekziston, për një kohë të shkurtër shuhet nga të fortët realë ose të fejsbukut.

    Sot falë po të njëjtave universitete e fakultete (siç thonë: i mirë, i keq, yni) kemi plot studentë të cilët shpesh, nga ana e perceptimit të “disave” shihen si objekt pasurimi dhe ne sot s’bëjmë zë. Por, gjithsesi nga këto universitete del shoqëria e arsimuar, me profesione të ndryshme, si profesorë të lëmive të ndryshme – për të cilët pak interesohemi se në çfarë kushte do të punojnë pas diplomimit (kuptohet nëse arin të punësohen në institucione përkatëse dhe jo në shtabe partiake); mjekë – për të cilët shumë pak interesohemi për njohuritë që kanë në lidhje me profesionin që ushtrojnë (sepse fundi-fundit shpesh atyre ua lëmë jetën në dorë); ekonomista – për të cilët fare nuk interesohemi se a janë së pari kursyes të mirë për veten; gazetarë – për të cilët fare pak interesohemi në lidhje me atë se çfarë lajme na “servojnë”; muzikantë – për të cilët fare pak interesohemi se çfarë këngë i dhurojnë veshit, për të mos thënë syrit tonë (sepse sot shihet e nuk dëgjohet, se rëndësi ka lakuriqësia); kuzhinierë – për të cilët fare pak interesohemi se çfarë na gatuajnë dhe a do të ngopemi (rëndësi ka që ushqimi të jetë i publikuar në fejsbuk, pavarësisht se të njëjtin ushqim e ha edhe qeni); farmacist – për të cilin pak rëndësi ka se çfarë ilaçe na jep, kryesorja është që ai të shesë sa më shumë të tilla, e fundit është ajo se a do të shërohemi ose do të sëmuremi edhe më shumë; sportistë – për të cilët pak rëndësi kanë tifozët e disciplinat, kryesorja sponzorët të jenë të kënaqur; hoxhallarë e priftërinj – për të cilët më nuk ka rëndësi feja, kryesorja është që të kenë sa më shumë njerëz të rreshtuar para tyre  dhe njerëzit të bëjnë siç thonë ata e jo siç bëjnë ata; politikanë – për të cilët nuk shkruaj “gjatë” sepse e dini vetë më mirë matematikën e tyre, kuptohet nëse nuk jeni një nga to ose nëse nuk keni ambicie për t’u bërë të tillë, sepse janë ato të cilët shoqërisë sonë i premtojnë shumë e në fund na lënë me gishta në gojë, por përderisa ne gënjehemi sërish dhe sërish, a do të thotë se ata janë më “filozofë” se ne? Janë ata të cilët duke e larguar popullin nga trojet e veta, me atë pak që u ka mbetur ua pinë gjakun me pambuk.

    Sot konkurencë më të madhe në “filozofinë fejsbukiane” kanë humoristët dhe aktorët, sepse sot të gjithë bëjnë humor, por fare pak qeshim (kryesorja t’ia bëjmë llajk njërit-tjetrit dhe sa më shumë shpërndarje, sepse ne jemi shoqëri e hatrit). Sot fare pak rëndësi ka se çfarë pantallona dhe rroba në përgjithësi veshim, edhe po të jenë të grisura dhe jo të duhura për dimrin, s’ka rëndësi, rëndësi ka të jenë firmato dhe t’i reklamojmë në fejsbuk. Sot pak rëndësi ka koha, rëndësi ka vetura, fundja edhe nëse vonohemi (gjë që e bëjmë zakonisht). Sot pak rëndësi ka lumturia familjare, rëndësi ka shtëpia e madhe, me shumë dhoma. Sot pak rëndësi ka kujdesi ndaj prindërve, rëndësi ka që kur ne të dalim jashtë të njihemi si persona të ndershëm e të mirë (të thonë: me atë s’ka). Sot pak rëndësi ka a flasim me vëllanë apo motrën, rëndësi ka shokut/shoqes në fejsbuk t’i komentojmë me fjalët më të ëmbla. Sot pak rëndësi ka a e respektojmë gjyshin dhe gjyshen, rëndësi ka kur ndodhin raste dhune ndaj të moshuarve, ne të jemi të parët që do të reagojmë në fejsbuk. Sot pak rëndësi ka dhuna që ushtrojmë ne mbi të tjerët (qoftë fizike apo psikike) rëndësi ka të mos njihemi si të tillë në fejsbuk, sepse i humbim llajkat. Sot pak rëndësi ka se si shkruajmë dhe si e çfarë lexojmë (nëse lexojmë) rëndësi ka që shkrimi dhe leximi t’i përshtatet turmës ose personit që ka marrë më shumë shpërndarje, komente e llajka në fejsbuk. Sot shumë pak i shijojmë udhëtimet, sepse më shumë i shijojmë fotografitë e publikuara për të tjerët në fejsbuk. Sot shumë pak i shijojmë festat e ahengjet e ndryshme, sepse po nuk pati wifi në shtëpinë ose restorantin e personit që feston, ne as që e diskutojmë pjesëmarrjen. Sot pak rëndësi ka nëse njihemi në realitet, rëndësi ka të jemi friends në fejsbuk, për ta zgjeruar edhe më tepër akademinë e filozofëve. Sot pak rëndësi ka se cilët do jemi nesër, rëndësi ka ta shfrytëzojmë çastin. Sot pak rëndësi ka profesionisti, rëndësi ka militanti të jetë i kënaqur. Sot pak rëndësi ka për ne të sotmit se kush do të jemi të nesërmen, rëndësi ka që ta kthejmë gëzofin nga frynë era, sepse edhe të nesërmen do e quajmë të sotme. Sot pak rëndësi ka nëse nuk kam mundur t’i them të gjitha, pak rëndësi ka si e çfarë kam shkruar, rëndësi ka që të nesërmen të kem marrë sa më shumë llajka dhe të jem shpallur edhe unë “filozof fejsbuku” ose të jem bërë i famshëm… Por sot vërtetë ka rëndësi që të kuptohet mesazhi i këtij shkrimi, dhe se pak rëndësi ka se kush do e gjejë veten në të. Sot po ashtu rëndësi ka që të kuptohet se si shoqëri nga jemi duke shkuar dhe se përkushtim më i madh i duhet bërë botës reale e jo asaj virtuale. Sot dhe menjëherë nëse nuk e kuptojmë këtë, pak rëndësi ka nëse e nesërmja do të na gjejë edhe më të humbur se sot. Sot ky shkrim “filozofëve” mund t’iu duket komik, por në thelb është tragjik. Sot…

    Lajmi Paraprak

    Momenti i shpërthimit në Stamboll – 11 të lënduar – raportohet edhe për të vdekur

    Lajmi i rradhës

    Burri i vërtetë kujdeset për shëndetin e tij!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë