Në mbrojtje të SPAK: Për një standard juridik dhe jo politik!

    BLENDI KAJSIU

    Ndalimi i Sali Berishës nga SPAK ka hapur një debat të gjerë mbi pavarësinë e këtij institucioni. Kritika që po i bëhet atij nga një pjesë e mirë e opinionit publik, pa llogaritur berishistët, është se po përdor një standard të dyfishtë. SPAK akuzohet se po godet abuzimet e Berishës me sport-klub “Partizanin”, por jo ato të Ramës me aferën e inceneratorëve. Është një kritike e kuptueshme dhe që duhet marrë seriozisht, pa e reduktuar tek propaganda berishiste. Problemi i kësaj kritike është që ngatërron standardin politik dhe atë juridik.

    Ideja se SPAK duhet të arrestojë njëkohësisht edhe Ramën, edhe Berishën mund të argumentohet politikisht, por jo juridikisht. Çështja e inceneratorëve dhe e privatizimit të sport-klub “Partizanit” nuk janë ekuivalente nga pikëpamja juridike, sidomos përsa i përket përfitimit direkt të vendimmarrësve Rama dhe Berisha. Në rastin e inceneratorëve kemi plot evidencë të vendimmarrjes abuzive dhe të parregullt.

    Ama ende nuk ka evidencë se Edi Rama apo familjarët e tij kanë përfituar nga afera korruptive e inceneratorit. Në rastin e privatizimit të sport-klub “Partizanit” ka plot evidencë që familjarët e kryeministrit (pra të vendimmarrësit publik) kanë përfituar direkt nga kjo vendimmarrje. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që automatikisht kemi të bëjmë me korrupsion nga ana e ish-kryeministrit Berisha.

    Neni 260 i Kodit tonë Penal e përkufizon korrupsionin pasiv si “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt … për vete ose për persona të tjerë… nga personi që ushtron funksione publike”. Duhet vërtetuar në gjykatë që këto përfitime kanë qenë të parregullta apo që vendimmarrja e kryeministrit Berisha është bërë në shkelje të ligjit (apo në mënyrë të parregullt), me qëllim që familjarët e tij të përfitonin direkt nga ajo. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për vendime të parregullta, apo shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për vendime të parregullta që prodhojnë përfitim për zyrtarin publik që i merr këto vendime. Zyrtarët e ndaluar tek afera e inceneratorëve janë arrestuar (ndonëse jo të gjithë) jo thjesht për shpërdorim detyre, por sepse kanë përfituar nga vendimmarrja e tyre e parregullt.

    Në rastin e Edi Ramës nuk kemi ende ndonjë evidencë që ai ose familjarë të tij kanë përfituar direkt nga afera e inceneratorëve. Natyrisht, kjo evidencë mund të zbulohet nesër. Mund të mësojmë se pas Klodian Zotos qëndron Edi Rama, se pronarët e inceneratorëve u kanë dhuruar apartamente fëmijëve, apo nuseve të Edi Ramës, apo gruas së tij. Në këtë rast, nëse SPAK-u nuk do të veprojë atëherë kemi të bëjmë me standard të dyfishtë juridik. Kjo nuk ka lidhje me standardin politik. Pavarësisht logjikës juridike, Rama ka përgjegjësi të qartë politike për aferën e inceneratorëve. Justifikimet e tij se gjithçka ndodhi parapa krahëve të kryeministrit janë qesharake nga pikëpamja politike.

    Për këtë arsye, shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur me qeverisjen e tij. Politikisht si privatizimi i sport-klub “Partizanit”, si afera e inceneratorëve mund të shikohen si dy raste ekuivalente të shpërdorimit apo keqpërdorimit të pushtetit. Madje, mund të argumentohet se afera e inceneratorëve i ka bërë më shumë dëm interesit publik shqiptar sesa privatizimi i sport-klub “Partizanit”.

    Kjo është logjika politike. Problemi është se po të ndjekim standardin politik që barazon Berishën dhe Ramën, duhet të presim që kryeministri Rama të mbushë 80 vjeç për t’u arrestuar. Duhet të presim që të dalë në opozitë. Të rrijë nja 10 vite aty deri sa të shpallet ‘non-grata’ dhe pastaj ta arrestojë SPAK-u, pasi ka gjetur prova se inceneratorët u ndërtuan nga djali apo nusja e tij. Në këtë rast standardi politik është shumë poshtë standardit juridik që ofron SPAK. Dhe kjo për faktin e thjeshtë sepse i tillë është çdo standard politik i vendosur nga Berisha në këto tridhjetë vite demokraci. Ndaj është paradoksale të përdorim keqqeverisjen e Berishës si kut matës për keqqeverisjen e Ramës. Është pikërisht kjo logjikë që e mban Ramën në pushtet. Qeverisja Rama mund t’i kalojë shumë më lehtë standardet politike që ka vendosur Berisha sesa standardet juridike që po vendos SPAK, të cilat kanë rrëzuar plot pesha të rënda të pushtetit socialist. Ndaj është çudi e madhe që sot përdorim standardet e kalbura të politikës shqiptare për të denoncuar standardet juridike që po vendos SPAK. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kujdesi për të moshuarit në zonën e përjashtimit të Çernobilit

    Lajmi i rradhës

    Asgjë nga premtimi për paralelen shqipe në Veles

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë