Mislim Zendeli
Që të kuptohet drejtë synimi i këtij shkrimi, po e them që në hyrje se, jam i vetëdijshëm se shkrimi nuk është as i pari e as i fundit për problematikën që merr në shqyrtim, dhe nuk bëhet për duartrokitje e as për pikë politike që nuk më hynë në udhë. Shkrimi merr shkas e pikënisjen e ka te shtytja e brendshme dhe dëshira e gatishmëria për t’u dhënë një dorë e për të ndihmuar proceset demokratike në këtë hapësirën tone që po ngulfatet. Mbase edhe mosha më krijon një kërkesë të domosdoshmërisë së të veshtruarit të gjërave në kontekst pak më të gjerë se vetja, familja dhe rrethi im i ngushtë.
Qëllimi është të stimuloj një vështrim kritik rreth çështjes së zgjedhjeve lokale. Sipas bindjes sime përzgjedhja e kryetarëve dhe këshilltarëve komunal, ku graviton popullata shqiptare, këtu në Maqedoninë e Veriut, i ka kaluar “kufijtë partiakë”. Paria e pushtetit lokal ka për detyrë që të zgjidh probleme të përditshme të qytetarëve, dhe ne, jemi duke e parë se kandidatët partiakë nuk po ia dalin kësaj pune, ashtu siç pritet e mbase edhe siç do të duhej. Ata nën ndikimin e politikave partiake i ngatërrojnë kompetencat e pushteteve në nivel republikan dhe në atë lokal. Është më se e qartë se, ka një zhgënjim të qytetarëve nga kryetarët e komunave që kanë qenë zgjedhje partiake. Shembuj kemi plotë. Pakënaqësia vërehet te zvogëlimi, dita ditës i numrit të qytetarëve që dalin në votime , ose i ikjes masive të rinjve “të guximshëm”, nga vendi.
Dihet se komunat nuk i takojnë vetëm një partie, qytetarët mund të kenë simpati për politika të ndryshme partiake në nivel shtetëror por ama hallet dhe problemet i kanë të përbashëta në qytetin apo vendin ku jetojnë.
Udhëheqësia komunale nuk mund të funksionojë pa besimin e të gjithë qytetarëve, pa dallime përkatësie të partisë, të kombit, të besimit, të statusit social,….Dhe partitë duhet ta kenë të qartë se rejtingu partiak nuk përputhet me atë qytetar dhe, ky nuk matet përmes pëlqimeve në rrjetet sociale. Sondazhet partiake të kandidatëve për kryetarë komunash nga taborret partiake nuk ofrojnë pasqyrë reale të opinionit qytetar.
Komunat sips ligjeve në fuqi dihet se çfarë fuqie qeverisjeje kanë! Në ç’drejtim duhet të lëvizin e veprojnë! Këto pra, komunat kanë për detyrë të organizojnë e sigurojnë: furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizimin e ujërave të zeza, filtrimin e tyre, ndriçimin publik, mirëmbajtjen e pastërtisë publike, mbledhjen e plehrave, mbeturinave, organizimin e transportit publik të qytetarëve, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale, mirëmbajtjen e hapësirave për parkim, ndërtimin e tregjeve, mirëmbajtjen e parqeve, gjelbërimit, mirëmbajtjen e hapësirave rekreative, mirëmbajtjen e brigjeve lumore në pjesët e urbanizuara, emërtimin e rrugëve, emërtimin e shesheve
emërtimin e urave,…Nuk duhet harruar dhe organizimin e aktiviteteve sportive dhe atyre të rekreacionit.
Ndërkaq kultura në nivel lokal së bashku me kultivimin e folklorit dhe traditave lokale e zejeve të vjetra, poashtu kërkon planifikim, organizim, koordinim dhe kontroll nga ana e udhëheqësisë komunale.
I numërova disa segmente e detyrime të organizimit shoqëror në kontekst lokal për të vënë në pah rëndësinë që ka përzgjedhja e udhëheqësisë komunale.
Mendoj se është koha që komunat të udhëhiqen nga menaxherë të suksesshëm njerëz të dëshmuar në bizneset e tyre familjare dhe jo vetëm. Këta mendoj se dijnë dhe kanë kapacitete intelektuale dhe organizative t’i koordinojnë burimet, natyrore, njerëzore, financiare dhe ato informative drejtë realizimit të ngritjes së cilësisë së jetesës së qytetarëve të një komune. Në shoqëritë demokratike udhëheqësit dhe institucionet lokale aspirojnë të krijojnë mirëqenie të qytetareve, t’i përparojnë e mbrojnë: të drejtat e qytetarëve liritë e qytetarëve. Kurse barazia e të gjithë qytetarëve duhet të jetë bazë e qeverisjes. Kësaj duhet t’i shtohet transparenca si qëllim më vete, kjo që mungon kaherë.
Që të funksionojë komuna duhet që kryetari të ketë sens për aspektet financiare.E tërë kjo me ndihmën dhe mbështetjen e përkrahjen e këshillëtarëve. Buxheti i komunës është kategori që kërkon dije praktike dhe përvojë pragmatike për mbledhjen dhe shpenzimin e parave publike konform premtimeve dhe programit zgjedhor si premtim i përcaktuar në fushatë. Insitucionet dhe funksionarët lokalë publikë duhet të punojnë, profesionalisht në mënyrë të paanshme dhe të mos përfaqësojnë vetëm interesat e një partie të caktuar politike, të një grupi interesi e të ngjashme.
Vrapi i partive politike, pushtet e opozitë, për nxjerrjen e kandidatëve “me llapë” e pa një ditë pune në menaxhim e organizim, veçsa e forcon tezën të cilën mundohem ta shkoqis e shtjelloj me këto që po i theksoj. Ka kaluar koha e qasjes: “sa më e madhe rrena, më i madh mashtrimi e premtimi, besimi është më i madh”.
Paraqitja e kandidatëve të pavarur në garat e zgjedhjeve lokale është një ogur i mirë se gjërat po ndryshojnë.
Nuk shoh gjë të keqe që biznesmenë dhe njerëz të dëshmuar në jetën private, të kërkojnë votën për kryetarë komune.
Partitë politike munden, po deshën, t’i përkrahin kandidatët e pavarur, por ama, nuk kanë të drejtë t’i etiketojnë si tradhëtarë vetëm pse nuk janë të asaj apo kësaj partie, apo grupimi politik.
Mbaj bindjen se kemi, ndër ne, plotë njerëz të suksesshëm në jetët e tyre private, të cilët pa ndihmën e politikës kanë arritur të mbajnë familje e punëtorë në fusha të ndryshme të jetës ekonomike e shoqërore.
Një qasje e këtillë pa anime partiake do sjell njeriun e duhur në vendin e duhur dhe kësisoj do arrihej realizimi i qëllimit organizativ në aspekt lokal drejt përmbushjes nevojave dhe pritshmërive të gjithë qytetarëve.
Kësaj duhet t’i shtohet edhe e dhëna se presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që në fillim të muajit gusht siç përcaktohet me ligj të shpall zgjedhjet locale 2025 që siç u tha do të mbahen në tetor por se të paqarta janë (ende) rregullat sa u përketë ndryshimeve të Kodit zgjedhor që partitë politike ngatërrohen e zënë n’thue te votimi me shumicë Badinteri. Aq më parë kur para do kohe me këtë u mor edhe Gjykata kushtetuese. Tani me propozimin e Partisë Liberale Demokratike ( një parti jo me shumë peshë!) ndryshimet e Kodit zgjedhor janë në fazën e leximit të dytë në kuvend dhe kjo e rëndon duke e bërë edhe më të paqartë situatënme faktin që krijohet mungesë ligjore për listat e pavarura për kandidatët këshilltarë.
Sidoqoftë urojmë që përzgjedhja e kanditatëve fillimisht të jetë përkatëse në cilësi dhe procesi zgjedhor të sjellë freskime me njerëz kompetentë e të përcaktuar për t’u ballafaquar me qeverisje të denjë për kohën!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.