Gjuha ka humbur thagmën për të rrokur të vërtetat e kohës

    AGRON GJEKMARKAJ

    Gjuha më shumë se gjithç ka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe”, është kjo një thënie e shkrimtarit Ismail Kadare. Në një ditë me shi si kjo e sotmja, më kapi një makth vetëpërbuzjeje teksa reflektoja mbi cilësinë e gjuhës që përdor e që përdorim yshtur nga kjo frazë e madhe.

    Gjuhë mushk e përkufizonte Gjergj Fishta atë lloj gjuhe që nuk shpreh, që nuk thotë që nuk flet, që nuk transmeton. E vështirë, sizifiane ta përkufizosh gjuhën në amzën e saj, por ia ndiej mjerimin kohës (mbase vetes më shumë) dhe sigurisht gjuha na e nxjerr në pah brendinë. Nuk di në është gjuhë politike, parlamentare, gjuhë faji kjo e imja, kjo e jona, gjuhë dele, gjuhë dhi, gjuhë cjap, gjuhë lope, gjuhë demi, gjuhë keci apo qengji, gardaline apo sorre apo një ditë njëra e një ditë tjetra ajo që përdor e përdorim në të folurën publike apo me njëri-tjetrin?!

    Por një gjë e ndiej, aftësinë e saj për të na izoluar nga njerëzit, të cilët nuk na kuptojnë më dhe flasin tjetërsoj. Nuk gjejmë përkthyes, nuk gjejmë derman. Gjuha jonë, komunikimi që lind prej saj ka humbur thagmën për të rrokur të vërtetat e kohës. Gjuha jonë, sidomos kjo e politikës, kërcet si teneqe dhe s’ka asnjë emocion. Patetika e saj si sherbet bakllavaje provokon përzierje. Ndonjëherë lëshon zhaurimën e bidesë kur tenton kumbimin prekës.

    Ajo mban erë hudhër e qepë! Ajo e ka llapën e gjatë e lëpin gënjeshtrën si fëmija akulloren. Fuqia e saj aktoriale është e dobët, qoftë edhe për të luajtur teatër. Kulturën e sheh si armik, dijen po kaq, të ndershmen më shumë. Gjuha nuk shkaktoka më skuqje e zverdhje. Dilka ajo si hingëllimë, si nevojë për të nxjerrë tinguj sesa për të interpretuar veten, tjetrin ne kontekstin e gjeografisë dhe kohës.

    Gjuha e përkufizon dinjitetin dhe mungesën e tij, ajo e ndërton servilizmin, ajo e ndjell interesin, ajo e justifikon abuzimin. Kodet e saj të rreme e relative e tolloshisin njerëzinë. Kodoshllëku i saj po vaksinon masat. Por është po gjuha që kap aspiratat e shoqërisë, horizontet e saj e po kaq ngecjet, modën e qëllimin e ditës. Dikush mendon se nëpërmjet gjuhës e fsheh qëllimin, e ka gabim, gjuha ia nxjerr në pah atë, dikush që me të justifikon hallin, por në fakt e lë atë pa mbrojtje, të tjerë besojnë se gjuha të ndihmon të mbulosh gënjeshtrën, në fakt, ajo ta nxjerr atë në pah.

    Thatësia e njomësia e saj bëjnë të njëjtën gjë për karakterin njerëzor. Gjuha e përkufizon mirënjohjen, po kaq mungesën e saj. Në kryeqytet, gjuha duket e panevojshme. Në një konvencion të plotë reduktiv është shndërruar ajo. Më mirë e përdor atë një bujk, një peshkatar, një bari që funksionin e saj primordial.

    Ajo e tyre shkakton buzëqeshje, gëzim, hidhërim, i bën bashkë e largon me natyralitet. Ne që merremi me politikë jemi atentatorët e gjuhës, Kanan Tafilët e saj dhe shpërdoruesit, sigurisht. Ne jemi mjerimi i kohës, fakt që gjuha e bën të zhurmshëm. E pat parashikuar Italo Calvino, shkrimtar italian në “Leksionet e tij amerikane”, që gjuha po ezauron vetveten, fjala po bëhet atentatore e saj se me gjasë barku ka marrë të gjitha funksionet e kokës dhe të zemrës. Barku udhëheq shtetin, qeverinë, partitë, ndaj gjuha ka këtë cilësi atë të zhurmave që ai prodhon./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Berisha: Nëse Basha nuk largohet nga zyra brenda pesë janarit, do të ketë një protestë paqësore

    Lajmi i rradhës

    MASH pas 35 viteve investoi mbi dy milionë denarë në konviktet e studentëve

    Lajme tjera

    Për në Madrid

    LEONARD DEMI Më 29 qershor, në Madrid, do të mbahet Samiti i NATO-s, ku mund të miratohet edhe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë