NJË LEXIM I NGESHËM I ZGJEDHJEVE NË TETOVË

    Bardhyl Zaimi

    Përtej lokalizmit, Tetova mbetet epiqendër e betejave politike, epiqendër e zhvillimeve që reflektojnë në gjithë arealin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Trajektorja politike e shqiptarëve të Maqedonisë ndërlidhet me Tetovën si një ndjeshmëri politike, si një substancë politike, ku realisht gjithnjë kanë qenë i koncentruar veprimi i të gjitha partive politike. Ky fakt, padiskutim nuk i krijon epërsi Tetovës ndaj qyteteve tjera, por me peshë politike nga rrethanat historike, nga konfiguracioni i përplasjeve me pushtetet që nga koha e komunizmit e deri në ditët e sotme. Faktori demografik i alternuar në njësi zgjedhore që nxjerrë më shumë deputet, koncentrimi i votës së shqiptarëve me kapacitete për të ndryshuar kahje zhvillimesh dhe shumë faktorë tjerë socio-kulturor dhe historik e bëjnë Tetovën fushëbeteje konkurrimi politik, por edhe kundërvënieje ndaj politikave të pushtetit qendror.

    Në këtë kuptim, Tetova në fakt, nuk është vetëm një qytet, për shkak se rrugët e historisë i kanë përcaktuar një tipologji tjetër, atë të një toposi politik kombëtarist me të cilin identifikohen gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Tetova në sensin politik sa është e tetovarëve barabarësisht është e gjithë qytetarëve shqiptarë nga qytet tjera. Dhe, ky fakt politik nuk është një privilegj, por përkundrazi një realitet historik dhe politik që performohet si vullnet dhe aspiratë politike në gjithë arealin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

    Në fakt, ndjeshmëritë politike në Tetovë në asnjë rast nuk ndërlidhen vetëm me tetovarët, por marrin impulse nga gjithë areali shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në Tetovë për shkak të rrethanave historike dhe politike vetëm janë formësuar këto ndjeshmëri politike, të cilat më pas kanë reflektuar në gjithë hapësirën shqiptare. Ky fat historik dhe politik, këto dinamika realitetesh të ngatërruara që kërkojnë artikulimin politik vijnë dhe formësohen nëpërmjet një polifonie politike si reagim ciklik ndaj pushteteve, gjegjësisht ndaj shpërfilljeve dhe atrofizimit politik. Ka një nerv të pashpjegueshëm që në momente të caktuara jep shenjë se diçka nuk është në rregull, se është koha për të sinjalizuar në praktikat e ushtrimit të pushtetit.

    Së këndejmi, edhe zgjedhjet lokale në Tetovë nuk mund të përcaktohen vetëm përmes tipoligjisë së qeverisjes lokale, por shkojnë përtej për të sinjalizuar, për të bërë të dukshme si vullnet anomalitë politike, por edhe për të sinjalizuar për politikat dhe përzgjedhjet e bartëseve të funksioneve publike që nuk përkojnë me pritjet e qytetarëve. Heshtja në dukje disavjeçare mund të gënjejë në perceptim subjektet politike, por si zakonisht kjo është koha e formësimeve që në një moment të caktuar shfaqen si reagim politik. Distribuimi i drejtë i pushtetit, përzgjedhja e funksionarëve, filozofia politike dhe praktikat qeverisëse, por edhe elementet tjera që ndërlidhen me gjithë arealin shqiptar në Maqedoninë e Veriut janë dimensione që formësojnë reagimin e Tetovës në momente të caktuara.

    Zgjedhjet e fundit për Këshillin e Komunës së Tetovës e reflektuan pikërisht këtë ndjeshmëri të toposit politik të qytetit, që në momente të caktuara shpërfaqet si reagim, si sinjal për partitë politike. Pa hyrë në analizë numrash, vetëm mund të theksohet se këto zgjedhje janë një reflektim më i gjerë i dinamikave politike të cilat tashmë kërkojnë të formësohen, të strukturohen dhe të vetëidentifikohen si substancë politike, gjithnjë në raport me praktikat e qeverisjes, që në këtë rast marrin dimensione të thella të sinjaleve politike për subjektet politike. Planimetria e votës flet për një ndjeshmëri politike dhe qytetare në raport me bartësit e funksioneve në nivel të pushtetit qendror që ka reflektuar dëshpërim edhe brenda vetë një subjekti politik, por edhe të filozofisë politike që gjithashtu strukturon votën në peizazhin lokal. Gjithë reflektimin e kësaj vote partitë politike duhet ta lexojnë drejt, sepse me gjasë tashmë hyhet në një fazë tjetër të përgjegjësisë, sidomos të bartësve të funksioneve publike.

    Dhe, sigurisht, në Tetovë gjithnjë ekziston një oksimoron politik. Këto zgjedhje mund të llogariten lokale, por mund të llogariten edhe si një reflektim pak më i gjerë. Vetë konfiguracioni atipik i Tetovës në rrafshin politik lejon intepretime të ndryshme. Një gjë mbetet e sigurt, Tetova mbetet barometër për subjektet politike, mbetet një topos politik reflektimesh! /KDP/

    Lajmi Paraprak

    “Rama të tërhiqet nga dhënia e shtetësisë pa kriter ligjor”

    Lajmi i rradhës

    Partia Besa fiton zgjedhjet në Tetovë ndaj BDI-ja e Ali Ahmetit pranon humbjen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë