Në Prishtinë ndihem si në Tiranë

    Arlind Qori

    Për herë të parë për Kosovën kam dëgjuar prej tim eti. Duhet të kem qenë në klasë të parë ose pak më herët. Ndoshta në vitin 1987 ose 1988. Asokohe Radio Televizioni Shqiptar transmetonte vetëm katër orë (18:00 deri në 22:00) programe televizive, gjatë të cilave unë isha i interesuar vetëm për Rubrikën Sportive dhe filmat humoristikë me Olion e Stelion. Gjithsesi në moshën kur fëmija pyet për gjithçka, kushedi pse më shkoi mendja ta pyesja tim atë për historinë e shqiptarëve. E kisha kuptuar, me gjasë nga transmetimet sportive, se bota përbëhej nga shumë popuj. Ende e mbaj mend shpjegimin e tij duke ecur në trotuarin që të çon drejt Liceut Artistik. Shqiptarët vinin nga ilirët dhe sot banojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Por Kosova ishte e pushtuar nga Jugosllavia prej shumë vitesh. Toni i zërit të tij më bëri të kuptoja se kjo ishte një padrejtësi e madhe.

    Dy-tri vjet më vonë, me gjasë në vitin 1990, RTSh (që të gjithë e quanin thjesht Tirana) transmetonte një dokumentar të cilit ia mbaj mend edhe titullin “Kosova në shtatë kohë”, edhe përmbajtjen. (Ka vite që e kërkoj, por nuk e gjej kurrkund në hapësirë virtuale). Në të paraqitej historia e vuajtjeve dhe shtypjes së popullit të Kosovës, por edhe e rezistencës së paepur të tij. Më është ngulitur në mendje një skenë kur një burrë (ose djalë), i mbërthyer nga disa milicë, u shpëton nga duart atyre duke i goditur dhe vrapon i lirë. Në ato ujëra im vëlla, ca më i vogël se unë, fiksoi në dokumentar ngritjen e dy gishtave gjatë demonstratave të rinisë kosovare dhe nisi ta përsëriste si gjest me shokët e pallatit (duke u ngrirë gjakun prindërve).

    Me kalimin e viteve e njoha mjaft më shumë historinë e Kosovës. Kuptova koklavitjet e historisë, kontradiktat e brendshme dhe kontekstin ndërkombëtar. Njoha edhe shumë shokë, shoqe e miq nga Kosova. Për shkak të tyre, sa herë shkoj në Prishtinë ndihem si në Tiranë, në kuptimin e familjaritetit të vendeve e të njerëzve. E prapëseprapë më duket se e gjithë kjo pasuri njohurish dhe përvojash njerëzore nuk do të ishte e mundur pa ato dy histori të vogla të fëmijërisë.

    Sot Republika e Kosovës feston 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Një pavarësi që ka ardhur pas një pafundësie sakrificash – të vrarësh, të sakatuarish, të burgosurish e të nëpërkëmburish – të pjesës më vitale të popullit të Kosovës: rinisë, punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve e gjithkujt që nuk ka mundur ta durojë jetën në robëri. Në fund të shekullit XX Kosova ishte i vetmi vend në Evropë ku ndërthurej logjika kolonialiste e një shekulli më parë me elementë të aparteidit. I vetmi fat i popullit të Kosovës, që mjerisht nuk e gëzojnë ende popuj të tjerë që jetojnë në robëri, ishte përkimi i rezistencës popullore me një konfigurimin gjeopolitik të volitshëm.

    Që prej themelimit të saj Republika e Kosovës gjendet në trysninë e shtetit më reaksionar dhe shovinist të Ballkanit, Serbisë. Synimet e saj për ta copëtuar e destabilizuar Kosovën shpallen botërisht. Mjerisht, pikërisht se gjeopolitika është raport forcash dhe interesash, që me të drejtën në rastin më të mirë kanë një marrëdhënie tangente, sot institucionet e Republikës së Kosovës gjenden nën një trysni ndërkombëtare të pashembullt për të pranuar një ndarje etnike dhe disfunksionale të vendit.

    Gjithsesi 17 shkurti është ditë historike. Ajo është simboli i shtetësisë dhe mëvetësisë së popullit të Kosovës. Afërmendsh, pavarësia politike është kusht i përparimit shoqëror, por jo i vetmi. Një popull ia del të bëhet vërtet i lirë kur lufton për demokraci dhe drejtësi shoqërore. E kjo luftë nuk ka mbarim asnjëherë. Sidoqoftë, njëzet a më shumë vitet e fundit kanë treguar se shoqëria kosovare ka ndërtuar një infrastrukturë protestash dhe rezistence që shumë nga vendet e Ballkanit do ta kishin zili. Në radhë të parë Shqipëria.

    Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

    Lajmi Paraprak

    Kandidati për president në Serbi viziton Prekazin, kërkon falje për krimet e shtetit të tij

    Lajmi i rradhës

    “Rastet e montuara”, Ibrahimi – Kovaçevskit: Dërgoje kërkesën në KE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë