GËZIM TUSHI
Problemi i statusit të “klasës së mesme” në vetvete dhe raportet e saj me politikën dhe shoqërinë është një problem i përhershëm, jo vetë teorik e sociologjik, por dhe social dhe politik. Në shoqërinë shqiptare tri dekada e gjysëm më parë, ky problem nuk është vlerësuar as sociologjikisht as praktikisht, nga që struktura politike dhe stratifikimi social i shoqërisë duke qenë në kushtet e totalitarizmit, nuk e ka dëshiruar, vlerësuar apo pranuar me statusin e saj, këtë shtresë me rëndësi për stabilitetin ekzistencial të jetës ekonomike, shoqërore dhe politike.
Në Shqipëri pas viteve ‘90-të, kur ndodhën ndryshimet e mëdha të sistemit politik dhe ridimensionimi total i sistemit ekonomik nëpërmejt reformave të thella të privatizimit, procese madhore të cilat u shoqëruan me fenomenin e ristrukturimit të formatit material, e shoqëruar me një reflektim adekuat në ristratifikimin e ri të klasave në shoqërinë tonë. Lindën klasa të reja, krejt të ndryshme, madje të përmbysura në raport me strukturën e vjetër të shoqërisë. U shfaqën ripozicionime të reja shoqërore e shtresore, si pjesë e një shoqërie me fizionomi të re. Demokracia solli ndryshime të mëdha, sikurse ishte kapërximi i “kufirit të vjetër të përcaktimeve të determinuara e të pandryshuara, të përcaktimit të shtresëzimit, statusit social të individit apo grupeve të ngjajshme nga përkatësia grupore e klasore.
Koha e jetës moderne e demokratike në shoqërinë tonë, tashmë është nën ndikimin e fuqishëm të një lloj fleksibiliteti dhe labiliteti klasor të strukturës sociale, e cila është dinamike, me një kurbë që e lëvivz strukturën grupore apo statusin e individit vazhdimisht rreth “boshtit” dhe “kufirit ndarës” të pozicionit social, shtersor e klasor të individit. Ndërkaq, kjo liri, ky labilitet, bashkë me ndryshimin e herë pas hershëm të statusit të individit në shoqërinë shqiptare në mënyrë të natyrshme do të shoqërohej edhe një strukturë të re sociale, e determinuar nga një zgjerim i natyrshëm i shtresës/klasës së mesme dhe në të njëjtën kohë me shfaqjen evidente të polarizimit të shoqërisë në dy skajet ekstreme të pasurisë dhe varfërisë.
Shoqëria shqiptare në mënyrë të padyshimtë është formatuar sipas standarteve të jetës moderne dhe tipologjisë sociale të kohës së sotme, duke shfaqur trajta strukturore dhe tipare të reja të dallimit funksional social, shtresor e klasor. Por nga ana tjetër, ne kemi hyrë në fazën e zhvilluar të një shoqërie me ndryshime dinamike e tendenca të forta likuide. Kjo situatë determinon faktin që në brendësinë e vet, struktura sociale dhe identitetet klasore të stratifikohen dhe ristratifikohen më shpejt. Analiza e siuatës konktere tregon se është e vështirë të mendosh se struktura e ndarjes së klasve apo shtresave shoqërore në shoqërinë e sotme shqiptare është e qëndrushme, fikse, përfundimtare, e pandryshueshme. E kundërta është e vërtetë. Kalimi në shoqërinë postmoderne, ka sjellë përmbysje konceptuale sociologjike e logjike, por edhe materiale e morale në përcaktimin dhe ripërcaktimin e “kufirit” që ndan klasat dhe shtresat sociale midis tyre. “Në komunitetet e qytetëruara moderne vijat ndarëse mes klasave shoqërore janë bërë më të zbehta dhe të përkohshme…”. Th Vebel Teoria e klasës së ngeshme, f 94
Padyshim, brenda shoqërisë dhe identiteteve sociale, klasore e identitare ka lëvizje të vazhdueshme me natyrë vertikale e horizontale. Kjo paradigm teorike demografike, sociale e materiale nuk është hipotetike por reale, e prekshme, dinamike. Kjo është arsyeja pse në shoqërinë e sotme shqiptare ka lëvizje eterne në “vijat klasore”, të cilat tregojnë qartë se në kushtet e modernitetit dhe lëvizshmërisë sociale gjithnjë është e pranishme dhe evidente dëshira e shfaqur në formë individuale, por tashmë e konturuar dhe e kthyer në “ideal shtresor”, apo si qëllim brenda kontureve të klasës, synon së pari të forcojë dhe përforcojë “horizontalisht” pozitat e veta brenda shtresës aktuale dhe njëkohësisht përpiqet të garojë, duke patur si ideal përmirësimin e pozitës, plotësimin e kushteve progresive për të qënë sa më pranë, pse jo edhe për t’u integruar e përshtatur organikisht me cilësinë e jetës së shtresës apo klasës që është më sipër. Është e natyrshme, është në natyrën njerëzore, që tregon se “…çdo klasë e ka zili dhe përpiqet të arrijë menjëherë klasën që gjëndet sipër saj në shkallën shoqërore..”. Th Veblen, “Teoria e klasës së ngeshme”, f. 111
Por duhet të jemi realist dhe analogë me të vërtetat dhe trajtat e shfaqjes së këtij procesi dinamik në shoqërinë tonë. Sepse parimisht dhe teorikisht ky proces, si rregull nuk është dhe nuk po shfaqet unik, i barabartë, i njëtrajtshëm për shtesat e brendshme të klasës së mesme. Shtresa e poshtme e klasës së mesme, e ka më të vështirë të plotësojë kushtet dhe të arrijë standartet e kapërximit të “rubikonit klasor” në raport me kushtet dhe mundësitë më optimale që ka “pjesa e lartme” e klasës së mesme, për ta realizuar më shpejt këtë kapërxim si një ideal i dobishëm për të. Niveli i dallimit të konsumit brenda këtyre dy shtresave, e “ulët” dhe e “lartë” e klasës së mesme, janë të lidhura me ndryshimet evidente në nivelin midis “konsumit të respektueshëm” të nivelit të lartë të shtresës së mesme nga konsumi i detyruar, bazik, i nevojshëm të nivelit të “ulët”. Dallime të cilat mund të evidentohen në mënyrë sintetike si dy nivele ekzistenciale brenda shtresës së mesme, që shfaqen dukshëm në formën e nivelit të “reputacionit monetar” të diversifikuar. Ky është një ideal i natyrshëm individual e shtresor, që nxit progresin ndërshtresor, dhe në radhë të parë si rrugë për zgjerimin dhe konsolidimin e shtresës së mesme si klasa më dominante numerikisht dhe nga pikëpamja e peshës sociale në shoqëri. Por kjo jo thjesht si tendencë për të kapërxyer shtresën, vetëm për ekzibicion social apo dukje publike të dimensionit të shtresës.
Sociologët e kohës moderne, analizues të vëmendshëm të dinamikave të brendshme të jetës në shoqërinë postmoderne, kanë evidentuar se në kohën e sotme duket qartë, se koncepti politik tradicional, klasik e doktrinar i përcaktimit të klasave dhe përkatësisë klasore ka ndryshuar. Sepse me sa duket, më shumë se pozita klasore, qështë konsumi i cili shfaqet si mjet i diferencimit shoqëror dhe jo thjesht mjet i plotësimit të nevojave. Kudo është fenomen tipik që klasa e mesme është aktive në aktivitetin e vet konsumues, madje sociologët mendojnë se ajo është dominante dhe e përfshirë si klasë në “konsumin e shpeshtë”. Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit” f. 27
Dominimi i natyrës konsumistike në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare, në mënyrë fare të natyrshme, po shoqërohet me shfaqjen e efekteve të reja sociale e materiale në nivele tronditëse, duke “thyer” skemat e vjetra të identitetit klasor dhe zhbërë paradigmat klasike të përcaktimeve të hierarkive shoqërore të shoqërisë tradicionale. Kjo është fare evidente, sepse tashmë unë besoj se kemi hyrë në fazën e zhvillimeve politike, sociale, ekonomike, kulturore e arsimore në të cilën hierarkia klasore postmoderne, pozita sociale dikur e “fituar” apo e “trashëguar”, gradualisht, por në mënyrë të pakthyeshme po zëvendësohet me “hierarkinë e objekteve që zotëron”. Madje, ndodhemi në një moment historik (kalimtar apo i qëndrueshëm, nuk mund ta them), kur për shkak të kaotizmit dhe mundësive të pafundme të konsumizmit, në shoqërinë tonë klasat ndodhen përballë një procesi të “deklasimit ose demokratizimit” të përdorimit të produkteve nga të gjithë, sipas mundësive të personalizuara. Konsumi në nivele të diferencuara brenda statusit dhe realitetit social material të klasës së mesme, ka filluar të shoqërohet me procese të desolidarizimit brenda saj. Është e ditur që në shoqërinë e sotme shqiptare të demokratizuar dhe e vendosur në kanalet e ekonomisë së tregut të lirë, “nuk ka limite për nevojat e njeriut si qenie sociale”.
Megjithatë, duke e parë në këtë kontekst, është e vërtetë që në shoqërinë shqiptare gjatë gjithë tranzicionit por edhe në vazhdim, klasa e mesme shfaqet më e sigurt në statusin e sovranitetit dhe qëndrueshmërisë si konsumator. Duke e parë shtresën e mesme të lidhur në mënyrë të njëanshme vetëm me nivelin e konsumit, sociologët flasin për atë që e quajnë “gamë e përbashkët” e objekteve që duhet të zotërojë konsumatori i shtresës së mesme. Por problem ka edhe aspektin tjetër të përcaktimit të nivelit kulturor që duhet të ketë qytetari i klasës së mesme, që konsiderohet si “karta e qytetarisë” kulturore. Që përbën një nga tiparet dalluese të kësaj shtrese.
Por nga ana tjetër analiza më kapilare e strukturës së brendshme, kërkon që ajo të vlerësohet mbi bazën e logjikës sociologjike dhe në përputhje me realitetin social të shfaqjes së diferencimit shtresor që janë të natyrshme, ekzistencialisht të dukshme e të sigurta brenda korpusit kompleks të “klasës së mesme”. Klasa e mesme është me strukturë më të qëndrueshme, për shkak të profesioneve të qëndrueshme dhe pozitës sociale më të konsoliduar materialisht dhe publikisht, por kjo nuk do të thotë se “paketat standarte” të saj të pandryshueshme apo të dhëna njëherë e përgjithmonë.
Shoqëria shqiptare, kohët e fundit ka shfaqur në tërësinë e saj shumë probleme endemike strukturore e turbulenca socialekonomike, të cilat kanë ndikimin e tyre tek klasa e mesme, që ndikojnë në gjeometrinë e pa qëndrueshme të statusit të saj social. Koha moderne në shoqërinë tonë në mënyrë të natyrshme është e shoqëruar nga shumë procese paralele, që ndikojnë në strukturimin dhe vlerësimin e rolit dhe pozicionit të klasës së mesme. Nga njëra anë është prirja për homogjenizim, por që zhvillohet pa e ndalur diferencimin strukturor të shoqërisë.
Padyshim, edhe klasa e mesme ka interesat e saj, ambicjet dhe synimet për progres, jo vetëm material. Shpesh individë të kësaj shtrese janë nën garën e pandalshme të “konkurencës statutore”, e cila shpesh herë e shfaqur edhe me sindromën dhe pasojat specifike të një lloj të çekuilibrit psikologjik. Në shumë raste është i pranishëm një ekuacion kontradiktor interesash të individëve të saj, të shfaqur pse jo edhe në formën e “aspiratës mbikonsumuese” që nuk është tendencë sociale e huaj për këtë shtresë. Por, “…nevojat dhe aspiratat, të aktivizuara nga diferencimi shoqëror dhe nevoja e statusit, kanë tendenca në shoqërinë me rritje ekonomike, për të ecur gjithmonë pak më shpejt sesa të mirat e disponueshme apo sesa shanset objektive”. J Baudrillard, “Shoqëria e konsumit” f. 90
Pavarësisht të gjithave, në instancë të fundit, logjika sociale e diferencimit, brenda dhe jashtë “kontureve” të klasës së mesme, është një faktor esencialisht i rëndësishëm dhe dinamik, që ndihmon për strukturimin dhe ristrukturimin e lirë dhe të meriruar të shtresave sociale, që ndikon në evidentimin e kufijve të dallimit midis tyre. Kjo paradigmë në kushtet aktuale të shoqërinë tone, jo vetëm është ekzistencialisht e sigurt, por që për shkaqe e arsye të caktuara historike e aktuale specifike, vazhdon të shfaqet me ritme të akseleruara. Një proces integral tejet dinamik, që tashmë funksionon plotësisht në shoqërinë shqiptare të epokës liberale e demokratike. Madje, është në rritje shpejtësia e levizjes social ekonomike stratifikuese, e cila në mënyrë të pashmangshme ygmunt Bauman”…është bërë sot faktor madhor dhe, ndoshta, më kryesori për shtresëzhimin shoqëror dhe hierarkinë e dominimit”. Z. Bauman “Moderniteti i lëngët”, f. 209





