Një udhëzues praktik për botën që po ndryshon

    Alfred Marleku

    (pjesa II)

    Ndarja e botës në rajone

    Në seksionin e dytë Has analizon rajonet kryesore të botës duke përfshirë gjashtë sosh: Evropën, Azinë Lindore & Paqësorin, Azinë Jugore, Lindjen e Mesme, Afrikën sub-Sahariane dhe Kontinentin Amerikan. Në trajtimin e secilit nga këto rajone ai kryesisht fokusohet – në formë të kondensuar – në aspektet historike të rajonit, zhvillimin ekonomik e sfidat politike, konstelacionet gjeopolitike, potencialin e këtyre shteteve për ndikim si dhe perspektivën drejtë së ardhmes për secilin rajon. Ai konstaton se “përderisa Evropa ka zënë pjesën më të madhe të historisë së shekullit XX-të, ka shumë pak të ngjarë që shtetet e këtij rajoni do të kenë rolin kryesor në këtë shekull”.Azia Jugore dhe Paqësori do të jetë rajoni më i rëndësishëm i këtij shekulli, ku roli i “Kinës dhe fë uqive tjera rajonale si Japonia dhe Koreja Jugore, do jetë vendimtar”.

    Religjioni konsiderohet si një faktor i rëndësishëm që do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në dinamikat e shumë prej këtyre rajoneve. Element tjetër me ndikim në këtë drejtim parashihet të jenë edhe ndryshimet demografike. Disa rajone, si Evropa dhe Azia Lindore, janë duke u përballur me “ngecje demografike”, konstaton autori. Në anën tjetër, rajonet tjera, si Afrika sub-Sahariane dhe Azia Jugore, kanë rritje të madhe të popullsisë. Në të njëjtën kohë, shpërndarja moshore përgjatë shteteve është e pabarabartë. Në disa shtete, shumica e të cilave shtrihen në Afrikë, “më shumë se 40% e popullsisë së tyre është nën moshën 15 vjeçare dhe vetëm 3% e popullatës është mbi moshën 60 vjeç”. Mosha e re e popullsisë për një vend, në shikim të parë, mund të duket si potencial dhe burim i fuqisë së shtetit. Dhe në fakt, në shumicën e rasteve, ashtu edhe është. Mirëpo, kur shteti nuk e ka zhvillimin ekonomik të duhur një gjë e tillë e vë nën presion shtetin që të sigurojë kushte sa i përket shkollimit dhe punësimit për këtë popullsi.Për këtë arsyeje ndodh jo rrallë që ky potencial i fuqisë fare lehtë të shndërrohet në kërcënim për vendin. Kurse në Azi më pak se “25% e popullsisë është nën 15 vjeç dhe rreth 10% është mbi 65 vjeç”. Kjo e rrit barrën për ata që janë në moshë adekuate për të punuar dhe mbi shoqërinë në përgjithësi, sepse personat e moshuar kërkojnë më shumë shërbime shëndetësore dhe përkujdesje.

    Epoka globale dhe sfidat e globalizmit

    Përkundër ndikimit që ka në sistemin ndërkombëtar rivaliteti në mes të superfuqive që e dominojnë atë,siç janë ShBA-ja dhe Kina, Has nuk mendon se epoka në të cilën po hyjmë do të karakterizohet nga një garë në mes këtyre dy shteteve. Ai beson dhe provon të argumentojë me kokëfortësi se “globalizmi do të përcaktojë epokën që po vjen”. Një konstatim i tillë edhe pritej nëse merret në konsideratë prizmi teorik Liberal përmes së cilit autori i deshifron realitetet e politikës globale.

    Has e definon globalizmin si diçka që ka të bëjë me “rrjedhat, shpesh të mëdha në shkallë dhe të shpejta në lëvizje, të pothuajse gjithçkaje që ju mund të mendoni duke filluar nga njerëzit, posta elektronike deri tek viruset dhe dyoksidii karbonit, në të gjithë botën dhe përtej kufijve”. Por, ai nuk le pa përmendur edhe kontradiktat dhe sfidat që e shoqërojnë globalizmin. Sipas tij, ai në të njëjtën kohë është edhe “i mirë dhe i keq. Benin dhe malinjë. Në disa aspekte, globalizmi është diçka që shtetet do të donin ta përqafonin, por në anën tjetër do të donin edhe ta drejtonin”.

    Pjesa e parë e këtij seksioni i kushtohet globalizmit, ndërsa kapitujt pasues i dedikohen manifestimeve të ndryshme të tij që përfshijnë: terrorizmin, përhapjen nukleare, ndryshimet klimatike, migrimin, hapësirën kibernetike, shëndetin publik, tregtinë ndërkombëtare, çështjet monetare dhe zhvillimin. Çdo kapitull analizon, në mënyrë specifike,secilën nga këto trajta të globalizmit duke u fokusuar në shkaqet, pasojat dhe duke u marrë edhe me opsionet që janë në dispozicion të shteteve për t’u përballur me të.

    Autori nënvizon, me të drejtë, shumë trende pozitive që janë rezultat i një bote të globalizuar dhe të cilat kanë luajtur rol jo të vogël në, për shembull, uljen e numrit të popullsisë në nivel global që jetojnë në varfëri ekstreme. Megjithatë, Has pjesën më të madhe të hapësirës ia dedikon zhvillimeve më të zymta që janë aktualisht karakteristikë e zhvillimeve ndërkombëtare si: erozioni i mbështetjes për institucionet demokratike, rritja e pabarazisë globale dhe shpejtësia e shpërndarjes së saj.

    Duke marrë parasysh se libri është dërguar në shtyp para fillimit të pandemisë, Has nuk përmend askund efektet e virusit Covid-19. Megjithatë, në një nga kapitujt e librit, edhe pse sipërfaqësisht, sjell në pah rreziqet që mund të shkaktoheshin nga një pandemi globale duke e nënvizuar rëndësinë jetike që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në ofrimin e përgjigjes adekuate kundrejt kërcënimeve globale që i tejkalojnë kufijtë dhe, rrjedhimisht, nuk mund te gjejnë zgjidhje brendashtetërore. 

    Rendi anarkik

    Në pjesën e katërt dhe të fundit të librit Has trajton “rendin” dhe “çrregullimin” ndërkombëtar. Kjo, në fakt, është edhe pjesa më intriguese dhe kontradiktore e këtij libri. Sipas autorit “rendi synon të pasqyrojë shkallën në të cilën ekzistojnë rregulla të pranuara gjerësisht të cilat qartësojnë modalitetet se si duhet të udhëhiqen marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nivelin në të cilën ekziston një ‘ekuilibër fuqie’ për të mbështetur ato rregulla, në mënyrë që ata të cilët nuk pajtohen me to të mos tundohen t’i shkelin, ose nëse e provojnë një gjë të tillë, të dështojnë”. Elementi kryesor i rendit, argumenton tutje Has, është një “ekuilibër i qëndrueshëm”, dhe jo thjeshtë shpresa e pabazuar se aktorët do udhëhiqen nga “parime etike” apo nga “e drejta” dhe në këtë mënyrë, në formë të vetëkuptueshme, do të shfaqin “vetëpërmbajtje” nga sjelljet destruktive që cenon “ekuilibrin e fuqisë”.

    Derisa studiuesit që priren të interpretojnë marrëdhëniet ndërkombëtare nga prizmi i teorisë Realiste e nënvizojnë çdo herë relevancën e shtetit si aktori thelbësor, Has e thekson rëndësinë që jo rrallë kanë edhe aktorët tjerë si:“organizatat joqeveritare, korporatat e ndryshme, mediat, religjionet apo edhe rrjetet e organizatave terroriste”. Sidoqoftë, ai nuk është se pajtohet çdo herë me faktin se roli i organizatave ndërkombëtare në politikën globale është relevant. Sipas tij, “Kombet e Bashkuara, si një nga organizatat me të rëndësishme globale, kanë shumë pak ndikim në rendin ndërkombëtar sepse anëtarët e saj më të fuqishëm – që përbëjnë pesëshen e anëtarëve të përhershëm në Këshillin e Sigurimit – duke mbrojtur para së gjithash interesat e tyre kombëtare, shumë rrallë arrijnë të pajtohen sa i përket çështjeve jetike”. Në këtë kontekst Has, duke cituar librin “Shoqëria Anarkike” (The Anarchical Society) të autorit të tij të preferuar, Hedli Bull [Hedley Bull], konstaton se ne jetojmë më shumë në një “sistem ndërkombëtar”, se sa në një “shoqëri ndërkombëtare”. Ky konstatim i Has mbështetet edhe nga interpretimi Realist i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Është e vërtetë që ekziston e drejta ndërkombëtare dhe ka edhe gjykata ndërkombëtare të cilat rregullojnë shumë aspekte të sjelljes të shteteve, por këto elemente e kanë të pamundur t’i ndalojnë apo detyrojnë shtetet që të veprojnë në mënyrë të pavarur, kur këto të fundit e shohin të arsyeshme që një sjellje apo veprim i caktuar është në përputhje me interesat e tyre nacionale. Në këtë kontekst, mund të sjellim në kujtesë një rast të njohur për ne. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010 kishte konstatuar se “deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare”, një vendim i tillë nuk ndikoi që shtete si Serbia të njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse ky i fundit ishte shteti që vetë kishte ndikuar inicimin e ngritjes së rastit në këtë gjykatë.

    Has tërheq vërejtjen se “rendi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është një gjendje natyrale” dhe nuk shfaqet ashtu papritur dhe vetvetiu andaj, në këtë mënyrë, as nuk mund të mirëmbahet në mënyrë automatike. Në të vërtetë, që të ekzistojë një rend ndërkombëtar funksional do të duhej një angazhim dhe vendosmëri e vazhdueshme nga shtetet në atë mënyrë që të jenë në gjendje të “lënë anash divergjencat mes tyre dhe të përqendrohen në identifikimin e elementeve të përbashkëta, në përpjekjen permanente për mbështetjen e atij rendi”.

    Në këto rrethana, do të duhej që të krijohej një rend ndërkombëtar i “avancuar në mënyrë që t’i përgjigjet rrethanave dhe zhvillimeve ndërkombëtare”, vazhdon Has. Mirëpo, në dekadat e fundit kanë ndodhur shumë zhvillime që po e cenojnë rendin e deritanishëm ndërkombëtar që është i zbatueshëm së paku që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Has vë në pah se “rritja e fuqisë së Kinës, rikthimi i sentimentit nacionalist në shumë shtete, krizat dhe problemet që ka shkaktuar globalizmi ndër vite, e ka bërë ‘riformatimin’ e rendit ndërkombëtar një domosdoshmëri të pashmangshme”. Në këtë drejtim, Has e përfundon librin e tij më një lutje që lidershipi i ri i ShBA-së, të marrë rolin kryesor për t’i dhënë formë dhe përmbajtje një rendi të ri ndërkombëtar për pjesën e mbetur tëkëtij shekulli.

    Për të konluduar, vlerësimi i dhënë për librin nga ish Sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt [Madeleine Albright] – i cili shfaqët edhe në ballinë – se “ky tekst shpjegon se si funksionon bota në të vërtetë, si po ndryshon dhe pse kjo ka rëndësi…”, është mendim elokuent dhe mjaft dashamirës i bërë nga një mike e autorit. Megjithatë, ky libër – në formën si janë ndarë seksionet, si janë shtruar argumentet dhe analizuar faktet dhe rastet e veçanta – përbën një tekst interesant që mund të shërbejë si hyrje e mirë për rishtarët që kanë interes dhe vullnet të mësojnë më shumë për këtë fushë të dijës. Megjithatë, mund të konstatohet se teksti është i përgjithshëm, në disa raste sipërfaqësor dhe tejet konvencional që të ngjallë interesimin dhe kërshërinë e atyre që e studiojnë këtë fushë në baza më profesionale. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Edukata seksuale nuk është zgjidhje

    Lajmi i rradhës

    Vjosa Osmani shkarkon ambasadorin Dedaj: Këtë ma kishte bërë vetëm Millosheviqi kur më vrau familjen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë