Cameron Duke
Në mëshirën e përzgjedhjes natyrore që nga fillimi i jetës, paraardhësit tanë u adaptuan, u çiftuan dhe vdiqën, duke ua kaluar pasaardhësve mutacionet e vogla gjenetike,të cilat në fund na bënë njerëzit që jemi sot. Por një studim i ri sugjeron se evolucioni nuk është i lidhur vetëm me gjenet.
Përkundrazi, kultura njerëzore mund të jetë duke e nxitur evolucionin më shpejt sesa mund të funksionojnë mutacionet gjenetike. Sipas këtij koncepti, evolucioni nuk kërkon më mutacione gjenetike që i japin avantazh mbijetesës.
Në vend të kësaj, sjelljet e mësuara dhe të transmetuara përmes kulturës janë “mutacionet” që ofrojnë përparësi për mbijetesën. Studiuesit thonë se ky i ashtuquajtur evolucion kulturor, mund të diktojë sot më shumë fatin e njerëzimit sesa përzgjedhja natyrore.
“Kur një virus sulmon një specie, ai zakonisht bëhet imun ndaj këtij virusi përmes evolucionit gjenetik”- tha për Live Science bashkë-autori i studimit Zak Ud, studiues post-doktoral në Shkollën e Biologjisë dhe Ekologjisë në Universitetin e Meinit, SHBA. Një evolucion i tillë funksionon ngadalë, pasi ata që janë më të ndjeshëm vdesin, dhe vetëm ata që mbijetojnë ua kalojnë pasaardhësve gjenet e tyre.
Por në ditët e sotme, njerëzit nuk kanë në përgjithësi nevojë që t’u përshtaten gjenetikisht kërcënimeve të tilla. Në vend të kësaj, ne përshtatemi duke zhvilluar vaksina dhe ndërhyrje të tjera mjekësore, të cilat nuk janë fryt i punës së një personi, por përkundrazi i shumë njerëzve që shfrytëzojnë“ mutacionet” e akumuluara të njohurive kulturore.
Duke zhvilluar vaksinat, kultura njerëzore e përmirëson “sistemin imunitar” kolektiv, thotë bashk-autori tjetër i studimit Tim Uoring, profesor i asociuar i modelimit të sistemeve social-ekologjike në Universitetin e Meinit.
Dhe ndonjëherë, evolucioni kulturor mund të çojë në një evolucion gjenetik. “Shembulli më klasik është toleranca ndaj laktozës. Pirja e qumështit të lopës filloi si një tipar kulturor, që më pas nxiti evolucionin gjenetik tek një grup njerëzish”- shprehet Uoring.
Në atë rast, ishte ndryshimi kulturor ai që i parapriu ndryshimit gjenetik, dhe jo e kundërta.
Koncepti i evolucionit kulturor filloi me babanë e teorisë së evolucionit. Çarls Darvini e kuptonte që sjelljet mund të evoluonin dhe të kalonin te pasardhësit, ashtu siç janë tiparet fizike.
Por shkencëtarët në kohën e tij, besonin se ndryshimet në sjellje ishin të trashëguara. Për shembull, nëse një nënë do të kishte një tipar që e nxiste ta mësonte vajzën e saj sesi të kërkonte ushqim, ajo do t’ia kalonte këtë tipar të trashëguar vajzës së saj.
Nga ana tjetër, vajza e saj mund të ketë më shumë gjasa të mbijetojë, dhe për pasojë ky tipar do të bëhej më i zakonshëm në popullatë. Uoring dhe Ud argumentojnë në studimin e tyre të ri, të botuar më 2 qershor në revistën “Proceedings of the Royal Society B”, se në një moment të historisë njerëzore, kultura filloi që të heqë kontrollin evolucionar nga ADN-ja jonë. Dhe tani, thonë ata, ndryshimi kulturor po na lejon që të evoluojmë në mënyra të cilat nuk mund të realizoheshin nga ndryshimi biologjik.
Dhe ja pse:Kultura është e orientuar drejt grupeve, dhe njerëzit në këto grupime flasin, mësojnë nga dhe imitojnë njëri-tjetrin. Këto sjellje në grup, u japin mundësi njerëzive që t’ua kalojnë të tjerëve adaptimet që ata i mësuan më shpejt përmes kulturës,sesa mund t’i transmetojnë përfitime të ngjashme gjenet në aspektin e mbijetesës.
Një individ mund të mësojë aftësi dhe informacione nga një numër gati i pakufizuar njerëzish brenda një kohe të shkurtër, dhe nga ana tjetër ta përhapë atë informacion tek shumë njerëz të tjerë. Dhe sa më shumë njerëz që janë të gatshëm të mësojnë, aq më mirë.
Grupet e mëdha i zgjidhin problemet më shpejt sesa ato më të vogla, dhe konkurrenca ndërmjet grupeve stimulon adaptime, të cilat mund t’i ndihmojnë grupet e mëdha që të mbijetojnë. Ndërsa përhapen idetë, kulturat zhvillojnë tipare të reja.
Në të kundërt, një person që trashëgon vetëm informacione gjenetike nga dy prindër, mbledh relativisht pak mutacione të rastësishme nga vezët ose spermatozoidët e tyre, të cilat duhen rreth 20 vjet që t’u kalojnë fëmijëve të tyre të vegjël. Ky është thjesht një ritëm shumë më i ngadaltë i ndryshimit.
“Kjo teori ka kohë që po dominon”- thotë Pol Smaldino, profesor i asociuar i shkencave njohëse dhe informacionit në Universitetin e Kalifornisë, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim. “Njerëzit janë përpjekur për një kohë të gjatë, për të përshkruar mënyrën se si biologjia evolucionare bashkëvepron me kulturën”- thotë ai.
“Në planin afatgjatë, ne sugjerojmë se njerëzit janë duke evoluar nga organizmat individualë gjenetikë, në grupime kulturore që funksionojnë si super-organizma, të ngjashëm me kolonitë e milingonave dhe kosheret e bletëve”- deklaron Uoring në një deklaratë.
Por kolonitë e bletëve i drejton gjenetika, ndërsa super-organizmi njerëzor do të ekzistojë në një kategori të vetën. Se si mund të duket ky super-organizëm në një të ardhme të largët, kjo është ende e paqartë. / “Live Science” – Bota.al /