Padurimi, dera mes gënjeshtrës dhe fatalitetit

    AGIM BAÇI

    Franc Kafka përshkruan se si padurimi kthehet në një burim të pafund mëkatesh, pasi të heq mundësinë të kesh kontakt me të vërtetën, por edhe të mos kuptosh origjinën e vetë gabimit, të vetë mëkatit. Edhe në Shqipëri, qytetarët kanë kohë që ndeshen përballë dy padurimeve: padurimit të opozitës për të ardhur në pushtet, i cili ia errësoi sytë para 25 prillit për të lexuar siç duhet të gjitha shtigjet morale për të mundur kundërshtarin, dhe, nga ana tjetër, padurimit të qeverisë për të siguruar me çdo kusht pushtetin, duke shpërfillur ligjin dhe moralin.

    Si pasojë, sot, për shkak të mëkateve që shkakton veprimi nën ritmin e padurimit – pra, mëkati që vjen nga dëshira e ngutshme për të parë sitë tanishme, si para syve, atë që është shkruar të vijë më vonë, – ne kemi një opozitë që ndihet më e turpëruar para mbështetësve të saj që u vodh e që nuk shmangu dot humbjen, dhe një maxhorancë që ndihet e paturp përpara mbështetësve të saj meqenëse ka fituar, pavarësisht mjeteve që përdori, pavarësisht se mori peng institucionet dhe ktheu klientelizmin masiv, duke ndërtuar një marrëdhënie mes qeverisë dhe qytetarëve sipas modelit marrëdhënieve padronklient. (A nuk ishin zyrtarët e maxhorancës që u shpërndanë nëpër të gjithë Shqipërinë për muaj e muaj me radhë, me dietat e qeverisë në një xhep dhe me hartën e halleve të qytetarëve në xhepin tjetër, duke u garantuar atyre zgjidhje në emër të qeverisë për rindërtimin, për legalizimin, për çështje që lidheshin me hipotekën, shëndetin, shërbimin social? Pra, shteti mori rolin e padronit, duke u sjellë sikur paratë dhe institucionet nuk janë më pjesë e pasurisë së shqiptarëve, por në pronësi të qeverisë, që ia jep të drejtën atij që ia kthen me votë)

    Kështu, qeveria, si në romanin “Kështjella” të Kafkës, na shet hauret e varfra të fshatit për një kështjellë gjigante. Për të na e bërë të besueshme këtë kështjellë imagjinare arritjesh nga qeveria, na është vënë kudo një dritare e madhe mediatike, ku na sugjerohen “të vërtetat që duhet të dimë”, pra, duke na kërkuar ta shohim realitetin përmes atij xhami – një “xham”, për të cilin vetë Rama, Veliaj dhe gjithë armata tjetër, na e shet si “të vetmin shteg nga ku duhet të gjykojmë botën rreth nesh”.

    Padurimi i gjithanshëm i Ramës dhe klientëve të tij për të na gënjyer për gjithçka, tashmë e ka kthyer realitetin të paarritshëm për shumicën e qytetarëve. Ndaj dhe kur tenton të analizosh shkeljet dhe talljet e qeverisë ndaj qytetarëve, ndjen jo pak herë atë habinë rreth teje, pasi të shohin si një njeri që shpërfill realitetin dhe je thjesht një person që urren dhe që nuk arsyeton. Ndërkaq, përballë kësaj situate irreale, padurimi i opozitës për të mbërritur drejt fitores, e ka kthyer atë në një gjuetare të veprimeve të maxhorancës, një replikuese të veprimeve të saj, dhe jo në një kërkuese brenda vetes për të nxjerrë në pah modelin e një komunikimi të drejtë, që do t’i bënte shqiptarët të besonin te ky model vlerash, të një model moral.

    Në të dyja rastet, padurimi që shfaqin palët është veçse shenjë e një marrëdhënieje të keqe me moralin dhe me të vërtetën, dhe kjo formë komunikimi, në shtratin e plotë të padurimit, veçse u jep kohë të fshehin mëkatin e veprimeve dhe qëllimeve të veta- një mëkat që rrezikon të çojë qeverinë në zmadhimin e përditshëm të gënjeshtrës dhe opozitën në derën e fatalitetit.

    Në fakt, siç shkruan shkrimtari i famshëm Milan Kundera në romanin e tij “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, se gjithçka që zgjedhim të bëjmë në jetë, nuk e vonon të na e shfaqë peshën e vet. Parë sipas Kunderës, në këtë realitet, si ata që kanë zgjedhur të jetojnë “me duartrokitje dhe bindje”, duke u divorcuar nga çdo formë e të jetuarit me dinjitet, ashtu edhe ata që revoltohen për mosardhjen e asaj që nuk është e shkruar të vijë, do të jenë nën peshën e padurimit, e për pasojë, dera e mëkatit mund t’i rrëmbejë sërish në një rrugë të re gabimesh.

    Historia e fitimtarëve është leksioni i një rrugëtimi ku njeriu, më parë sesa të zemërohet me atë që nuk ka mbërritur ende tek ai, përpara se të tregohet i paduruar me fatin e vet, duhet të shohë se si mundet që të ringrihet, pavarësisht errësirës përreth. Kafka, përmes veprës së tij fantastike, na fton të shmangin me guxim dhe durim shfaqjen e humbjes së vetvetes para syve tanë dhe para syve të të tjerëve. Ai na tregon portën ku duhet të trokasim – që është porta e besimit se e drejta dhe besimi nuk do ta humbin kurrë shkëlqimin, pavarësisht kështjellës gjigante të gënjeshtrës që kërkon të na zërë pamjen.

    Lajmi Paraprak

    UNESCO u dha edhe dy vite ultimatum Maqedonisë dhe Shqipërisë për Liqenin e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    Sfida e drejtësisë së re

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë