Papa Françesku dhe zmbrapsja e demokracisë

    Foto: News24 Albania

    Gjergj Meta

    “Në Europë dhe kudo, demokracia po pëson zmbrapsje për shkak të populizmave dhe autokracive”. Ky ishte thelbi i asaj që tha Papa Françesku këto ditë, në Athinën e Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, aty ku lindi demokracia dhe ku ai ishte për një udhëtim apostolik.

    Mendoj se fjalimi i tij është një leksion i mirëfilltë shoqëror dhe politik për gjithë botën, sikurse dhe për demokracinë tonë, demokracinë shqiptare, e cila nuk është aspak imune nga diagnoza e Papa Françeskut, sidomos kur flitet për populizëm dhe autokraci.

    Mesdheu, që ngjizi Europën dhe demokracinë, është edhe pikëtakimi i shumë kulturave, të cilat kanë sjellë zhvillim në botë, por njëherazi edhe shumë probleme që në njëfarë mënyre i trashëgojmë edhe sot e kësaj dite. Aty (Athina) lindi reflektimi filozofik ose abstragimi si kategori e të menduarit e po aty lindi e drejta (ius) me institucionet e saja (Roma), të cilat aq zhvillim i kanë sjellë botës.

    Po ashtu, kultura religjioze judeo-kristiane (Jerusalemi) që i zbriti perandorët nga ‘transcendenca’ e mëtuar e tyre, duke inauguruar kështu konceptin e lajcitetit të shtetit apo dallimin e Hyjit nga Cezari, humanizoi vetë konceptin e pushtetit. Filozofia dhe e drejta zhvilluan shkencat dhe institucionet që ne gëzojmë sot e mbi të gjitha demokracinë. Por, ama, prej aty u nisën edhe kolonizuesit e zbuluesit e Amerikës e Afrikës me gjithë politikat shfrytëzuese dhe shfarosëse të popujve indigjenë.

    Po ashtu, ishte po ajo shkencë që krahas arritjeve që kanë përmirësuar e lehtësuar jetën njerëzore, prodhoi edhe bombën atomike e që sot i lejon vetes, pa asnjë referim etik, manipulimin e gjeneve dhe krijimin laboratorik të njeriut. E megjithatë, ky areal i Mesdheut po kthehet dalëngadalë në një varrezë të madhe për ata që i kanë ikur luftës e varfërisë nga Azia dhe Afrika, nga Lindja e Mesme dhe ajo e largët.

    Gjithashtu, aty po shihen shenjat e regresit të demokracisë, e cila ndërton mure në vend të urave, pjell konflikt në vend të mirëkuptimit për të mirën e përbashkët, me rrezikun që të kthehet në varrin e demokracisë që ngjizi, lindi dhe zhvilloi. Një lloj barku që vret krijesën e vet. A do të dijë Mesdheu të jetë edhe një herë në lartësinë e vokacionit të tij të ngjizjes së transformimeve të mëdha planetare?

    A mos ndoshta ka ardhur koha që aleanca midis filozofisë, së drejtës dhe religjionit (dhe jo vetëm atij judeo-kristian) t’i marrë në duar edhe një herë fatet e njerëzve, duke i treguar kufijtë babëzisë ekonomike të ‘perandorive’ moderne dhe pretendimit të njeriut për të qenë Zot? S’do mend që kjo është një detyrë dhe një vokacion i vështirë përballë egoizmit që çon drejt autokracive dhe populizmave personalë e nacionalistë, por jo e pamundur.

    Lajmi Paraprak

    Buçkovski: Duhet ta parandalojmë nacionalizmin në Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    Për të tretën herë me radhë ndërpritet transporti publik në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë