Paqëndrueshmëria e sigurisë publike

    PËLLUMB NAKO 

    Nuk mjafton ajo që thonë autoritetet kompetente në përgjithësi kur numërojnë veprat penale, duke bërë krahasime dhe duke nxjerrë sa më shumë apo sa më pak prej tyre kanë ndodhur të krahasuara me të njëjtën periudhë kalendarike, për të nxjerrë në këtë mënyre parametrat e sigurisë më mirë ose më keq. Sigurisht, numri i veprave penale ka rëndësinë e tij të dihet, por jo thjesht në formën e një përllogaritjeje, por me tendencën për të lexuar atë që ndodh dhe si ndodh pas tyre. Kjo, për të identifikuar problemet sociale që i gjenerojnë.

    Tjetër problem social shfaqet në rastin kur Policia arreston një individ për kultivim kanabisi dhe procedon në gjendje të lirë bashkëshorten e tij, tjetër problem evidentohet kur një djalë i ri ekzekutohet sepse vëllai i tij kryesonte një grup trafikantësh dhe është në burg. Pra, dashur pa dashur, ndodhemi përballë dy kolonave kryesore të natyrës së krimit në gjithë larminë e tij, të cilat kërkojnë qasje të ndryshme sociale, pavarësisht se ligji është i barabartë për të gjithë. Politika e ashpërsimit penal, në tërësinë e saj, nuk ka dhënë ndonjë efekt të dukshëm përmirësimi në disa drejtime të aktivitetit kriminal që zhvillohet në vendin tonë, sidomos kur rrënjët e një konflikti që shpërthen në Shqipëri, majisen diku larg në një vend evropian.

    Në morinë e akteve të saj për të luftuar apo për të parandaluar krimin, qeveria duhet të fiksojë njëherë e mirë se në luftën kundër tij nuk mund të jetë i suksesshëm parandalimi policor apo penal, as mbushja e burgjeve me shkelës ligji, pa punuar fort dhe sistematikisht për parandalim social.

    Në thelb, ky i fundit presupozon që individë si ata p.sh. që merren me kultivimin e kanabisit dhe që nuk janë të paktë në numër, të mos jenë të shtrënguar nga nevoja për të zhvilluar këtë aktivitet antiligjor. Është e pamundur që lufta kundër tij të fitohet vetëm nëpërmjet organeve të ligjit. Në thelb kërkohet një qasje më e gjerë, me natyrë sociale. Është kjo e fundit që garanton një siguri të qëndrueshme e pa luhatje të dukshme. Kjo sepse qasja vetëm nëpërmjet organeve represive bën që sot një qeveri të mburret me numrin e ulët të vrasjeve dhe ekzaktësisht të nesërmen të ndodhin ngjarje dhe më të rënda.

    Më konkretisht, nëse shihen kronikat e zeza në median e shkruar, evidentohet qartë alarmi social i shpërndarjes moshore të veprave penale që ndodhin në përgjithësi. Diku një i ri 19-vjeçar e fillon përgjegjësinë e tij moshore ndaj shoqërisë në rrugën më të shëmtuar të mundshme duke shfrytëzuar prostitucionin, diku tjetër, në disa raste, 70- vjeçarë që arrestohen për armë mbajtje pa leje. Më pas një familje e tërë e arrestuar për kultivim kanabisit, kurse diku tjetër arrestohet një burrë në moshë madhore së bashku me nipin e tij, po për kultivim kanabisi.

    Në tërësinë e tyre, po të shihen me vëmendje, personat e kapur me armë pa leje dhe që janë duke qarkulluar në hapësira publike janë më shumë të rinj në moshë, dhe pjesa që kapen me armë në në banesë janë mbi 50 vjeç, madje deri në 71 vjeç. Në të dyja rastet, vepra penale është e njëjtë, por rrënjët sociale të ndryshme. Akoma më të frikshme dhe që flasin pastër për paqëndrueshmërinë e sigurisë publike, janë dy vrasje të shënuara në Rrëshen dhe në Sukth.

    Në të parën tre vetë u plagosën dhe luftojnë ende për jetën, vetëm sepse po pinin kafe me një individ të shënjestruar për hakmarrje. Sa raste të tilla mund të jenë? Mjafton këtu të kujtojmë një grua që para disa kohëve u vra duke punuar në një lokal ku plasi koburja. Ndërkohë në Sukth, të paktën sipas medies, vritet një individ i cili kishte për faj faktin se i vëllai i tij kishte qenë kapobandë dhe kishte vrarë dikë. Pra në të dy rastet paguajnë me jetë, individë që nuk kanë lidhje direkte me krimin për të cilin viktimizohen. Kjo do të thotë se jemi shumë larg thënies “hëngshin kokat e tyre”, sepse në këtë proces “ të ngrënies së kokave” ka pasur edhe viktima të pafajshme.

    Pavarësisht se ligjet janë ashpërsuar dhe vazhdojnë të ashpërsohen, përsëri disa shkelje ligjore me themel tradicional si armëmbajtja pa leje, hakmarrja, kultivimi i kanabisit, nuk shënojnë ndonjë ulje domethënëse megjithë ndërhyrje e shumta të Policisë. Kjo tregon se ekziston në numër jo të vogël një nevojë më e madhe sesa ligji, që detyron këta individë të bëjnë shkelje. Ndërkohë, nga ana tjetër, qasje e ndryshme kërkohet për grupet kriminale të cilët deri tani kanë vërtetuar se janë në lidhje me njëri tjetrin si kur veprojnë jashtë vendit dhe brenda vendit.

    Për të dëshmuar seriozitet në këtë drejtim është e nevojshme që të rriten sekuestrimet e produkteve financiare me burim trafiqet ndërkombëtare të shoqëruara me investime brenda vendit dhe ndërkohë të gjenden mjete e kanale për të njohur dhe identifikuar çdo shtetas shqiptar me aktivitet kriminal të trafiqeve në vendet perëndimore e gjetkë. Evidentimi i tyre do të ndihmonte organet kompetente për të parandaluar konfliktet që ndodhin në vendin tonë dhe që kanë burimin jashtë kufijve të tij. Në një kontekst të tillë duket qartë që për të luftuar krimin, nevojitet të punohet me dy shpejtësi.

    Njëra syresh, ajo që preferohet aq shumë, pra represioni ligjor, sidomos në fushën e trafiqeve dhe të krimit të organizuar, dhe tjetra, në kushte kohore më të ngadalta dhe afatgjata që lidhen me identifikimin dhe ndërhyrjen e shtetit për të zbutur ose zhdukur nevojën e shumë individëve të shkelin ligjin për vepra penale me themel tradicional si kultivimi i kanabisit, apo armëmbajtja pa leje.

    Pra, duke targetuar grupet sociale më të cenueshme dhe më të prirura për të kaluar në shkelje penale. Në fakt opsioni i dytë sigurisht do të luaj një rol madhor edhe për të zhdukur disa fenomene të tjera sociale penalisht dhe jo penalisht të dënueshme siç është dhuna.( Temë kjo e trajtuar më parë). Rrugët e integrimit të institucioneve shtetërore e shoqërore për të mundësuar parandalimin social janë të shumta, por fillimisht, më i dukshëm dhe më i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi real, i mirëstrukturuar dhe efikas i organeve policore me pushtetin vendor.

    Është ky i fundit që ka buxhet dhe që mund të ndërhyjë financiarisht në shumë problematika që përbëjnë shtytje për aktivitet antiligjor. Por që kjo ndërhyrje të jetë efikase, kërkohet një evidentim i saktë i individëve apo familjeve problematike dhe për këtë nuk mjafton numri i madh apo i vogël i policëve bashkiakë. Kërkohet ndërtimi i një strukture civile me emërtimin “mediatorë socialë”, të cilët ashtu si policia që njeh çdo individ me prirje kriminale, të njohë çdo shqetësim, çdo konflikt brenda dhe ndër familje, çdo individ problematik apo në vështirësi që ende nuk është kthyer në subjekt trajtimi nga ana e policisë.

    Evidentimi i imtë i gjithë shqetësimeve dhe problemeve që shqetësojnë familjet apo shtresa sociale që nga nevoja detyrohen të bëjnë shkelje, ndërhyrja brenda tyre edhe me ndihmë ekonomike, edhe me forma të tjera, do të bënte që shumë individë të shkëputeshin nga krimi.

    Sigurisht, një tematikë e ndërtimit të këtij lloji bashkëpunimi ndërmjet pushtetit vendor dhe organeve të rendit, kërkon reflektim dhe detaje të shumta, por në thelb mbetet i rëndësishëm fakti i domosdoshmërisë se shfrytëzimit në maksimum të detyrave ligjore të pushtetit vendor, për të punuar në drejtim të eliminimit sa më të shumtë të rrënjëve sociale të krimit. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Akullnajat zvicerane humbin 10 për qind të masës brenda dy vjetëve

    Lajmi i rradhës

    Gjesti i zëvendëskryeministrit shkakton incident në kuvend

    Lajme tjera

    Fluturimthi!

    EDMOND TUPJA Po, kohë të lavdishme kanë ardhur për Republikën Zvarranike të Shqipërisë:   Ajo po fluturon lart e…
    Më tepër

    Krimi dhe feja

    Dr.Arben Ramkaj Besimi fetar bazohet jo vetëm tek një lidhje e fortë shpirtërore midis njeriut dhe krijuesit të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë