EDMOND TUPJA
Po, kohë të lavdishme kanë ardhur për Republikën Zvarranike të Shqipërisë: Ajo po fluturon lart e më lart veçanërisht tani që, nën udhëheqjen çmendurisht të shkëlqyer të kryeministrit tonë të përjetshëm karizmatik Edi Rama, ajo, qoftë edhe përkohësisht, pra, për dy vite, është anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Siç dihet, thuhet e shkruhet, Këshilli në fjalë ka si përparësi paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në kuadrin e kësaj përparësie, ai gëzon të drejtën të dërgojë paqeruajtës në rajone problematike dhe të përcaktojë deri edhe masat e sanksionet e nevojshme, madje të domosdoshme, për stabilizimin atje të gjendjeve të trazuara.
Miqtë e mi të vjetër, Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, simpatizantë të flaktë të kryeministrit tonë të përjetshëm karizmatik Edi Rama, janë gjithsesi të shqetësuar për një dukuri apo fakt objektiv të pamohueshëm: Si është e mundur që karizmatiku Edi Rama, i cili ende nuk ka stabilizuar, në shtetin e vet xhuxhmaxhuxh me paterica gjigante, gjendjen e pashpresë ekonomike (papunësi, shtrenjtim i jetesës, emigracion etj.), sociale (pasiguri, korrupsion, varfërim, kanabizim, kriminalitet galopant etj.).
Pra si është e mundur që karizmatiku Edi Rama të japë realisht në shkallë botërore ndonjë kontribut (me “b” kjo fjalë, kurrsesi me “m”) të denjë e të dobishëm për njerëzimin; për shembull, konkretisht, dy miqtë e mi, në varësi të aktualitetit, pyesin veten me shqetësim në ç’mënyrë Republika Zvarranike e Shqipërisë, tash e tutje anëtare e përkohshme e Këshillit të lartpërmendur, do të ndihmojë sado modestisht në ndërprerjen urgjente të konfliktit të armatosur midis Rusisë së Putinit dhe Ukrainës së Zelenskit, por shqetësimi i tyre, ç’është e vërteta, shkon edhe më larg, pra, tek e ardhmja e vetë karizmatikut Edi Rama, idhullit të tyre, në arenën e politikës së nivelit planetar (ndoshta edhe ndërplanetar, por këtë nuk ma thanë shkoqur, vetëm sa e lanë deri diku të nënkuptohej, të paktën këtë përshtypje pata!).
Për t’i qetësuar miqtë e mi të vjetër, pardje, tek shëtisnim kryelartë para kryeministrisë kokëulur, u thashë se karizmatiku Edi Rama me siguri e kishte gjetur mjetin dhe mënyrën se si do ta zgjidhte këtë problem me tri etapa: Së pari, nuk është aspak një rastësi e kulluar që, prej disa vitesh, ai e ka vënë theksin (me “th” kjo fjalë, kurrsesi me “s”) tek ndërtimi (me “t” kjo fjalë, kurrsesi me “z”) i aeroporteve nga veriu në jug të vendit, a thua se e kishte parandier apo, më saktë, parashikuar se Republika Zvarranike e Shqipërisë do të zgjidhej anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; së dyti, falë aeroporteve në fjalë, karizmatiku Edi Rama do të bredhë orë e çast fluturimthi nëpër botë për të vizituar çdo vend ku ka probleme që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; së treti, ai është i bindur se, gjatë 730 ditëve të anëtarësimit të Republikës Zvarranike së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai do të arrijë t’i zgjidhë fluturimthi problemet në fjalë në saje të mendjes së tij që ka trajtën e një shkopi magjik, shkop të cilin do t’ia kenë zili sidomos Gana, Gaboni, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pra, katër vendet e tjera të zgjedhura edhe ato, si Shqipëria, anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit.
Me atë shkop magjik, ai shpreson mirëfilli t’ia dalë që, një ditë të bukur dhe sidomos të afërt, ta bëjë Republikën Zvarranike të Shqipërisë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Rusisë dhe Kinës.
Arsyetimi im i mësipërm sikur ua lehtësoi dy miqve të mi socialistë ankthin lidhur me të ardhmen e karizmatikut Edi Rama, idhullit të tyre thuajse të pavdekshëm, por kur unë shtova diçka tjetër, ata shtangën, pastaj m’u hodhën në qafë dhe, me lot në sy, m’u lutën, m’u përgjëruan, m’u përshpirtën të pranoja ftesën e tyre bujare për të darkuar në restorantin më të shtrenjtë të kryeqytetit tonë të lumturuar nga prania lavdiplotë e një qeverie të qenësishme, të lavdishme e të fuqishme (me rrokjen “fu” kjo fjalë, kurrsesi pa të!) të udhëhequr fluturimthi që nga lartësitë kreshnike të kështjellës madhërisht epike të Surrelit.
Me siguri lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm në këtë çast pyesin veten se ç’ishte ajo “diçka tjetër” që kisha shtuar dhe që i kishte mallëngjyer kokë e këmbë, përfshirë edhe zorrët e barkut e të shpirtit, dy miqtë e mi socialistë. Oh, kjo ndodhi sepse unë kisha guxuar të shtoja diçka që atyre u ishte dukur si profeci: “Nuk është e pamundur që ai, karizmatiku juaj Edi Rama, falë shkopit të tij magjik, një ditë të bukur ta shohë veten në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara!”. Madje, siç uron mbarë populli ynë votëshitës, nëse, krahas kompanisë ajrore “Air Albania”, krijohen së shpejti edhe dy kompani të tilla me emrat “Air Prass” dhe “Air Presh”, i ardhshmi Sekretar i përgjithshëm i OKB-së do t’i bjerë rreth e përqark rruzullit tokësor njësoj si hëna dhe, kështu, gjithë problemet që do të kenë të bëjnë me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare do të zgjidhen me një të rënë të shkopit të tij magjik. Fluturimthi! /Panorama/