Procesi i Berlinit, përshpejtuesi i integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor

    PROF. DR. ARBEN MALAJ

    “Procesi i Berlinit nuk është i rëndësishëm vetëm për Ballkanin Perëndimor, ai është gjithashtu i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i begatë është në interesin tonë më të mirë”, do të deklaronte kancelaria Merkel në 2018-ën.

    Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 për të mbështetur procesin integrues të Ballkanit Perëndimor, menjëherë sapo Presidenti i Komisionit Evropian, Junker, njoftoi se BE-ja nuk do të kishte zgjerim për pesë vitet e ardhshme 2014-2019. Ky bllokim erdhi për faktin se BE-ja duhet të kryejë paraprakisht reforma të brendshme për të thelluar integrimin brenda saj përpara çdo zgjerimi të ri. Qëndrim bllokues ky, sidomos nga Presidenti francez Macron, aktualisht jo aq kategorik. Reforma thelbësore që lehtëson thellimin e integrimit të BE-së dhe të qeverisjes së saj, por edhe më e vështira, mbetet kalimi nga sistemi i vetos bllokues në votimin me shumicës së cilësuar. Një tjetër reformë që rrit besimin publik për BE-në është heqja e kushtit, që çdo vend anëtar të ketë një komisioner/anëtar në qeverinë e BE-së. Pas zgjerimeve të reja, BE-ja synon të arrijë në 36 vende dhe një qeveri prej 36 anëtarësh do të ishte për votuesit evropian joefektive dhe joracionale.

    Në Traktatin e Lisbonës 2007 parashikohej që numri i komisionerëve të përfaqësonte dy të tretat e vendeve anëtare, për shembull, aktualisht nga 27 në 18 dhe pas zgjerimit nga 36 në 24 komisionerë. Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike bëhet kritik, sidomos kur ndikimet ruse e kineze në Ballkanin Perëndimor synojnë të rriten si pjesë e strategjive të tyre gjeopolitike. Disa vende kandidate jo vetëm të Ballkanit Perëndimor nuk janë vende anëtare të NATO-s. Rasti i konfliktit në veri të Kosovës, ngjarjet në Ukrainë dhe së fundi në Izrael imponojnë përshpejtimin e proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor, por edhe të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Gjeopolitika do të jetë edhe në fokusin të samitit në Tiranë.

    Por pas përvojës jopozitive me pranimin e përshpejtuar të Rumanisë dhe Bullgarisë dhe pas shqetësimeve në rritje për zhvillimet në Hungari dhe Poloni në lidhje me cenimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe deformimet e demokracisë funksionale, BE mbetet në mëdyshje që vendet e Ballkanit Perëndimor do të kryejnë reformat me fokus garantimin e shtetit ligjor dhe standardeve demokratike, si parakushte të hapave të mëtejshme integruese. Pikërisht për të kapërcyer këtë hezitim dhe për të përshpejtuar integrimin euroatlantik, u inicua Procesin e Berlinit, i cili synon t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor mbështetjen ekonomike gjatë periudhës që këto vende nuk kanë arritur anëtarësimin e plotë në BE.

    Vlerësohet se bashkëpunimi ekonomik mund të stabilizojë rajonin dhe ta afrojë atë me tregun e brendshëm të BE-së. Procesi i Berlinit promovon dhe mbështet bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të lartë zyrtarë të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre në vendet pritëse të Procesit të Berlinit. Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare, shoqërinë civile, të rinjtë dhe bizneset e rajonit. Ekspertët vlerësojnë që “dobësia më e madhe e Procesit të Berlinit është se, aktualisht, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal nuk shkojnë në mënyrë eksplicite paralelisht me procesin e integrimit”.

    Procesi i Berlinit synon zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe të brendshme; arritjen e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon; rritjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe vendosjen e bazave për rritje të qëndrueshme etj.. Pikërisht në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe arritjen e pajtimit brenda dhe nëpërmjet shoqërive në rajon – arritjet janë të ngadalshme, të vogla dhe me risk të lartë kthimit pas, siç ndodhi me sulmin në veri të Kosovës dhe së fundi në Izrael. Njohja e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur duket akoma më e largët pas “betimit” të presidentit Vuçiç, se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Procesi i Berlinit ka disa objektiva konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor si: promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, mbështetja e procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor që të kapërcejnë sfidat me të cilat përballen, si zhvillimi ekonomik, siguria, sundimi i ligjit dhe promovimi i stabilitetit e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ky proces nga njëra anë ofron për vendet e BP-rë “karotën” duke iu premtuar përshpejtim të integrimit në BE, nga ana tjetër rithekson parakushtet për të përfituar nga projektet e mbështetjes financiare si sundimin e shtetit ligjor dhe një ekonomi të aftë të përballojë konkurrencën në rritje brenda BE-së. Nëpërmjet kushtëzimit të investimeve në infrastrukturë, Procesi Berlinit inkurajon vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë reformat ligjore dhe rregullatore në përputhje me acquis communautaire. Kështu, Procesi i Berlinit kontribuon në afrimin e vendeve te Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe ruan ndikimin transformues të Unionit në rajon. Procesi i Berlinit ka qartësuar prioritetet për vendet e BP-rë siç janë: hendeku i infrastrukturës, papunësia e të rinjve, konkurrueshmëria e ulët e ekonomive dhe perspektivat e largëta të konvergjencës ekonomike me BEnë, përparimi i ngadaltë në pajtim, çështjet dypalëshe, arsimi dhe kërkimi, integrimi i romëve dhe çështjet mjedisore. Lidhur me investimet për Procesin e Berlinit, instrumenti kryesor është “Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor”.

    Ky është një mekanizëm koordinues i donatorëve që grumbullon fonde nga BE-ja, institucione të ndryshme financiare, donatorë dypalësh dhe qeveritë e Ballkanit. Marrëveshjet e nënshkruara në Berlin më 3 nëntor 2022 për lirinë e lëvizjes (ku një kartë identiteti mjafton për udhëtime) si dhe njohjen reciproke të diplomave të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale në fushën e mjekësisë dhe arkitekturës bazohen gjithashtu mbi këtë iniciativë dhe tani janë pjesë e CRM. Zyrat Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) është një nga marrëveshjet e para dhe më të suksesshme të nënshkruar në Procesin e Berlinit.

    Pas samitit ministror më 3 nëntor 2022, qeveria gjermane shpalli synimin e saj për të krijuar një partneritet mbi sfidat e klimës me të gjithë Ballkanin Perëndimor – një sinjal ky pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të mbështetur tranzicionin e energjisë, BE-ja duhet të përfshijë në platformat e përbashkëta të blerjes së energjisë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të ishte një shenjë se Ballkani Perëndimor nuk shihet si një rajon i jashtëm, por si pjesë e proceseve të brendshme dhe mekanizmave të zgjidhjes së problemeve në BE. Në Samitin e Tiranës sfidat e ngrohjes globale, ambienti, ekonomia e gjelbër, ekonomia e dijes dhe energjia e rinovueshme do të kenë një fokus të veçantë për të ardhmen e përbashkët.

    Anëtarësimit gradual, ose i shkallëzuari vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën Ekonomike Evropiane mbetet një objektiv parësorë. Por “asgjë nuk është falas” edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë se BE-ja do të monitorojë dhe vlerësojë rigorozisht plotësimin e angazhimeve të Ballkanit Perëndimor për reformat politike dhe ekonomike. Në raste ekstreme nëse angazhimet nuk plotësohen, mbështetja financiare dhe procesi integrimit do të “ngrinin”, qoftë edhe përkohësisht. Shqipëria e ka tani një përvojë jopozitive. Përfshirja brenda Procesit të Berlinit e iniciativave të tjera rajonale duke integruar projektet e mbivendosura apo paralele e lehtëson përshpejtimin integrues të Ballkanit Perëndimorë.

    Në konferencën në Tiranë të Procesit të Berlinit mund të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë “një stacion pritje” për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por “një shinë mbështetëse” që ky proces të përshpejtohet duke reduktuar pengesat historike dhe vonesat e tejzgjatura. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Lëvizja Besa – BDI-së: ku përfundojnë paratë e buxhetit shtetëror që duhet të investohen në autostrada?

    Lajmi i rradhës

    Dalëngadalë.. poezia e fundit e Dritëro Agollit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë